MILOSAO

Skënderbeu i Kristo Frashërit

21:00 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është domethënëse dedikimi që historiani akademik Kristo Frashëri i ka bërë veprës së tij në fjalët e mëposhtme: “Nuk është i saktë pohimi i disa historianëve skeptikë, se Skënderbeun e ngriti në piedestalin e historisë shekullore – jo vepra e tij, e cila, sipas tyre, ka qenë modeste, por Marin Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist. Në këtë punim provohet e kundërta. Është Skënderbeu ai, që me madhështinë e veprës së tij frymëzoi bashkatdhetarin e vet, Barletin, të shkruante për atë veprën e pavdekshme”.
Për herë të parë monografia e historianit akademik Prof. Dr. Kristo Frashëri me titull “Skënderbeu – jeta dhe vepra (1405-1468)” doli në dritë në vitin 2002, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Por atëherë, vepra e tij nuk arriti të botohej e plotë. Sepse autori e pat konceptuar dhe përgatitur monografinë e tij të ideuar dhe të lidhur bashkë edhe me nëntë vëllime me burime dokumentare, si një vepër të vetme dhjetë vëllimshme, si një trup i pandashëm shkencor, si një tren me lokomotivën dhe nëntë vagonat e tij (ose e thënë në mënyrë popullore, si “klloçka me nëntë zogjtë e saj”). Nëntë vëllimet me burime dokumentare (vëllimi II deri vëllimi X) që shoqërojnë Monografinë, janë dokumente të shek 15, bashkëkohëse të Heroit, të cilat fillojnë me kohën e Gjon Kastriotit dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut.




Nga Gjergj Kristo Frashëri*

Pse një botim kaq voluminoz? E thënë ndryshe, pse autori e pa të nevojshme shoqërimin e monografisë me botimin në vëllime të posaçme edhe të burimeve dokumentare historike? Përgjigjen e ka dhënë vetë autori, i cili nënvizon:”Për t’a shpëtuar Heroin dhe luftën epike të shek.15 nga kritikat që u bëheshin dy biografëve kryesorë korifenj të tij, Barletit si panegjirik dhe Biemmi-t si falsifikator, qysh herë m’ë lindi pyetja, nëse mund të trajtohej një histori e Skënderbeut dhe e epopesë së shek.15 duke u mbështetur vetëm në burimet dokumentare bashkëkohore, pa shfrytëzuar veprat e dy biografëve të diskutueshëm të lartpërmendur. Për të realizuar këtë detyrë u desh një kohë e gjatë. U bënë përpjekje për të grumbulluar gjithë materialin e mundshëm dokumentar të shek.15, pra burimet e pavarura nga veprat e Barletit dhe Biemmi-t. Materiali me burime dokumentare i grumbulluar deri sot, i sistemuar në origjinal dhe në përkthimin shqip, deri tani mbush nëntë vëllime. Ai përbëhet nga akte shqiptare dhe të huaja, perëndimore dhe lindore, të vjelura nga historianë të ndryshëm në arkivat e Venedikut, Raguzës, Romës, Napolit, Milanos, Barcelonës, Parisit, Ankarasë dhe Stambollit. Ky material, kryesisht kancelaresk, plotësohet me kronistët osmanë, ata bizantinë dhe italianë të shek.15. Ai pasurohet gjithashtu me shkrime memorialistike dhe me letërkëmbime të disa personaliteteve shqiptarë dhe të huaj, të gjithë bashkëkohëtarë të Heroit”.
1. Moria e këtyre burimeve historike dokumentare, me natyrë kancelareske, diplomatike, epistolare, kronikale në gjuhët latinisht, në italishten mesjetare, frëngjisht, spanjisht, osmanishte, në greqishten bizantine, sllavisht, në serbisht, deri në polonisht e gjermanisht, të dhëna në origjinal dhe të përkthyera në shqip, ndjekin kriterin tematik dhe janë radhitur në atë kronologjik. Autori ka sjellë aty, të gjitha burimet dokumentare që ka mundur të bjerë në kontakt, të periudhës prej lindjes së Skënderbeut deri kur ai vdiq. Janë përfshirë gjithashtu edhe disa kronika, të cilat ndoshta janë redaktuar në periudhat pas vdekjes së Skënderbeut, por autorët e tyre fillestarë janë bashkëkohës të Heroit, pra, nuk janë ndikuar nga Marin Barleti. Historiani akademik Frashëri nuk i ka lejuar vetes të bëjë përzgjedhje dokumentesh që flasin për temën në fjalë, as të mënjanojë apo të seleksionojë ndonjërën prej tyre duke e paragjykuar vërtetësinë apo autenticitetin e brendisë së dokumentit përmes interpretimit politik, fetar, nacional, apo çfarëdo tjetër interesi. Secilën prej tyre ai e ka sjellë në formën origjinale arkivore, në të shumtën rasteve me përkthimin e plotë në gjuhën shqipe, pak herë i përkthyer me shkurtime (duke i kapërcyer fragmentet, që nuk bëjnë fjalë për temën), ndërsa për pak syresh ka mjaftuar vetëm një përmbledhje (regest) në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e dokumenteve botohen në përkthimin shqip për herë të parë. Për çdo dokument është shënuar burimi ku ndodhet.
Ribotimi i sotëm me plotësime dhe redaktime i monografisë (2018) dhe i pajisur kësaj radhe me vargun prej nëntë vëllimesh të burimeve historike dokumentare që kemi në dorë, gjithsej pra dhjetë vëllime, del në dritën e aktiviteteve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me rastin e Vitit Jubilar të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1468-2018). Përsëri ishte përkujdesja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që vepra e plotë e lënë nga historiani Kristo Frashëri mbi veprën dhe jetën e Skënderbeut (vëllimi I), e shoqëruar ajo me serinë prej nëntë vëllimesh me titull të përbashkët “Lufta shqiptare-osmane në shek.15. Burime dokumentare”, të gjente e plotë dritën e botimit. Të dhjetë vëllimet janë renditur në këtë mënyrë:
Vëll. 1 Monografia”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405-1468)”
Vëll. 2 Burime Dokumentare Shqiptare: 91 akte kancelareske+2 burime tregimtare.
Vëll. 3 Burime Kancelareske Perëndimore 1407-1442: 70 dokumente.
Vëll. 4 Burime Kancelareske Perëndimore 1443- 1450: 62 dokumente.
Vëll. 5 Burime Kancelareske Perëndimore 1451- 1456: 126 dokumente.
Vëll. 6 Burime Kancelareske Perëndimore 1457 – 1459: 90 dokumente.
Vëll. 7 Burime Kancelareske Perëndimore 1460 – 1464: 182 dokumente
Vëll. 8 Burime kancelareske perëndimore 1464-1497: 163 dokumente+1 shtojcë
Vëll. 9 Burime Osmane: 21 dokumente
Vëll. 10 Burime tregimtare euro bizantine shek 15: 21 dokumente


2. Së pari duhet nënvizuar, se vetë autori i pati bërë gjatë viteve 2002-2016, disa përpunime monografisë së tij të botuar në vitin 2002, të tilla si shtesën e parathënies duke e aktualizuar me reagimet shkencore dhe publicistike që pasuan botimin e atëhershëm të saj; po ashtu në shtimin e dy kapitujve (Kreu III me titull “Bujarët mesjetarë shqiptarë” dhe Kreun VI me titullin “Çështja e dorëzimit peng të Skënderbeut”). Nga ana jonë janë bërë në monografi disa shtesa dhe pak plotësime në anën tekstore dhe ilustruese të saj, të cilat ishin lënë prej autorit në formë shënimesh anësore përmbi dorëshkrimet e tij, por edhe shprehur gjatë bisedave dhe diskutimeve të ngushta në tavolinën e punës së tij, të cilat i pata mbajtur shënim herëpashere; edhe për arsyen, pasi im Atë në vitet e fundit, siç dihet, e pat humbur shikimin. Këto plotësime dhe shtesa jam përpjekur t’i pasqyroj në rolin e redaktorit shkencor. Gjithashtu nënvizojmë, se dokumentacioni i paraqitur në nëntë vëllimet shoqëruese të monografisë, është mbledhur, vlerësuar, radhitur dhe përgatitur për botim, si koncept dhe si grupim në kriterin kronologjik, nga vetë akademiku Frashëri, rezultat i një pune shumëdekadëshe mbi temën skënderbegiane, e cila është e njohur dhe e prekshme nga kushdo, mjafton t’i hedhë një sy bibliografisë së tij 70 vjeçare (shih faqen në: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Biblioteka Shkencore, Katalogu Elektronik, Bibliografitë shkencore online: Bibliografia e akademikut Kristo Frashëri, ose: ëëë.al.cobiss.net/bibliorafije/Y20181114063548-00728.html).
Një pjesë e mirë e burimeve dokumentare (letrat, kronikat, etj.) janë sjellë me tekst të plotë në origjinal dhe të përkthyer plotësisht në gjuhën shqipe. Në disa raste, dokumenti i është sjellë këtu lexuesit në origjinal të plotë, por përkthyer me shkurtime. Në një pjesë tjetër të tyre janë lënë mënjanë pasazhe apo paragrafë nga dokumenti origjinal, të cilat nuk kanë lidhje me tematikën. Nga dora e akademikut është bërë edhe klasifikimi dhe titullimi i tërë dokumentacionit të ndarë në nëntë vëllime, i hartuar prej tij në formë drafti dhe i lënë në gjendjen e dosjeve me dorëshkrime. Ndërhyrja jonë redaksionale në dosjet me dorëshkrime është kufizuar vetëm në përpunimin e materialit të mbledhur dhe të titulluar (rubrikuar), në ndonjë rast të paqenësishëm por të rekomanduar prej tij.
3. Në mungesë të autorit, udhëheqja dhe redaktimi shkencor i veprës dhjetë vëllimshme që kemi tashmë të botuar, është kryer prej meje. Ndihmesë me vërejtjet e saj në fazën e parë të redaktimit për disa burime dokumentare ka dhënë edhe historiania Prof. Dr. Zana Frashëri-Lito. Ndërsa për realizimin e të gjithë spektrit tekniko- shkencor të vargut dhjetë libror, mbi veprën dhe jetën e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe epokës së tij, duhet sjellë këtu edhe kontributi i disa punonjësve të “Qendrës Frashëri” Tiranë. Punë tepër e çmuar e këmbëngulëse është bërë nga Redaksia Teknike nën drejtimin e Dr. Antonia Schütz-Frashëri (Fondacioni “Qendra Frashëri”), në organizimin, realizimin dhe përpunimin tekniko-shkencor të monografisë dhe të nëntë vëllimeve me dokumente, të qëmtimit identifikues dhe radhimit në kompjuter një për një të dokumenteve, të redaktimit të bibliografisë dhe të referencave, të faqosjes (lay-out) së tyre, përpunimit grafik të tekstit, të ilustrimeve dhe kopertinave.
Një pjesë e madhe e dokumenteve origjinale në gjuhën latine, osmane, bizantine, etj. dhe përkthimi i tyre në gjuhën shqipe është marrë direkt nga autorët profesionistë që i kanë hulumtuar dhe botuar ato më parë, si Fan Noli, Selami Pulaha, Koço Bozhori, etj., apo nga grupi i autorëve, përkthimet e të cilëve ndodhen në dorëshkrim apo të daktilografuara në Arkivat e institucioneve shtetërore, etj., kontribute të cilat janë treguar me korrektesë në serinë e dokumenteve. Gjithashtu, përkthime nga latinishtja në shqip që botohen këtu për herë të parë, janë akte të botuara prej J. Radoniçit, të përkthyera në shqip nga Pashk Gjeçi , përkthime të cilat ndodhen në Arkivin e Institutit të Historisë Tiranë apo në Arkivin e Shtetit (ndërsa origjinale të tyre në dorëshkrim nga përkthyesi ndodhen të sistemuara dekada më parë në dosjet e historianit akademik Kristo Frashëri (pranë Arkivës së “Qendrës Frashëri” Tiranë); ndërsa ato sllavisht nga S. Lazri. Disa akte në latinisht janë përkthyer në shqip ose hartuar me tekst përmbledhës (regest) nga Mrs. Fatjon Balliu; ato nga italishtja mesjetare dhe frëngjishtja prej vetë autorit të veprës Prof. Dr. Kristo Frashëri; ato pak nga gjermanishtja prej Dr. Antonia Schütz-Frashëri, etj.
Së fundmi autori dëshiron të kujtojmë, se koleksioni i mbledhur i burimeve dokumentare në këto vëllime, i vlerësuar, i radhitur dhe i ndarë nën konceptin metodologjik, madje i grupuar edhe nën kriterin kronologjik, nuk është kurrsesi i mjaftueshëm dhe aq më pak shterues, për ndriçimin dokumentar të jetës dhe të veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës heroike të popullit shqiptar në shek. 15 nën udhëheqjen e tij. Ai është i sigurt, se dokumente të tjera do të zbulohen në të ardhmen, të cilat do t’u shtohen atyre tashmë të botuara për herë të parë në këtë format shkencor prej nëntë vëllimesh. Por ai beson se kjo bazë konceptuale dhe ky grupim tematiko-kronologjik i burimeve dokumentare të dhënë prej tij në këto nëntë vëllime, mund të jetë i qëndrueshëm për studimin sistematik shkencor të kësaj teme. Ai shpreson se dokumentet e reja që do të zbulohen, do të ndriçojnë edhe më kthjellët vlerën e veprës kombëtare dhe evropiane të Heroit shqiptar. Ato do të vërtetojnë edhe më qartë, se nuk ishte Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist që e ngriti Gjergj Kastriotin në piedestalin e historisë shekullore, por është madhështia e veprës së Skënderbeut që frymëzoi bashkatdhetarin e vet, të shkruante për atë veprën e pavdekshme – ashtu siç n’a frymëzojnë edhe né burimet dokumentare për njohjen e figurës së lartësuar të Renesancës Europiane, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
4. Sikurse u tha, monografia që po ribotohet, bashku me nëntë vëllimet historike dokumentare janë përgatitur nga vetë autori. Autori u nda nga jeta më 31 Janar 2016 dhe mjerisht sot nuk ndodhet përpara veprës së tij të plotë të botuar, ta shohë ashtu siç e ëndërronte. Kristo Frashëri erdhi në jetë më 1920, tetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë dhe pikërisht në vitin e Kongresit të Lushnjës, atëherë kur, pas pesë shekuj nën Perandorinë Osmane, filloi të organizohej e të mëkëmbej shteti shqiptar i pavarur. Ai lindi në Stamboll në mjedisin e njërës prej familjeve të mirënjohura të Frashërllinjve, pjesëmarrëse në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe me pinjollë veprimtarë dhe sponzorues të Lidhjes së Prizrenit. Ai ishte djali i parë i atdhetarit dhe publicistit rilindas Anastas Josif Frashërit dhe nënës Evdhoksia Tole, gjithashtu edhe ajo prej një familjeje të njohur patriotike nga Ogreni i Dangëllisë të mërguar në Stamboll. I ati i Kristos erdhi i pari nga mërgimi në Tiranë më 1924 me qeverinë e Nolit, ndërsa familja e tij bashkë me Kriston u riatdhesua në Tiranë më 1927. Në Tiranë, Kristo përfundoi Gjimnazin më 1939.
Në fëmijëri ai u rrit me preokupimin familjar të asaj kohe – “për të bërë Shqipërinë”. Në vitet pas Shpalljes së Pavarësisë doli në plan të parë detyra patriotike dhe mundësia reale, qe historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, aq e munguar deriatëhere prej shekujsh, të shkruhej nga vetë shqiptarët, ashtu siç kishin filluar t’a skiconin Rilindasit tanë. Doja të thoja, se nuk ishte rastësi, që ai qysh fëmijë u nxit duke u mbuluar me dashurinë atërore, që të zgjidhte profesionin e historianit për të kryer këtë detyrë, aq të domosdoshme për mbijetesën qytetare që kishte në ato dekada vendi ynë. Koha tregoi se përkushtimi për historinë u bë frymëzimi i jetës dhe puna e palodhur e tij.
Me gjithë vështirësitë politike që i nxorri jeta dhe realiteti i viteve ’40 të shekullit të kaluar, në sajë të punës së tij këmbëngulëse përmes studimeve historike që paraqiti në fillimet e viteve ’50 dhe me përkrahjen e historianit Aleks Buda, ia doli të rreshtohej në frontin e institucioneve shkencore të vendit për studimet historike. Nuk ka qenë vetëm një herë, që kam dëgjuar prej tim Eti në bisedat familjare të mbrëmjeve të vona, pengun e madh të tij – atë që i Ati i tij Anastasi, vdekur më 1958, nuk kishte arritur të shihte të botuar historinë e parë të plotë akademike të Shqipërisë në dy vëllime më 1959 dhe 1965, ku Kristo kishte shkruar si autor, pjesën e historisë mesjetare dhe të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Madje nuk arriti t’i tregonte të Atit, as edhe të parën “Sintezë mbi Historinë e Shqipërisë” që botoi si autor i vetëm në tre gjuhë, më 1964.
Vijon

* Udhëheqës dhe redaktor shkencor

Tiranë, Prill 2019


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to iliri Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.