MILOSAO

Ja çfarë përmban çdo vëllim i dokumenteve të Skënderbeut!

18:45 - 12.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gjergj Kristo Frashëri* – Jam i sigurt, se Ikona e të Atit të vet – ishte identifikuar për Kriston me simbolin e Atdheut. Ajo e ndoqi atë deri në frymëmarrjen e fundit – në formën e një energjie të palodhur dhe të pashtershme për të punuar, për të hapur dritare të mëdha e të vogla të murosura dhe të padukshme në ndërtesën e historisë së Shqipërisë. Kjo ikonë e ndoqi atë edhe në moralin e ndershmërisë së punës së tij. Njeriut të punës nuk i mjafton jeta, të realizojë të gjithë atë që ka ëndërruar dhe dashur. Në javët e fundit të jetës së tij, në moshë 96 vjeçare, im Atë m’ë pyeste në mënyrë të përsëritur, pikërisht si një fëmijë naiv, në se e kishte plotësuar disi detyrën, që i Ati i kishte dhënë qysh fëmijë, në se kishte bërë mjaftueshëm për të ndriçuar historinë e vendit dhe të shqiptarëve në Ballkan! Priti me durim deri në fund të jetës një bekim nga i Ati – i personifikuar me Atdheun – dhe Përgjigjen prej tij – se a mund të kishte bërë më shumë për detyrën që i dha qysh në rini?




M’ë mbeti mua t’i përgjigjesha, se im Atë Kristo Frashëri u rrit si historian kombëtar dhe u fik si një fëmijë shëmbëllor me detyrën e kryer ndaj Atdheut!
Në faqet e bibliografisë së tij tejembanë Historisë së Shqipërisë, duket sheshit, se trajtimi i veprës së popullit dhe të kombit shqiptar në shek. 15 nën udhëheqjen e Skënderbeut është epiqendra e tematikës, ku historiani Kristo Frashëri vendosi qysh në rini, qiriun e tij. M’ë duket domethënëse dhe e rastit të ardhur, t’i tregoj lexuesit, se në raftet e arkivit të tij gjendet një monografi e hartuar prej tij mbi Skënderbeun e shkruar në vitet 1935-36, pra kur ai ishte 15-16 vjeç, nxënës në Gjimnazin e Tiranës. Ajo është e shtypur nga ai vetë në atë kohë, me makinën e daktilografimit të të atit të tij, patriotit Anastas Frashëri. M’ë pati treguar, se e kishte ndërmarrë atë iniciativë për t’a shkruar jo si detyrë shkolle, por për të provuar veten duke punuar në kohën e lirë, për t’ia treguar profesorit të tij të historisë në gjimnaz, se donte të bëhej historian i Shqipërisë në të ardhmen.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu – për Kristo Frashërin dhe për paraardhësit e familjes së tij, ka qenë dhe ishte Shqipëria. Këtë e them për t’a siguruar lexuesin të paktën, se gjithçka në këtë botim prej dhjetë vëllimesh (2018) është bërë prej autorit me seriozitetin më të madh, përveç ndershmërisë shëmbëllore qytetare të historianit Kristo Frashëri për të treguar për Skënderbeun – Zotin e Shqiptarëve! Një vepër e plotë monografike mbi veprën dhe jetën e Skënderbeut ka qenë për Kristo Frashërin, qëkurse ishte fëmijë, ëndrra dhe përkushtimi jetës së tij. Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohës sonë të ré që po vjen – theshte – i duhet Skënderbeu përmes dokumentash, jo një Skënderbe i dalë nga përrallat, nuk mjafton as edhe vetëm nga pasioni letrar.

* * *
Le t’i hedhim një sy nëntë vëllimeve me burime dokumentare. Në vëllimin e dytë me titull “Burime Dokumentare Shqiptare” (91 akte kancelareske dhe dy burime tregimtare) janë radhitur kronologjikisht dokumente kancelareske, diplomatike, epistolare, kronikale në origjinalin e tyre në latinisht, italisht, spanjisht, osmanisht, greqishten bizantine, sllavisht dhe në përkthimin shqip, të cilat janë të prodhuara gjatë jetës së Skënderbeut në periudhën qëkur lindi Heroi dhe deri kur ai vdiq. Të shkruar në gjuhë të huaj, ato kanë për autor të atin Gjon Kastriotin, vetë Skënderbeun, ose dikë prej bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë. Janë sjellë gjithashtu edhe kronika të redaktuara pas vdekjes së Skënderbeut, por hartuesit e tyre janë autorë bashkëkohës të Heroit, pra ata nuk janë ndikuar nga M. Barleti dhe nga tregimet e biografëve të tjerë të hershëm të kryekapedanit shqiptar. Në këtë vëllim dokumentet janë në gjuhën latine, në italishten mesjetare dhe sllavisht. Vëllimi ndahet në dy pjesë. Në të parën janë rreshtuar akte kancelarske të tilla si, katërmbëdhjetë akte të Gjon Kastriotit, nga të cilat tre janë diploma që mbajnë nënshkrimin ose vulën e tij (akte juridike), kurse njëmbëdhjetë akte janë nxjerrë nga përgjigjet ose vendimet e Senatit të Sinjorisë; dhjetë letra janë shkresa të nënshkruara prej Skënderbeut; tridhjetenëntë letra të Heroit ende të pagjetura, teksti i të cilave është nxjerrë indirekt, nga përgjigjet që i janë dhënë Skënderbeut ose nga vendimet që janë marrë në bazë të çështjeve të drejtuara në letrat e tij; gjashtë trakte diplomatike, prej të cilave, katër kanë si palë Skënderbeun, kurse dy të tjerat Gjergj Arianitin dhe Lek Dukagjinin; 4 akte financiare të nënshkruara nga Skënderbeu; tre akte hartuar prej ambasadorëve të Skënderbeut; disa akte noteriale me Skënderbeun si palë; një kërkesë e Skënderbeut në kohën kur ishte spahi i administratës osmane; gjashtë dëshmi për veprime ose opinione të Skënderbeut; Kodeksi i Pal Engjëllit; disa akte të natyrave të ndryshme, siç është premtimi i Muzak Topisë për të kontribuar në bonifikimin e kënetës së Durrësit, kërkesa e Manastirit të Trefandenës për të rindërtuar kuvendin e djegur nga osmanët; një kërkesë prej së vesë së Gjergj Arianitit; tre njoftime për vdekjen e Skënderbeut.

Në pjesën e dytë me nëntitull Burime Tregimtare janë përzgjedhur fragmente nga Memoranda e fisnikut shqiptar dhe Despotit të Epirit, Gjon Muzaka (1443-1525), ku flitet për Skënderbeun dhe familjen e tij dhe për Luftën shqiptaro-osmane në shek. 15 (Memoranda ka titull “Historia e Genealogia della Casa Musachia, scritta da Don Giovanni Musachio, Despoto dell’Epiro”, në: Ch. Hopf., “Chroniques Greco-Romanes, inèdites ou peu connues”. Berlin, Ëeidamann, 1873, ff. 270-340). Siç dihet vepra përmban kujtime të diktuara nga Gjon Muzaka më 1510, përpara një noteri në Napoli, të bëra nga fundi i jetës pasi ai kishte emigruar në Itali, si testament për tre djemtë e tij. Memoranda përmban njoftime të hollësishme për familjen Muzaka dhe për fisnikët e tjerë shqiptarë. Njoftimet e Gj. Muzakës hedhin dritë mbi strukturën shoqërore e politike të Shqipërisë në periudhën e epopesë. Për hir të rëndësisë së madhe që ato kanë, albanologu i shquar i shek. XIX Johann George von Hahn, Memorandën e tij e ka quajtur “Perla e dokumentacionit historik shqiptar” .
Gjithashtu, për pasurinë e njoftimeve dhe gjykimeve, është sjellë i plotë këtu edhe Tregimi i Dhimitër Frangu-t (1443-1525), i cili i ka shërbyer Skënderbeut si kryefinancier në vitet e fundit të veprimtarisë së Heroit (Tregimi i Dhimitër Frangu-t, ose siç quhej ai nga të huajt Demetrio Franco, i botuar për herë të parë në variantin italisht më 1539: Comentario delle cose dei Turchi e del Signor Giorgio Scanderbeg. Principe di Epyrro. Bernardino de Bindoni, Venetiis, 1539). Edhe pse është botuar 30 vjet pas veprës madhore të M. Barletit, (1508-1510), mendohet se ajo ka qenë shkruar para saj. Ajo është sjellë këtu në përkthimin shqip. Njoftimet e Dh. Frangu-t hedhin dritë mbi strukturën shoqërore e politike të Shqipërisë në periudhën e epopesë. Pavarësisht se dy veprat e mësipërme rezultojnë formalisht të botuara pas asaj të M. Barletit, historiani Frashëri mendon se autorët e tyre si bashkëkohës të heroit nuk duhet të jenë ndikuar nga vepra madhore e humanistit shkodran.

Në vëllimin e tretë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1407-1442” janë rreshtuar burime të natyrave të tilla si, akte të formuluara nga kancelaritë perëndimore evropiane që i drejtohen kryesisht Gjon Kastriotit, në përgjigje ndaj kërkesave të parashtruara prej tij; akte të Republikës së Venedikut drejtuar përfaqësuesve të Sinjorisë në viset shqiptare, mbi marrëdhëniet e tij me Zotin shqiptar Gjon Kastrioti; akte që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tregtare të Gjon Kastriotit me Republikën e Raguzës¸ letra me kërkesa apo letra informative, akte dhurimi dhe blerjeje, vendime senati, përgjigje letrash, vendime me përmbajtje tregtare, etj. Në këtë vëllim dokumentet gjenden në gjuhën latinishte, italishte mesjetare, sllavishte, greko-bizantine, gjermanisht, frëngjisht të tilla si, një letër ku Gjon Kastrioti kërkon ruajtjen e unitetit historik të Peshkopatës së Arbërisë; përgjigja pozitive e Venedikut për çështjen e kishave të Peshkopatës së Arbërisë; shtatë dokumente mbi përpjekjet e Venedikut për të lidhur paqe me Balshën dhe për të bërë për vete Gjon Kastriotin; dhjetë akte me kërkesa të Gjon Kastriotit drejtuar Venedikut dhe përgjigjet e Republikës së Shën Markut; një akt dhurimi nënshkruar nga Gjon Kastrioti dhe zotër të tjerë shqiptarë; një përgjigje e Venedikut dhënë Bashkësisë së Durrësit; dy vendime të Senatit të Venedikut për t’i dhënë qytetarinë dhe privilegjet Gjon Kastriotit dhe më tej, bijve të tij; një akt i kështjellarit Kastriot të Kaninës ku betohet si mik i Republikës së Raguzës; pesë vendime të Senatit të Venedikut për të emëruar provizorë dhe sindikë në viset e Shqipërisë; vendim për dhënien e provizionit për Gjon Kastriotin; për qeveritarët osmanë që nuk lejojnë zhvillimin e tregtisë me zotin e Cossies; për strehimin e Nikollë Dukagjinit në zotërimet venedikase; tetë letra e akte që provojnë se Venediku nuk përkrahu kryengritjet shqiptare kundër osmanëve dhe se ishte për ruajtjen e paqes me sulltanin osman; shtatë dokumente lidhur me marrëdhëniet tregtare që zhvilloheshin ndërmjet Gjon Kastriotit dhe viseve që ai sundonte me Republikën e Raguzës; gjashtëmbëdhjetë letra me të cilat Raguza njoftonte Sigismundin për fitoret e shqiptarëve në luftë kundër osmanëve dhe gjendja e viseve shqiptare; një vendim i Raguzës për t’i dhënë të drejtat e qytetarisë Gjon Kastriotit; tetë akte të ndryshme të hartuara në Raguzë mbi marrëdhëniet me viset shqiptare, kryesisht me ato nën zotërimin e prijësit shqiptar Gjon Kastrioti; dy akte marrëveshjeje ndërmjet Ballabanbeut, sundimtar i Krujës dhe Raguzës për lëvizje të lirë njerëzish dhe mallrash; dy akte dhurimi dhe blerjeje të Gjon Kastriotit dhe djemve të tij me Manastirin e Hilandarit; shpallja e indulgjencës nga Papa Eugjeni IV për ata që ndihmonin shqiptarët në luftë kundër osmanëve; pesë dokumente osmane që japin të dhëna mbi kalatë dhe qytetet që zotëronte Gjon Kastrioti si dhe për plaçkitjet e kryera në viset shqiptare nga ushtritë osmane nën drejtimin e Ali beut; një akt që flet për administrimin e trashëgimisë së Gjon Kastriotit pas vdekjes së tij. Vërejmë se në këtë vëllim janë përfshirë edhe dy dokumente më të hershme që i takojnë viteve 1368 dhe 1406, për të cilat autori mendon se përmbajtja e tyre ka kontekst historik në plotësimin e njohurive mbi familjen Kastrioti.

Në vëllimin e katërt me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1443- 1450” janë mbledhur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane të këtyre viteve drejtuar kryesisht Gjergj Kastriotit si përgjigje ndaj kërkesave të parashtruara prej tij; si edhe akte nga Republika e Venedikut drejtuar përfaqësuesve të Sinjorisë në viset shqiptare mbi marrëdhëniet e saj me Zotin shqiptar Gjergj Kastrioti; njëri prej tyre i hartuar në qytetin e Krujës nga Heroi shqiptar; akte të tjera mbi marrëdhëniet tregtare të Gjergj Kastriotit me Republikën e Raguzës; njoftime mbi emërime përfaqësuesish, letra informuese mbi zhvillimet politike, letra përgëzimi, përgjigje korrespondencash, vendime senati për çështje tregtare, politike dhe ushtarake etj. Në shumicën dërrmuese dokumentet janë hartuar në gjuhën latine, me përjashtim të ndonjë që është shkruar në italishten mesjetare.
Konkretisht këtu janë radhitur dokumente të tilla si, katërmbëdhjetë akte noteriale të hartuara në Raguzë mbi marrëdhëniet tregtare me viset nën zotërimin e Kastriotëve; një letër përgëzimi që Vladislavi, mbreti i Hungarisë, i dërgon Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe vetë përgjigja që ky i dërgon Vladislavit; një letër drejtuar nga Raguza perandorit gjerman Frederiku II mbi fitoret e Gjergj Aranitit kundër osmanëve; një letër që njofton kthimin e Skënderbeut në Shqipëri dhe marrjen e qytetit të Krujës prej tij; tre akte të dala nga Selia e Shenjtë, dy mbi emërimin e nuncëve apostolikë në viset e Shqipërisë, ndërsa njëra indulgjenca e papës Nikolla V; dy vendime të Senatit të Venedikut ku njihen privilegje dhe qytetaria e Gjergj dhe Stanish Kastriotit; përgjigja e Venedikut për të dërguarit e qytetarëve të Lezhës; njoftimi për vrasjen e Lekë Zaharisë; një vendim i lëshuar nga senati i Venedikut për qytetin e Danjës; shtatë vendime të Raguzës që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e disallojshme të saj me Skënderbeun; tre vendime të Senatit të Venedikut për të përforcuar mbrojtjen e qytetit të Durrësit nga frika e sulmeve nga Skënderbeu; njoftimi për Galeaco Maria Sforza-n mbi disfatën e osmanëve në Shkodër; përgjigja e mbretit Alfonsi V i Aragonës kërkesave të Skënderbeut; tre akte të Sinjorisë në dëm të personit të Skënderbeut dhe të shtetit të tij; katër vendime të Senatit të Venedikut mbi marrëveshjeje paqeje me Skënderbeun; dy njoftime për prapaskenat pas shpine të Venedikut në Shkodër ndaj Skënderbeut; njoftim nga Raguza mbi rrethimin e Krujës prej sulltanit osman; fragment i marrë nga referati i Alain Ducellier, etj.
Në vëllimin e pestë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1451- 1456” janë mbledhur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane drejtuar kryesisht Gjergj Kastriotit si përgjigje ndaj kërkesave që ai u kishte drejtuar atyre, të tilla si aktet e Republikës së Venedikut drejtuar përfaqësuesve të Sinjorisë në viset shqiptare mbi marrëdhëniet e saj me zotin shqiptar Gjergj Kastrioti; raporte zyrtare të tij drejtuar Papës Nikolla V; letra midis Skënderbeut me mbretin Alfonsi V, si dhe me Dukën e Milanos; një akt i hartuar në qytetin e Krujës nga Heroi shqiptar; akte të Republikës së Raguzës mbi marrëdhëniet me Gjergj Kastriotin; gjithashtu vendime senati për çështje të ndryshme, korrespondenca, akte noteriale dhe tregtare, letra përgëzimi mbi fitoret kundër forcave osmane, njoftime mbi luftimet ne terren midis forcave osmane dhe atyre shqiptare etj. Dokumentet janë hartuar në gjuhën latine, në italishten mesjetare, në spanjisht, dhe ndonjë në serbisht.

Konkretisht në këtë vëllim janë radhitur dokumente të tilla si, raporti i Gjon Gazullit drejtuar papës Nikolla I; tridhjetë e tetë letra komunikimi ndërmjet mbretit Alfonsi V dhe Skënderbeut mbi çështje të bashkëpunimit të tyre në luftë kundër forcave osmane; një letër e Francisc Filelfit drejtuar Karlit VII ku vlerësohet Arianit Komneni; dy letra të papës Nikolla V për mbledhjen e fondeve në ndihmë të luftës së Skënderbeut; tre akte të Venedikut që tregojnë vështirësitë financiare të Sinjorisë në qeverisjen e qyteteve shqiptare nën zotërimin e saj; dy vendime të Senatit të Venedikut që autorizon Kolegjin të trajtojë çështje të Skënderbeut dhe të princërve shqiptarë; pesë korrespondenca midis Dukës së Milanos dhe Skënderbeut; dhjetë vendime të ndryshme të Venedikut në lidhje me zotërimet e saj në viset shqiptare; një letër e Alfonsit V drejtuar princit të Tarantit për të mirëpritur shqiptarët e emigruar prej terrorit osman; gjashtë vendime të Raguzës mbi marrëdhëniet me Skënderbeun; dy akte të papës Nikolla V mbi peshkopin Pal Dushi si ndërmjetës pajtimi ndërmjet Skënderbeut dhe Dukagjinëve; Papa Nikolla shprehet i lumtur për arritjen e miqësisë ndërmjet Dukagjinëve dhe Skënderbeut; vendim i Sinjorisë për të shpërblyer Skënderbeun për ndihmën e tij ushtarake; përgëzimi i Raguzës ndaj Skënderbeut për luftën e tij ndaj osmanëve; dy vendime të Venedikut për të emëruar provizorë në viset shqiptare; Skënderbeu ofrohet si ndërmjetës pajtimi ndërmjet Venedikut dhe despotit të Serbisë; kërkesë e Skënderbeut drejtuar Raguzës për mbështetje financiare; vendim i Sinjorisë për provizorin e saj të Lezhës që të shoqërojë Skënderbeun gjatë udhëtimit të tij në Itali; vendim i Papës Nikolla për të ndihmuar financiarisht luftën e Skënderbeut; tetë akte mbi marrëdhëniet midis Venedikut dhe Skënderbeut; një memorial i Alfonsit V për strategjinë kundër osmanëve; katër akte mbi vështirësitë e Skënderbeut për të marrë provizionin vjetor të caktuar nga Venediku; pesë njoftime mbi disfatën e Beratit; katër akte mbi dërgimin e kontit Picinino në viset shqiptare; njoftim mbi pushtimin e viseve shqiptare nga forcat osmane; letër e Alfonsit V drejtuar Papës mbi bashkëpunimin e Venedikut me osmanët; tre njoftime mbi luftimet shqiptaro-osmane dhe dërgimin e forcave të përzgjedhura osmane kundër Skënderbeut; lajmërimi mbi vrasjen e zotit të Danjës dhe pushtimi i saj nga Lekë Dukagjini; Alfonsi V indinjohet nga sekuestrimi prej Venedikut i anijeve me kripë drejtuar Skënderbeut; njoftim i Skënderbeut drejtuar kardinalit Kapranika lidhur me përgatitjet e tij kundër forcave osmane; tre letra të papës që përgëzon fitoret kundër osmanëve; një plan-projekt i Karamanit për të dëbuar sulltanin nga viset e Greqisë; njoftim mbi dukën Stefan që përpiqet të kthejë të krishterët në favor të sulltanit; vendim gjyqi që dënon Bartolamuesin për mospagimin e provizionit Skënderbeut; njoftim i Dogjit të Venedikut për rënien e Serbisë në duart e osmanëve.
Në vëllimin e gjashtë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1457 – 1460” janë rradhitur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane të këtyre viteve drejtuar kryesisht Gjergj Kastriotit si përgjigje ndaj kërkesave që ai u kishte drejtuar më parë; akte te ndryshme mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me Sinjorinë e Venedikut, me mbretin Alfons të Napolit si dhe një sërë letrash të papa Kalistit III me të dhëna të pasura mbi Skënderbeun dhe situatën në tokat shqiptare; gjithashtu përfshihen njoftime mbi zhvillimet në terren të luftërave shqiptaro-osmane, akte paqeje, akte financiare dhe tregtare. Dokumentet janë hartuar në gjuhën latine, në italishten mesjetare, në spanjisht, ndonjë në serbisht.

Konkretisht në këtë vëllim gjenden dokumente si, njëmbëdhjetë akte ku mësohet mbi marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë së Venedikut, një dokument për marrëdhëniet ndërmjet Alfonsit dhe Skënderbeut; tetëmbëdhjetë letra të papës Kalisti III mbi luftën mbrojtëse që po bën Skënderbeu kundra osmanëve, për ndihmat ushtarake dhe përgëzimet e papës për Heroin; akti i njohjes së privilegjeve të reja dhe të vjetra qytetit dhe qytetarëve të Krujës nga Alfonsi V; dhjetë njoftime mbi luftimet e shqiptarëve dhe fitoret e tyre nën udhëheqjen e Skënderbeut kundra osmaneve; bula papale e Piut II kundër Dukagjinëve kundërshtarë të Skënderbeut; akti i paqes ndërmjet Venedikut dhe Dukagjinëve; tre akte financiare të kancelarit të Skënderbeut me Komunën e Raguzës; njoftimi mbi fitoren e Pjetër Bua Shqiptarit ndaj forcave osmane në More; një projekt për të dërguar ushtarë italianë pranë Skënderbeut; tre njoftime të Papës Piu II lidhur me gjendjen e vështirë të Skënderbeut dhe të krishterëve në viset e Shqipërisë.
Në vëllimin e shtatë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1460 – 1464 janë mbledhur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane të këtyre viteve, si ato mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me Sinjorinë e Venedikut, me mbretin Ferdinand të Aragonës si dhe një sërë letrash të Papa Piut II me të dhëna të pasura mbi Skënderbeun dhe situatën në tokat shqiptare. Në këtë vëllim përfshihen një numër i madh njoftimesh mbi terrenin e luftës së zhvilluar nga Skënderbeu dhe ushtarët e tij shqiptarë në favor të mbretit Ferdinand të Aragonës; si dhe akte paqeje, akte financiare dhe tregtare. Dokumentet janë hartuar në gjuhën latine dhe në italishten mesjetare.
Në këtë vëllim gjenden njëzet e dy dokumente mbi marrëdhëniet financiare midis Skënderbeut dhe Venedikut; gjashtëdhjetë e nëntë njoftime të ndryshme që lidhen me vajtjen e Skënderbeut në Pulje për të ndihmuar mbretin Ferdinand dhe me veprimet luftarake të Skënderbeut dhe ushtarëve të tij, vendimtare për fitoren e mbretit; nëntëmbëdhjetë akte mbi marrëdhëniet financiare dhe politike midis Skënderbeut dhe Raguzës; letra e Johan Ursinit drejtuar Skënderbeut dhe përgjigja e tij; fragmente nga Konstitucionet e kryepeshkopit të Durrësit Pal Engjëlli; dy akte njohjeje të privilegjeve nga Sinjoria e Venedikut për Gjon Kastriotin (e Ri), të birin e Skënderbeut; tre dokumente për punësimin e mjeshtrave muratorë raguzianë nga Skënderbeu; mandati i tij për Martin Muzakën; dy vendime të Sinjorisë për të vendosur Skënderbeun në krye të ushtrive të përbashkëta kundër sulltanit; dy njoftime për kthimin e tij në Shqipëri nga ekspedita e Puljes; disa njoftime mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me dukatin e Milanos.
Në vëllimin e tetë me titull “Burime kancelareske perëndimore 1464-1497” janë mbledhur burimet kancelareske perëndimore të këtyre viteve, si akte të përpiluara në kancelaritë perëndimore evropiane mbi gjendjen në viset shqiptare gjatë shek. 15; akte mbi përpjekjet e Sinjorisë së Venedikut për të lidhur paqe me sulltanin osman; ato që tregojnë përpjekjet e Skënderbeut për t’i tërhequr vëmendjen në veçanti papatit roman mbi luftën e shqiptarëve kundër osmanëve; njoftime mbi vdekjen e Heroit shqiptar; letra me kërkesa apo letra informative, vendime senati, përgjigje letrash, vendime me përmbajtje tregtare e të tjera. Në këtë vëllim dokumentet janë hartuar në gjuhën latinisht, italishte mesjetare, italisht, sllavisht.
Konkretisht në këtë vëllim janë radhitur dokumente të tilla si, njoftime mbi fushatat e kryera nga ushtritë osmane në viset shqiptare; raportime mbi inkursionet e Skënderbeut në krahinat nën zotërimin osman; përpjekjet e sulltanit për paqe me Venedikun me ndërmjetësinë e Skënderbeut; premtimet e Papës Pali II për të ndihmuar luftën e shqiptarëve; njoftime mbi marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë; kërkesa të Skënderbeut për ndihmë në luftën kundër osmanëve; njoftime të ndryshme rreth vizitës së Skënderbeut në Romë; lajme mbi vrasjen e Ballaban pashës para mureve të Krujës; njoftime për vdekjen e Heroit shqiptar; letra ngushëllimi drejtuar bashkëshortes së Skënderbeut dhe djalit të tij; konfirmimi nga ana e mbretit Ferdinand të Napolit për pronat që i takojnë bashkëshortes dhe djalit të Heroit në Mbretërinë e Napolit; dështimi i bisedimeve për paqe ndërmjet Venedikut dhe Stambollit dhe të tjera.

Në vëllimin e nëntë me titull “Burime Dokumentare Osmane” gjenden vetëm fragmente nga kronikat apo prej veprave të kronistëve apo historianëve osmanë, të cilët kanë trajtuar ngjarjet me peshë mbi trojet shqiptare në shek. 15 në përgjithësi, por kryesisht edhe marrëdhëniet e Gjon Kastriotit dhe më pas, të birit të tij Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Perandorinë Osmane. Në këtë vëllim përfshihen një numër i madh njoftimesh mbi zhvillimet në terren të luftës së Skënderbeut dhe ushtarëve të tij kundër pushtuesve osmanë. Dokumentet janë hartuar në gjuhën osmane, ndërsa pak syresh kanë përzierje me atë arabe dhe ndonjë në gjuhë tjetër orientale.
Konkretisht këtu janë radhitur dokumente të tilla si, raporti i sanxhakbeut të Ohrit drejtuar një funksionari në pallatin e sulltanit ku thuhet, se Skënderbeu kërkon t’i jepet nën zotërimin e tij ziameti i Mysjes; relacioni mbi shpalljen e pushtimit të qytetit të Krujës; Defteri i Sanxhakut të Dibrës; kryengritja e Gjon Kastriotit e vitit 1430; fragmente nga Historia e Dinastisë Osmane sipas Oruç ben Adilit, Kronikave Osmane Anonime, të Kemal Pasha Zadesë, të Sollak Zadesë, të Ahmed Vasifit; nga vepra Treguesi Botëror i Mehmet Neshriut; nga Historia e atit të pushtimeve të Tursun beut; nga Vepër mbi fitoret e Sulltan Mehmetit II të Kevamit: prej veprës Tetë parajsat e Idris Bitlisit; nga Libri i udhëtimeve të Evlija Çelebiut dhe ndonjë tjetër.

Në vëllimin e dhjetë dhe të fundit me titull “Burime tregimtare euro bizantine shek. 15” janë zgjedhur vetëm burimet tregimtare euro-bizantine, midis të tjerave, akte që japin njoftime mbi luftën e madhe të zhvilluar ndërmjet popullit shqiptar nën udhëheqjen e Gjon Kastriotit apo të prijësve të tjerë shqiptarë dhe forcave osmane të udhëhequra nga sulltanët më në zë të Perandorisë Osmane; një vend me rëndësi në këto njoftime zë epopeja e lavdishme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës që ai udhëhoqi për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga invazioni osman; janë përfshirë edhe dy dokumente historike, njëra Krisobula e Andronikut II Paleolog në të cilën mësohet mbi privilegjet e dhëna qytetit të Krujës, tjetra, diploma e Stefan Dushanit mbi privilegjet për banorët e Kalasë së Krujës; disa vlerësime mbi figurën e Skënderbeut, veçanërisht ai nga Papa Piu II; një biografi kushtuar Heroit shqiptar; gjithashtu përfshihen njoftime mbi zhvillimet në terren të luftërave shqiptaro-osmane, akte paqeje, aleancash, etj. Dokumentet gjenden në gjuhën latine, në italishten mesjetare, në greqishten bizantine, në serbisht dhe një në polonisht.
Në këtë vëllim ndodhen dokumente si, Kronika e Juni Restit mbi fitoret e Gjergj Kastriotit Skënderbeut; dy njoftime për përgatitjet e Skënderbeut për të sulmuar forcat osmane; një dokument që flet për aleancën midis Skënderbeut dhe hungarezëve për luftë të përbashkët kundër forcave osmane; Krisobula e Andronikut II Paleolog për Krujën; Diploma e Stefan Dushanit për banorët e Kalasë së Krujës; një njoftim mbi rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së Skënderbeut në favor të Ferdinandit të Napolit; vlerësime pozitive mbi figurën e Heroit Kombëtar shqiptar nga bashkëkohësit e vet; trajtimi i Papa Piu II ndaj figurës së ndritur të Gjergj Kastriotit Skënderbeut; biografia e Pal Jovi-t i mbi Heroin shqiptar; dokumente të tjera që përshkruajnë përplasjet e fuqishme midis shqiptarëve dhe forcave osmane, si dhe egërsinë e pashpirt që vunë në veprim sulltanët osmanë ndaj popullsisë shqiptare.
* * *
Së fundmi autori vetëshënon, se koleksioni i mbledhur, i vlerësuar, i radhitur dhe i ndarë nën konceptin metodologjik madje i grupuar edhe nën kriterin kronologjik në të nëntë vëllimet me burime dokumentare, nuk është kurrsesi i mjaftueshëm dhe aq më pak shterues, për ndriçimin dokumentar të jetës dhe të veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës heroike të popullit shqiptar në shek. 15 nën udhëheqjen e tij. Autori është i sigurt, se dokumente të tjera do të zbulohen në të ardhmen, të cilat do t’u shtohen atyre tashmë të botuara për herë të parë në këtë format shkencor në këto nëntë vëllime. Ai beson se, kjo bazë konceptuale dhe ky grupim tematiko-kronologjik i burimeve dokumentare të dhënë prej tij në këto nëntë vëllime, mund të jetë i qëndrueshëm për studimin sistematik shkencor të kësaj teme. Ai shpreson edhe, se dokumentet e reja që do të mbushin më tej arsenalin e burimeve dokumentare të sjella në këto nëntë vëllime të tij, do të vërtetojnë dhe do të ndriçojnë edhe më kthjellët vlerën e veprës kombëtare dhe evropiane të Heroit shqiptar. Ato do të vërtetojnë edhe më qartë, se nuk ishte Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist që e ngriti Gjergj Kastriotin në piedestalin e historisë shekullore, por është madhështia e veprës së Skënderbeut që frymëzoi bashkatdhetarin e vet, të shkruante për atë veprën e pavdekshme – ashtu siç n’a frymëzojnë edhe né burimet dokumentare për njohjen e figurës së lartësuar të Renesancës Europiane, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

*Udhëheqës dhe redaktor shkencor

Tiranë, Prill 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.