DOSSIER

Kur dasitë fetare pengonin “krijimin” e Shqipërisë

18:50 - 10.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dr Dorian Koçi* – Ndryshimet e identitetit kolektiv të shqiptarëve nga periudha e fundit e sovranitetit osman mbi Shqipërinë, në atë të mbretërisë shqiptare dhe në periudhën e komunizmit janë të trajtuar sipërfaqshëm duke i dhënë rëndësi një faktori social ose një tjetri dhe jo duke i trajtuar si një tërësi faktorësh të rëndësishëm socialë që krijuan sinergjinë e nevojshme për të gdhendur identitetin kulturor e kombëtar shqiptar. Mjafton të përmendim faktin se identitetit fetar të shqiptarëve i është dhënë një rëndësi më e madhe duke analizuar detaje të ndryshme kulturore të lidhur me të dhe duke vendosur Shqipërinë e shqiptarët në harta imagjinare të ndarjeve sipas diskursit orientalist. Së bashku me analizat e identitetit fetar janë marrë apriori dhe karakteristikat e përshkrimit të qytetërimit oriental për Shqipërinë dhe shqiptarët nga tekste klasike të letërsisë së udhëtimit të prodhuara nga udhëtarë e diplomatë të huaj aktivë në rajon. Këto tekste janë analizuar qartë nga Edëard Said në veprën e tij “Orientalizmi”(1978), Maria Todorova në “Imagining the Balkans” (1998) dhe Vesna Goldsworth në “Imaging Ruritania. The Imperialism of the Imagination”(1998) si tekste që kanë prodhuar imazh dhe perceptime të gabuara për sa i përket realitetit dhe situatës kulturore e etnike në terren.




Ndarjes klasike Lindje-Perëndim të pushteteve politike të perandorive të nisur që nga vija ndarëse e Teodosit në territoret shqiptare do t’i mbivendosej edhe një ndarje tjetër paragjykuese nga ana europianëve kundrejt shqiptarëve, pasi në shekullin e XVII pjesa më e madhe e popullsisë të shqiptarëve do të islamizohej. Çështja Lindore që hyri në fjalorin politik të kontinentit mendohet gabimisht se lindi në shekullin e XIX kur Perandoria Otomane lëngonte dhe ishte emërtuar si “I sëmuri i Bosforit”. Në fakt, Çështja Lindore kishte filluar shumë më herët që nga momenti që osmanët vunë këmbë për herë të parë në Ballkan. Aleancat e ndryshme europiane që ishin krijuar përgjatë shekujve të XV e në vazhdim, pjesa më e madhe të mbështetura nga Vatikani dhe Papa i Romës në thelb kërkonin largimin e otomanëve nga Ballkani dhe krijimin e një hapësire të krishterë që do të përfshinte gjithë Ballkanin.

IDENTITETET FETARE
Për sa kohë shqiptarët ashtu si dhe popullsitë e tjera të Europës Juglindore ishin nën çatinë e Perandorive kishin përqafuar shpesh herë identitete që përcaktoheshin nga besimi fetar, gjuha dhe afërsia territoriale. Përqafimi i nacionalizmit si rrymë mendimi shtetformuese dhe hyrja në procesin e urbanizimit e evropianizimit të Perandorisë Otomane, në fakt, ngjallën dhe dilemën e identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Një koncept i ri ishte natyrisht ndërtimi i shtetit komb nën idetë e nacionalizmit, i cili në Ballkan nuk erdhi si rezultat i industrializimit, por si rezultat i moszhvillimit ose të modernizmit të pa barabartë midis Ballkanit dhe krahinave të tjera të Perandorisë. Modernizimi i pabarabartë midis këtyre pjesëve të Perandorisë ishte rezultat i prapambetjes ekonomike të Perandorisë Otomane dhe afërsisë së Ballkanit me Perëndimin. Idetë nacionaliste penetruan në fillim tek ato zona dhe grupe të cilat kishin kontakt të ngushtë me Evropën Perëndimore ose Qendrore. (Neophytos G. Loizides “Religion and Nationalism in the Balkans”). Në literaturën dhe studimet moderne ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi marrëdhëniet e nacionalizmit me besimin fetar, të cilat i shikojnë ato si alternativa të njëra-tjetrës ose të lidhura shumë ngushtë organikisht mes tyre.(Benedict Anderson, Imagined Communities). Pikëpamja e parë konsiston në faktin se si krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit, zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë, ndërsa pikëpamja e dytë sugjeron idenë se besimi fetar luajti një rol kryesor në formimin e kombeve modernë. Studiuesi Miroslav Hroach e njohu nevojën për lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin e grupeve patriotike në Europë. (Miroslav Hroch, “The nature of the Nation”).

RASTI SHQIPTAR DHE FETË
Rasti shqiptar është një përzierje e dy pikëpamjeve të mësipërme pasi në pamundësi për të krijuar një publik të gjerë të masave të lexuesve, rolin e udhëheqësve të grupeve të mëdha e luajtën prijësit, një elitë e shkolluar e me aktivitet ekonomik në qendra të tilla si Bukuresht, Sofie, Stamboll, Kajro, Aleksandri etj. dhe prijësit fetarë. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë.
“Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të privilegjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Për këtë arsye pyetja që shtrohej në prag të zgjimit kombëtar të shqiptarëve e në vazhdimësi ishte se çdo të ndodhte me shqiptarët e besimit mysliman kur të tërhiqeshin osmanët?

TËRHEQJA OSMANE,
ISLAMI E SHQIPTARËT
I pari që e shprehu këtë shqetësim ishte publicisti Faik Konica, i cili në një artikull të vet qysh në prag të shpalljes së pavarësisë “drejtuar vetëm myslimanëve vinte në dukje se për ata po afrohej një rrezik iminent” (Skëndi,2000:359). Më tej Konica shtonte se “ishte i sigurtë se otomanët do të dëboheshin prej Evropës dhe shqiptarët myslimanë rrezikonin kështu të përziheshin dhe ata dhe vendi i tyre të ndahej” (Po aty:359). Prandaj sipas Konicës “kishte vetëm dy zgjidhje për bashkëfetarët e tij: ose të ktheheshin në fenë e stërgjyshërve të tyre, domethënë të bëheshin të krishterë, ose të mbeteshin myslimanë, por të ishin aq të afërt dhe sinqerisht të bashkuar me të krishterët, sa t’i jepnin kombit një karakter semi-kristian” (Po aty:359). Më andej Konica vazhdonte të këshillonte se “përderisa rikonversioni nuk mund të bëhej, shqiptarët mund ta mbanin fenë Islame, por në të njëjtën kohë të largoheshin nga e keqja politike që vinte prej saj: identifikimi nga të huajt i shqiptarit mysliman me turkun” (Po aty:359-360). Ndoshta Konica ekzagjeronte pakëz kur kërkonte që kombit t’i jepej një “karakter semi-kristian” pasi ndoshta nuk ishte e nevojshme të shkohej deri në atë pikë dhe as vetë popullsia myslimane nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë, por që ishte e nevojshme një ri-rregullim i ri në raportet mes myslimanëve dhe të krishterëve, kjo patjetër që s’kishte diskutim.
Njeriu shqiptar i periudhës së Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve shpesh herë është parë si një qenie amorfe që nuk mundi të përqafojë idenë kombëtare dhe zgjimin e vet nacionalist përkarshi identitetit kolektiv otoman. Ky përfundim i faturohet më tepër përkatësisë fetare të shqiptarëve dhe nuk është parë si një zhvillim tërësor i jetës urbane ku jetonte njeriu shqiptar i tyre kohërave. Duhet pranuar se për sa kohë mikrokozmosi i vogël urban shqiptar ishte i përfshirë në makrokozmosin e madh perandorak osman, dallimet apo veçantitë nuk përbënin shkaqe thelbësore për kundërvënie pasi faza e integrimit të elitave shqiptare në hierarkitë kulturore e shtetformuese osmane ishte e nivelit të lartë. Kundërshtitë zënë fill e dallohen në periudhën e fundit të Pashallëqeve Shqiptare kur elita politike e tyre kërkon të ruajë statusin e trashëgimisë së pushtetit brenda familjes dhe krijimin e dinastive të trashëgueshme shqiptare. Sipas Tajar Zavalanit një nga studiuesit e hershëm të nacionalizmit shqiptar ata( Ali Pasha Tepelena dhe Bushatlliu) bënë të mundur të bashkojnë për dekada me radhë pjesë të konsiderueshme të vendit nën një administratë të përbashkët, të nënshtronin partikularizmin e një numri të shumtë të feudalëve lokalë, të organizonin klane nga besime të ndryshme fetare për të bashkëpunuar në kohë paqeje dhe lufte mes tyre. Edhe pse përdornin metoda të ndryshme, të dy, Aliu dhe Bushatlliu i mësuan bashkëpatriotet e tyre avantazhet e një qeverie të centralizuar, dhe duke udhëhequr myslimanët në beteja kundër Sulltanit Kalif ata shkatërruan me sukses besimin se çdo mysliman ishte një turk me interesat e përfaqësuara më mirë nga Porta e Lartë. Solidariteti lokal përtej niveleve klanore u shfaq në Shqipëri nën udhëheqjen e tyre. Ky precedent, ndonëse ishte i një rëndësie të përkohshme për kohën, u bë e rëndësishme një gjysmë shekulli më vonë kur Ali Pasha dhe Bushatllinjtë u bënë heronj në sytë e nacionalistëve shqiptarë, të cilët i panë përpjekjet e tyre si manifestime të hershme të nacionalizmit.
Kjo përpjekje e elitës politike shqiptare të Pashallëqeve konsiston së bashku me fazat evoluative të modernizimit të shtetit osman dhe shoqërisë osmane, ku elita e shqiptarëve si një popullsi e integruar janë aktorë dhe faktorë të drejtë për së drejtë në këto procese. Mëdyshja dhe dilema që do të ndjejë elita shqiptare për të vazhduar bashkëjetesën me osmanët apo për t’u shkëputur plotësisht prej tyre reflektonin pikërisht perceptimin e së nesërmes së pasigurtë të shumicës së popullsisë shqiptare me besim mysliman në një Europë që mund t’i perceptonte dhe ndjente si mish i huaj. Rastet e pastrimeve etnike të ndërmarra nga Serbia në Vranjë, Rusia në Kaukaz etj. të bazuara në besimin fetar ishin të freskëta në memorjen e tyre përderisa dhe një pjesë e muhaxhirëve qenë vendosur edhe në Shqipëri. Në momentin kur një pjesë e prijësve shqiptarë, udhëheqës dhe formulues të nacionalizmit shqiptar marrin siguri nga diplomacia e Fuqive të Mëdha se do të ishte i pranueshëm një shtet shqiptar i bazuar në solidaritetin e gjuhës e kulturës përmbi solidaritetet fetare, atëherë dhe dilemat e tyre nuk janë më të mëdha. Madje ata e kapërcejnë vetveten kur propozojnë që për Mbret të Shqipërisë të zgjidhet një europian i krishterë duke refuzuar Princin Fuad nga dinastia shqiptare e Egjiptit.

Periudha e Luftës së Madhe në Shqipëri paradoksialisht nga sa është shkruar si një periudhë pushtimi krijoi përmasat e futjes së territorit shqiptar në një stad zhvillimi dhe urbanizimi. Pikësëpari u hodhën themelet për një rrjet arsimor në gjuhën shqipe çka solli në shpërhapjen dhe forcimin e ndjenjës kombëtare tek të gjithë shtresat e shoqërisë. Administrimi i zonave të pushtimit me bilance të sakta taksash, marrëdhënie tregtie importi-eksporti dhe shpenzimi këtyre të ardhurave për vepra publike si kanalizime-bonifikime, ndërtime spitalesh, godinash administrative etj. perceptuan dhe rritën imazhin e një shteti efikas në sytë e shqiptarëve. Modelimi i njeriut shqiptar u kërkua të jetë sa më pranë njeriut në Europë edhe pse ndaj Europës kishte pakënaqësi për sa i përket sjelljes politike të Fuqive të Mëdha që kishin copëzuar territoret shqiptare. Kjo tendencë modernizimi do të vazhdonte të ishte dominuese në gjithë aspektin politik e social të ndërtimit të shtetit shqiptar nga viti 1920-1939. Mirëpo ky modernizim që do të dominojë në gjithë diskursin publik në vitet 30′ do të kishte dhe një kosto tjetër që reflektonte refuzimin dhe mosvlerësimin nga pikëpamja historike e periudhës osmane nga elita shqiptare e kohës. Ky proces që kishte filluar edhe në shtetet e tjera ballkanikë sapo ishin pavarësuar solli humbjen e një sërë dokumentesh, veprash letrare, vepra publike që do të mund të shërbenin si dokumente të rëndësishme për të kuptuar evolucionin e shoqërisë shqiptare nga shoqëri e nuklesit osman në shekujt XVI-XVII në atë moderne. Fermentimi ideologjik i ideve të reja ishin idetë e publicistit dhe filozofit Ismet Toto, i cili duke ëndërruar një Shqipëri oksidentale kërkonte ta vinte në jetë përmes konceptit të “diktaturës së ndritur”, të mishëruar në personalitetin e një njeriu të madh si rasti i Ataturkut në Turqi apo dhe Mussolinit në Itali. Ja se çfarë shkruante ai në vitin 1931 në Gazetën “Ora” të Kostë Çekrezit: Me fjalën njerëz të mplakur”, shkruan Ismet Toto, “na s’kemi ndërmend njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë rindërtimin e vendit tonë…”
Përplasja në rrafshin social, në fakt, ishte një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në mesjetë të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga politikanët e brezit të ri. Ky individualizëm idealist shkonte deri në sakrificën vetëmohuese të dhënies së jetës. Sërish në të njëjtin artikull, Ismet Toto shkruan se:
“Na helmojmë mendjen dhe shpirtin e djalërisë? Na jemi të rrezikshëm për avenirin dhe ekzistencën e kombit? Na jemi ata, për të cilët, qeveria duhet të marrë masa? Në qoftë se njerëzit e “Besës” kërkojnë polemika noteriale, që të na njohin të drejtën të flasim si djalëri, na do t’u themi atë që s’kanë mundur dhe kurrë s’do të munden të kuptojnë: Zemra dhe shpirti është gjithë ç’kemi për ndërgjegjen e kombit arbëror; na kemi vendosur të sakrifikojmë me buzëqeshje të vetmen pasuri: Jetën tonë”.

ATEIZMI
Goditjen e dytë shoqëria shqiptare do ta pësonte në vitet e shpalljes së ateizmit ku një element i rëndësishëm i sferës publike shpirtërore si besimi fetar do të ndalohej. Përpara kësaj në mënyrë gati religjioze komunistët që kishin ardhur në fuqi në vitit 1944 kishin ndërtuar eksperimentin sociologjik të quajtur Njeriu i Ri. Një nga objektivat kryesore të kulturës së shtetit socialist shqiptar e lidhur ngushtë me doktrinën e Realizmit Socialist ishte krijimi i Njeriut të Ri, një term i huazuar nga kultura sovjetike e që për më tepër se tridhjetë vjet mbizotëroi në ligjërimin publik shqiptar. Në revistën ‘Rruga e Partisë” që ishte një botim i Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste në artikullin “Probleme të zhvillimit të kulturës sonë socialiste” të autorit Ismail Hoxha, shkruhej se baza ideologjike e kulturës sonë socialiste ka qenë dhe është rruga marksiste-leniniste e partisë sonë, e mbi këtë bazë, kultura jonë duhet të ndihmojë përherë dhe me efikasitet të lartë dhe pa ndërprerje: së pari, në formimin shumëdimensional të njeriut të ri dhe të shoqërisë sonë të re, duke i brumosur ata me ideale të thella e me bindje marksiste leniniste, me veti të larta morale dhe me një horizont të gjerë kulturor dhe një botë kulturore të pasur.(Nikolla.P.A. Njeriu i Ri shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit. Onufri. Tiranë: 2012, fq. 66). Në këtë mënyrë kultura socialiste ishte një kulturë që mbartte brenda vetes misionin mesianik të shpëtimit të njeriut dhe brumosjes së tij me idealet e marksizëm-leninizmit duke krijuar premisa krejt të kundërta nga atë çka kultura në vetvete përfaqëson sipas Branislavë Malinovski se kultura është ajo tërësi integrale që konsiston në mjete, sende të konsumit, në normat e së drejtës për grupe të ndryshme sociale, në idetë dhe mjeshtëritë njerëzore, në besime e zakone. Në regjimin komunist ishte tentuar që besimet e zakonet e rrënjosura prej kohësh të shfuqizoheshin në shërbim të idealit epruvetë të Njeriut të Ri. Në mënyrë të paprecedentë ishte ndërprerë edhe lidhja me kulturën e mëparshme shqiptare pasi ashtu si lindja nga një familje proletare, siguronte një pozicion të privilegjuar në hierarkinë sociale post revolucionare, i njëjti kriter ishte i vlefshëm edhe për shkrimtarët e së shkuarës.(Nikolla.P.A. Njeriu i Ri shqiptar). Kjo shkëputje dhe ndërprerje me traditën kishte sjellë konceptimin e artit dhe kulturës si një instrument të vënë në shërbim të ideologjisë. Arti vihet në shërbim të masave të gjera popullore dhe shndërrohet në një armë të fuqishme të edukimit estetik, të edukimit komunist, të përhapjes në shoqëri të idealeve më të larta social-estetike, të idealeve komuniste. (Uçi.A.Estetika).

NJERIU I RI
Duke qenë njëherë viktima të një inxhinierie sociale që na shkatërroi rëndë, sepse kthimi jonë nga Njeriu i Ri i socializmit real në homosapiensin normal u shoqërua me trauma, efektet e të cilave i shikojmë përditë rreth e rrotull, do të jetë shumë e vështirë që të ndërtojmë apo të marrim hua një identitet tjetër. Nëse ekzistenca dhe mbijetesa e shtetit shqiptar të vitit 1913 ka pushuar së qeni një eksperiment sociologjik, dhe është tashmë një realitet atëherë suksesin nuk duhet ta shikojmë në tipin e këshillave koniciane për të përqasur identitete, por në diversitetin e këtyre identiteteve.
Shoqëria e sotshme shqiptare pas një rrugëtimi të gjatë të integrimit të kulturave, si rezultat i identiteteve të ndryshme fetare, është çka Evropa ka propaganduar dhe kërkuar të jetë shoqëria e saj në të ardhmen. Krisma e armës që vrau arkidukën Ferdinand në Sarajevë më 1914, prishi përgjithmonë dhe Bosnjën idilike të Ivo Andricit dhe statuskuo-në fallco të harmonisë midis identiteteve fetare që s’e ndjenin veten një komb. Fatmirësisht shqiptarët kanë zgjedhur që të ndihen si komb dhe pastaj të identifikohen si identitete fetare dhe kjo prirje moderniste e tyre ka treguar se ka qenë zgjedhja më e mirë që kanë bërë ndonjëherë.
* Titujt janë të redaksisë, titulli origjinal “Shtegtimi i formësimit të identitetit shqiptar”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.