Sociale

Sokol Kraja: Rreziku që na vjen nga ushqimi dhe ç’duhet të bëjmë që të mbrohemi

15:07 - 04.05.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Siguria ushqimore dhe abuzimet nga një grup importuesish e fermerësh të papërgjegjshëm ka qenë temë e diskutimit në emisionin “Java në RTSH” mes Kryetarit të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Sokol Kraja dhe ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti. Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Kraja solli shifrat zyrtare të OBSH teksa shtoi se një në 10 sëmundje vijnë nga ushqimi.




“25% e prodhimeve bujqësore janë me myk në të gjithë botën. Rreth 420 mijë persona në vit vdesin si pasojë e kontaminimit. Ne jemi të vetëdijshëm që në Shqipëri, siguria ushqimore ka të njëjtën rëndësi për shoqërinë sikurse arsimi, drejtësia etj. Por për të arritur maksimumin e sigurisë ushqimore duhet një kontribut i përbashkët nga qytetarët, prodhuesit dhe shteti” – tha Sokol Kraja.

Sipas tij, problemi më i madh mbetet përdorimi i pesticideve. Kraja shtoi se pavarësisht se marka “Made in Albania” është në supermarketet më prestigjioze të Europës, sërish një grup i vogël fermerësh nuk arrijnë t’i plotësojnë standardet.

“Shteti i vetëm nuk mund të kontrollojë çdo kantinë, çdo dyqan apo restorant. Por kur evidentohet një rast, ai duhet bërë shembull që të mësojnë të tjerët” – tha Kraja në studion e emisionit ‘Java në RTSH’. Ai tha se në farmacitë bujqësore në vend tregtohen në mënyrë të pakontrolluar pesticide apo hormone që përdorën gjithashtu në mënyrë të pakontrolluar.“Fermerët tanë nuk janë të informuar. Madje pesticidet dhe hormonet që tregtohen në farmacitë bujqësore nuk kanë etiketa përshkruese” – tha Sokol Kraja.Ndërkohë që për ish-ministrin Edmond Panariti, siguria ushqimore nuk lidhet me faktin sesa i fuqishëm apo i vogël është prodhuesi.

Panariti tha në studion e emisionit ‘Java në RTSH’ se skandalet më të mëdha në Europë kanë ndodhur me prodhuesit e njohur.“Në shumicën e rasteve u është ndaluar blegtorëve të vegjël që të kenë baxhot e tyre nën pretendimin e standardeve. Përmes kësaj politike ne e dekurajojmë prodhuesin e vogël duke mos e lejuar të përpunojë prodhimin që e ka bërë për qindra vite atë punë” – tha ish-ministri i Bujqësisë.

Për analistin Preç Zogaj, një pjesë e produkteve të kontaminuara hyjnë në vendin tonë përmes importit.Ndërsa kreu i Bashkimit të Prodhuesve, Sokol Kraja, tha se produkteve u bëhen vetëm analiza kimike, por vendi ynë nuk ka kapacitet për të bërë analiza proteinash.“Ne kur eksportojmë produkte jashtë, i çojmë në laboratorë gjermanë për të bërë analizat” – tha Kraja. Ai apeloi për krijimin e laboratorëve të produkteve ushqimore, ndërsa shtoi se ushqimet kanë një rëndësi të jashtëzakonshme pasi kontrollojnë jetën tonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.