MILOSAO

Përtej Qafës së Botës

20:15 - 12.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – … Dhe një hap dhe ja ku ndjeu këmbën ti binte në humbëtirë, në një gjendje pa peshë, duke e bërë të hepohej dhe të rrëzohej në boshllëk, duke tërhequr me vete dhe dy fëmijët e saj që mbante nga duart. Ishte akoma natë. Agu nuk dukej ende. Një botë e frikshme, rrethuar veç nga hijet e errta të pemëve. Sapo klithi, menjëherë kafshoi buzët nga frika se mund ta dëgjonin dhe të suleshin drejt saj. Vetëm dëgjoi britmën e pastaj pëshpërimën që nxorri në gjysmë zëri:
– Bedo, Hyso… o Zot!…
Jo, ishin aty, pranë saj, duke kërkuar të ngriheshin në këmbë. I pështolli me krahë sikur do t’ia rrëmbente dikush, duke ngritur sytë nga errësira e qiellit.
Binte ende shi, një shi që kishte rënë që pasditen e djeshme dhe i kishte lagur gjer në kockë. Rrobat u ishin ngjitur në trup e megjithatë ata vazhdonin në ikjen e tyre të tmerruar nga vdekja që i ndiqte pas, me një dihatje të çuditshme përzier nga era, pemët që tundeshin, gurët ku pengoheshin dhe shkarpat që u thyheshin nën këmbë.
– Fero! – dëgjoi zërin e ulët të hijes që iu afrua dhe e kapi nga krahët.
Bëri të ngrihet. Lëshoi vetëm një “oh”. Filloi të qante.
– Ec, edhe pak do arrijmë! Mblidhe veten Fero, ke fëmijë, motër!…




Ajo qëndroi një çast e hutuar në atë hendek dhe një forcë e çuditshme e bëri të dilte duke tërhequr gjithnjë fëmijët pas saj. Po, ishin fëmijët që e mbanin tani, se po të ishte për të do donte të vdiste një orë e më parë.
Ecte, shtyhej, turrej përpara me ato këmbë të lodhura e të cfilitura, duke vështruar gjithë frikë hijet e atyre pemëve përreth ku shihte veç të varur. Në përfytyrimin e saj ishte një pyll të varurish që lëkundeshin në atë rendje marramendëse, pylli me të varuurit që kishte parë në Margëlliç e që e rrethonin ngado. Kështu e kishte parë ato ditë kur kishte shkuar tek prindërit e Esatit dhe atje, në pemën e fqinjit të tyre kishte pikasur e shastisur atë grua të varur. Një grua… një grua me mandilen e bardhë në kokë që i fshihte gjysmën e fytyrës, ashtu kokërënë, e që tashmë po i shfaqej përsëri.
Ecte, shkonte, mes atij pylli të varurish, ndiqte hijen e burrit që nxitonte përpara. Papritur shiu pushoi dhe ja tek u hap në qiell një dritë e zbehtë, e ndrojtur. Ishte një dritë e bardhë diellore që shumë shpejt u zmadhua dhe më së fundi agimi u shfaq para tyre gjithnjë e më me dritë.
– Arritëm! – tha më së fundi burri, i veshur me një xhaketë lëkure.
Vetëm tani ajo e vështroi përsëri fytyrën e lodhur të fqinjit të saj të dashur.
– Ku jemi këtu?
– Në Qafën e Botës!

– Ç’botë, o Jorgo ziu! – psherëtiu ajo.
– Kështu i thonë këtij vendi, – i foli Jorgo greqisht. – Tutje fillon Shqipëria… nuk e sheh luginën?
Ajo vështroi përpara e habitur me atë hapësirë të gjelbërt që iu shfaq e ku dielli hidhte dritën e tij të bardhë.
– Në të djathtë është Konispoli!
Vetëm tani ajo pikasi atë grup shtëpijash që ngriheshin anash në atë shpat dhe që dukej se flinin ende. Diku, tymi u një oxhaku kishte filluar të ngrihej lart, drejt qiellit. Edhe pse qershor, dukej se vera vononte. Jorgo hoqi paguren nga krahu dhe u dha fëmijëve të pinin gllënkat e fundit.
– Mbaje ta keni për rrugës! – tha ai dhe i zgjati asaj një shami me bukën që kishte sjellë.
Pa folur, me frymën që i merrej, ajo zgjati duart dhe e mori.
– Shkoni tani… shpëtuat. Nuk ka kush tu kapë më… Rrugës do të gjeni mjaft çamë që kanë marrë rrugët e Shqipërisë.
E habitur dhe me një ankth që e kishte kapur në gryke, ajo vështroi përsëri nga ato fusha mbuluar nga ullishtat e ku dielli po hidhte rrezet e para plot reflekse argjendi, çka i krijonte më shumë idenë sikur të ishte ende në ëndërr, apo më mirë një kushmar.
Qëndronte si e ngrirë. Ç’po ndodhte vallë? Përse nuk po ikte me vrap dhe të sulej drejt fushës? Kthehu kokën pas dhe vështroi nga monopati nga kishin ardhur. Po linte pas gjithçka: tokën, Filatin me shtëpitë e bardha dhe portat e mëdha, avllitë, varret, rininë dhe fëmijërinë e saj… gjithçka. Por papritur klithi me të madhe!
– O moj nënë!… E mjera unë! Ç’hata e madhe na gjeti!
Filloi të qante dhe ra në tokë, me fytyrën nga dheu, sikur të donte ta puthte dhe ta përqafonte atë. Dy fëmijët qëndronin në këmbë të hutuar e të ngrirë, duke parë lebetitjet e nënës së tyre.


– Po si do ta lë varrin tënd, Esati im i dashur! Burri im i shtrenjtë, që s’na lanë ta gëzojmë këtë jetë!
Jorgo nuk fliste. Ç’të thoshte?… Më së fundi zgjati dorën dhe e preku në sup.

– Mjaft Fero! Nuk është koha të vajtosh tani… duhet të ikësh pa ja behur andartët e Zervës… mund të vijnë nga çasti në çast.
Sapo përmendi emrin e Zervës, sytë e saj u çapëlyen dhe një frikë e madhe e pushtoi duke parë fëmijët që zgjasnin duart drejt saj.
– Ah dorë e zezë e Zervës… Ç’të kanë bërë çamët o i zi, që i vrave dhe i preve! Të rëntë rrufeja, o mizor!
Jorgo zgjati përsëri duart dhe e ngriti ngadalë. Ajo mezi merrte frymë nga ngashërimi i madh. Dridhej e tëra. E mori në krahë, ia pështeti kokën në gjoksin e tij dhe e puthi mbi flokët e saj të artë, lëshuara mbi supe.
– Të ndihtë fati motër! Kjo marrëzi do të ndalë një ditë, dëgjon? Mbase një ditë të afërt… Të presim motër! – dhe ai e lëshoi nga duart.
Vetëm tani Fero e kuptoi se s’kishte ç’bënte më aty, se duhej të ndahej me fqinjin, mikun e shtëpisë dhe se duhej të shkonte.
– Amanet Jorgo… ruama varrin e Esatit tim të gjorë!… Një ditë do të kthehemi, por ti s’do ta shohësh më Esatin tënd të dashur, shokun e vegjëlisë.
Jorgo tundi kokën pa folur. Ajo kapi fëmijët në të dyja duart, ndërkohë që ai largohej duke i tundur dorën për herë të fundit. Vallë a do të shikonte më?… Më së fundi, trupi i tij u zhduk pas një shkurreje të madhe dhe tashmë ajo e ndjeu se ishte vetëm në këtë botë, fillikate, këtu ku mbaronte bota e saj e dikurshme dhe një tjetër botë, e panjohur dhe e dhimbshme fillonte. Një botë midis jetës dhe vdekjes, asaj që po shuhej ngadalë pas krahëve dhe shpresës që kërkonte ti shfaqej mes asaj përhumbjeje e ankthi që e pështillte si në një mjegull të madhe. Qëndroi një çast të gjatë, ashtu me atë vështrim të zbrazët e të përhumbur, duke parë s’dihet nga. Ç’të bënte? Ndërkohë djali i madh e tërhoqi nga dora me sytë që gati i mbylleshin nga lodhja.

– Eja nënë, shkojmë… Duhet të dalim në rrugën matanë, – dëgjoi zëri e Bedos.
Ajo u shtrëngoi duar të dyve dhe nisi të ecte. Nuk bënë as njëqind metra dhe Hyso i vogël u rrëzua. Përgjumej ende. Atë çast Fero pikasi tutje një ulli të vjetër, të djegur kushedi nga ç’rrufe dhe duke u afruar u struk menjëherë nën të, e sigurtë se nga kodrina nuk do i shikonin.
Fëmijët flinin me kokat nderur në prehërin e saj e po kështu dhe ajo me atë kokë të varur. Nisi tu këndonte një ninullë të vjetër që ua këndonte kur ishin foshnje, ashtu, me atë zë të ngjirur nëpër dhëmbë, duke menduar jetët e tyre, të sajën, të babait të tyre, Esatit, që tani nuk e kishte më. Ndërkohë ajo ç’kishte ndodhur para dy-tre ditëve nisi ti shfaqej sërrish para syve, në fillim si në një brymë të dëndur, të zezë, e që gradualisht një erë e çuditshme kishte filluar ta daraviste duke zbuluar çatitë dhe konturet e Filatit. U drodh… Përjetonte përsëri atë gjëmë të madhe që kishte jetuar, atje në Margëlliç, ku Zerva ishte sulur me furi me ushtarët e tij të armatosur gjer në dhëmbë dhe brenda shumë orësh kishte masakruar sa kish mundur… Oh, sa shumë kishte qarë… Atje ishte shëmbur në tokë, ishte ngritur, kishte rënë përsëri nga llahtara e madhe, ishte ngritur dhe kishte vrapuar, por ngado kishte parë veç zi dhe kufoma. Kur kishte hyrë në shtëpinë e prindërve të Esatit një heshtje varri mbretëronte aty. Shtëpia sapo ishte bastisur nga ushtarët. Kishin rrëmbyer gjithçka kishin gjetur, vajin, djathin, thasët e misrit. Pleqtë nuk ishin aty. Ç’kishte ndodhur me ta? Ku kishin shkuar? I kishin vrarë apo kishin mundur të shpëtonin? Kishte dalë në oborr, kishte klithur, i kishte kërkuar sa kishte mundur e pastaj, lumturisht një karrocë kishte kaluar dhe e kishte marrë në krahë të një shtëpie që digjej ende. Kështu kishte mundur të vinte shpejt në Filat. Dhe ngado, gjatë rrugës veç fytyra të tmerruara të bashkëatdhetarëve të saj që nxitonin të merrnin arratinë, ngarkuar me plaçka e bohçe në supe… me foshnje në krahë…

Vetëm kur hyri në Filat ajo pa Zervën me kapedanët e tij dhe priftin ortodoks në krahë, me tunikun e zi që i tundej nëpër këmbë, ndjekur nga andartë të tjerë të armatosur.
– Vritini e pritini barbarët! – klithte Zerva me sa zë që kishte… Të mos ketë më asnjë këmbë çami këtu!… Greqia është e madhe dhe Zoti e mbron gjithnjë!
Sapo kishte dalë para shtëpisë e tmerruar nga ata ushtarë e andartë që shkonin drejt sheshit të Filatit duke nxjerrë me dhunë dhe klithma burrat nga shtëpitë. Ngado qëllohej. Burra e pleq binin nën plumbat e grekëve të Zervës. Gratë klithnin, fëmijët qanin, diku një shtëpi digjej.
– O Zot!… Po Esati im ku është! – kishte klithur ajo dhe ishte sulur drejt rrugëve në kërkim të burri të saj. Një çast u rrëzua e penguar nga një gur, por menjëherë u ngrit dhe u sul sërrish… Shkonte drejt një grupi njerëzish ku gratë ulërinin para shumë të vrarëve hedhur në një hendek. Fytyra dhe sy të perënduara, përmbysur, krahëhapur, përgjakur ngado. Menjëherë ndaloi si e çmendur para tyre, duke shtyrë njerëzit për të parë se mos burri i saj ishte ndër ata. Ktheu njërin prej tyre por nuk ishte ai… Nga goja e të vrarit kishte ngrirë një rrjedhë gjaku.
– Oh, ç’tmerr!… Esat… burri im… Ku je? – dhe ajo u sul sërrish nëpër rrugë duke bërë nga stadiumi, ku shpesh loznin fëmijët e fshatit dhe shkollarët e tjerë. Edhe atje kishte njerëz, kufoma, të vrarë të hedhur njëri mbi tjetrin. Tutje, ushtarët e Zervës qëllonin ende… Përsëri i shtyu banorët që ishin aty dhe nisi të kërkonte Esatin e saj. Dhe papritur shtangu… Njohu pantallonat e Esatit dhe mbeti si e ngrirë pa guxuar ti afrohej, nga frika se mos vërtet ishte Esati i saj… Po përse vallë ai trup pa kokë… pa duar?… Ç’kishin bërë me të? Lëshoi përsëri një piskamë sikur të ishte një egërsirë që ishte shfaqur aty papritur. Njerëzit u hapën të trembur e të tmerruar. Me siguri një e çmendur! Dikush e kap nga krahu, por ajo ia largoi menjëherë dorën. Papritur një forcë e çuditshme, nga një tjetër fuqi e mistershme, e shtyu atë menjëherë drejt atij trupi pa krahë dhe ja ku pikasi pak më tutje kokën e zhgërryer të Esatit nga balta përreth. Pa sytë e tij të perënduar, buzët e hapura mavi, gojën me gjakun e mpirë dhe flokët e përbaltur që i binin mbi ball. Po, ishte Esati… E pështolli me duar dhe klithi si e marrë!
– Esat, burri im i shtrenjtë! Po ç’të kanë bërë korbat kështu! Thuaji vdekjes të më marrë dhe mua!… O nëna ime ç’më gjeti mua të zezën! Ma vranë… Ma vranë Esatin… ëngjëllin tim!
Dhe ajo klithte, klithte pa pushuar me një pikëllimë që kurrë nuk ishte dëgjuar në ato anë, as në vdekjet e mëdha. Dhe ajo tundëte kokën me flokët e saj të dendura mbi trupin e tij… Marramendje klithëse. Menjëherë i afroi krahët dhe kërkoi ta bashkonte trupin e tij pa jetë. Një heshtje e çuditshme ra papritur, një heshtje morti.
– Po ç’të kanë bërë kështu o burri im i mirë! Hapu varr dhe për mua!… Dua të vdes me ty Esati im i dashur! Esat!
Ajo i fliste kufomës dhe të tjerë njerëz po afroheshin meqë kishin dëgjuar klithmat e saj. Ndërkohë ndjeu një dorë që e preku në sup. Ktheu kokën dhe vështroi me egërsi nga njeriu që ishte në këmbë ballë saj. Por pas pak ajo e njohu, ishte Jorgo, fqinji i tyre.
– Eja Fero… eja… eja ta marrim Esatin e gjorë!
Dhe ai u ul dhe kërkoi ta largonte nga kufoma e burrit të saj. Pranë kishte marrë një karrocë dore për të marrë trupin e Esatit… Fero vështronte e tmerruar trupin e Esatit që Jorgo po e vendoste tashmë mbi karro. Dhjetra njerëz shikonin të shtangur atë skenë tmerri dhe morti. I mori kokën dhe ia vendosi në krahë e po kështu dhe krahët e përgjakur mbi trupin e tij.
– Eja Fero ta varrosim vllaun tonë të shtrenjtë!
Tani nuk klithte më. Qëndronte e ngrirë, duke pështjellë me krahë trupin e saj pa mundur ti hidhte hapat normalisht e megjithatë zuri ta ndiqte fqiun e tyre nga pas tek shkonte me karrocën që mbartëte trupin e Esatit… Esati i vdekur me sy meiti. As vetë ajo nuk e dinte ku shkonte, veçse ndiqte pa folur karrocën e Jorgos.
Disa grekë që ishin aty hapën rrugën dhe shikonin gjithë trisht atë grua të çmendur që ndiqte pas trupin e përgjakur të burrit të sakatuar. Pastaj gjithçka heshti. Të shtënat pushuan, klithmat e grave dhe të qarat e fëmijëve ndalën… gjithçka ra në një heshtje varri. Asgjë nuk pipëtinte, as zogjtë të cilët të tmerruar dhe ata nga breshëritë kishin marrë arratinë… Ishte një heshtje e çuditshme, e plotë, sikur të ishte në një botë tjetër, nëpër qiej apo nëntokë, në botën e të vdekurve. E pikërisht atëherë, s’di pse, ajo ndjeu se një muzikë çame vinte nga nëntoka. Ishte kënga e Osman Takës… pastaj iu shfaq Esati që e kërcente aq bukur atë valle… trupi i tij që hidhej e përkulej e pastaj dikush që i hipte hipi lart mbi gjoks… Ishte një valle “çamiko”… ah ç’dehje e bukur… Papritur ajo ngriti kokën. Përgjoi, një zhurmë makine u dëgjua nga rruga. E frikësuar ngriti kokën. E kuptoi që atje, në atë trung të vjetër e të nxirë ulliri me fëmijët që kishin pak kohë që flinin, ajo kishte jetuar ende me përjetimet e atyre ditëve tmerri e gjaku. Përgjoi përsëri. Dhe vërtet zhurma sa vinte dhe afrohej. Atëherë i shkundi fëmijët nga duart duke u thënë:
– Zgjohuni, Bedo, Hyso… Ejani, shpejt… Një makinë po vjen.
Dhe me ta në duar dhe bohçen hedhur krahëve ajo u turr poshtë drejt rrugës me vërtik.
Kur arriti në rrugë mezi merrte frymë. Qëndroi në mes të rrugës së vetmuar, ndërkohë që makina po i vinte përballë. Kur shoferi e pikasi menjëherë ndaloi. E kuptoi që vinte përtej kufirit, siç kishte parë gjatë gjithë atyre ditëve çamët që shkonin të tmerruar nga ajo gjakderdhje e madhe si në një ikje biblike.
– Merrna dhe ne, o njeri i mirë… vijmë nga Filati…
Shoferi doli nga kabina e kamionçinës, e vështroi një çast dhe i bëri shenjë të hipnin nga pas.
– Ku do shkoni?
– Në Sarandë.
– Atje shkojmë dhe ne, – tha shoferi me një trisht në fytyrë, duke parë atë grua me pamje të shpërfytyruar.
Kur hipën prapa, ajo vuri re se ishin dhe dy njerëz të tjerë, një grua me të zeza disi e thinjur dhe një plak i stukur mes dy dëngjeve. Kishte kohë që flinte nga lodhja e madhe. Vinin nga Konispoli.
Duke mërmëritur Fero u tundi kokën pa ditur ç’tu thoshte. Makina u nis sërrish. Kishin bërë disa kthesa kur gruaja pasi nxorri një psherëtimë të thellë dhe e vështroi me dhimbje dule e pyetur:
– Nga vjen ti?
– Nga Filati!
– Ka akoma çamë!
– Po, ka ende… E si mund ti lenë shtëpitë?
Gruaja e thinjur tundi kokën. Fero vazhdoi:
– Më shumë janë pleq… ruajnë shtëpitë dhe tokat nga andartët. Tani nuk kursejnë as fëmijët. Vetëm vrasin, presin, u kërrejnë sytë!
Fero uli kokën dhe vështroi nga fëmijët e saj. U përkul dhe i puthi në kokë të dy.
Gruaja e vështroi në heshtje dhe nuk foli, veç buzët i kishte të mbledhura, sikur të donte të përmbante klithmën e saj.
– Po ju nga vini? – e pyeti Fero gruan që i ishin zbardhur flokët tashmë.
– Nga Paramithia. Atje u bë kasaphanë moj bijë. Na i vranë të tërë, baballarët, burrat, fëmijët… Vajzat i morën dhe i mbyllën në gjimnazio… zervistët i mbajtën dy netë me rradhë… I përdhunuan dhe më në fund i lanë të shkonin… Të mjerat vajza, veç ti shikoje, fshihnin fytyrat që të mos i shikonim… Qanin e klithnin… iknin si të marra… ja, ky ishte Zerva që mallkuar qoftë!
– Po tjetër?
– Çfarë tjetër?… Kështu ndodhi dhe në fshatrat përreth, në Gardhiq, Kaminë e Karbunarë… kështu ndodhi dhe në Arpicë, Kuç, Vrahona, Globaçar… në Lopsin e bukur… ç’të të them moj motër! Na u nxi qielli dhe shtëpia!
Makina ecte dhe dielli shkëlqente gjithnjë e më shumë. Gruaja me të zeza vazhdonte:
– Ah moj bijë, vdekjes do ia tregoj këto thagma. Ishin të etur për gjak shqiptari. Na morën gjithçka, mall e pasuri… Me së fundi arritën dhe na dëbuan, me armë… me vdekje!
Makina shkonte duke zbritur drejt fushës.
– I njeh Hodot e Paramithisë? – e pyeti papritur Fero.
Gruaja ktheu kokën dhe e tundi lehtë nga ajo.
– Selman Hodon, plakun, e vranë në sytë tona dhe e tërhoqën zvarrë… I biri, Kadriu kishte ikur bashkë me familjen… I mjeri plak! I pështyu në fytyrë dhe ata e vranë!
Makina shkonte gjithë zhurmë. Fëmijët përkundeshin, flinin, kushedi në ç’ëndërr të frikshme, në ç’botë, kushedi në ç’greminë po zbrisnin. Herë pas here kokat e tyre tundeshin si të trembura nga ndonjë shfaqje e frikshme. Ajo i mblodhi në prehërin e saj si të donte ti mbronte nga ndonjë rrezik tjetër që endej nëpër atë hapësirë të çuditshme, ku dhe era bënte një zhurmë misterioze, të frikshme: Vu, vu-vu! Gjithçka i vinte rrotull në atë vorbull të madhe ku përziheshin fytyra, pemë, duar të prera, trupa të hedhura tutje, të tjerë të shtrirë me sy nga qielli, sikur të donin të thonin lutjen e tyre të fundit. Fëmijët flisnin nëpër gjumë, në zgjëndër. Zuri të qante e heshtur, nën zë, me një rënkim të lehtë, sikur vetëm ai rënkim e mbante për të qëndruar ende me sytë nga dy pjellat e saj. Papritur një dorë e preku në sup. U drodh e llahtarisur pa e ditur se nga i erdhi ajo dorë. Ktheu kokën anash dhe pa sytë e dhimbsur të gruas me atë shami të zezë në kokë.
– Të të rrojë fëmija tani!… Ndërsa mua të zezës më vdiq nga plagët… e goditën në kokë. S’kam më zë të qaj, s’kam më lotë të derdh. Kushedi, perëndia do më japë të bëj dhe një fëmijë tjetër!
Me sytë e saj të përlotur, disi të vagëlluar, ajo pikasi atë fytyrë të trishtë gruaje, që vdekja e fëmijëve e kishte ngurosur dhe ia kishte rrudhur buzët e shpirtin bashkë. Për një çast iu duk si një figurë guri. Uli kokën përsëri e hutuar, duke menduar sesi kjo grua e kishte pranuar kështu vdekjen e pjellës së saj. Papritur njëri nga djemtë foli nëpër gjumë dhe ajo u gëzua që ata kishin mbetur gjallë.
Makina mori një kthesë dhe tani po ngjitej në të përpjetë. Duhej të ishte pasdite vonë. I vinte gjumë. Por imazhet që i shfaqesh nuk e linin të prehej një çast, një çast të vetëm, të flinte pak, vetëm pak minuta që të mund të kishte forca kur të mbërrinin në Sarandë. Koka iu var. Dhe ja, në çast iu shfaq përsëri kolonel Zerva, me qillotat e tij ushtarake, me kapën e tij dhe revolen në brez tek ecte triumfator dhe jepte urdhëra sa majtas-djathtas për të vrarë burrat që nuk ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Me robën e tij të zezë dhe mjekrën që i varej e tundej nga një gëzim i përmbajtur prifti e ndiqte pas dhe ngrinte duart… “Këtej e tutje këtu s’do të dëgjohet më shqip!” – klithte Zerva…
Koloneli dukej si një mesazher i zi i një bote tjetër, i vetë vdekjes, dërguar në atë qytet të paqtë plot ullishta e diell… Vallë, a do ta gjente Shefqetin në Sarandë, aty tek Skela? Ku duhej ta kërkonte. Në ikje e sipër, një nga kushërirat i kishte thënë ta kërkonte në Sarandë por se ku, as ajo nuk e dinte. Një pjesë tjetër e familjes ishin nisur drejt Gjirokastrës, pa lënë ndonjë lajm se do qëndronin aty apo do të vazhdonin drejt Vlorës apo Tiranës. Duke iu afruar Muzinës, fëmijët u zgjuan, ngritën kokat duke pyetur:
– Mbërritëm nënë? … Ku jemi këtu?…
Vështronin përreth në atë qetësi të çuditshme, gati mortore që shtrihej përreth.
– Edhe pak arrijmë! – u pëshpëriti ajo.
Për një çast mbylli sytë dhe përsëri iu shfaq trupi i të varurës me mandilen në kokë, tundur nga era. Tani s’kishte më vetëm një të varur, por shumë… të varur nëpër degë pemësh apo trarë shtëpish, të varur të shumtë, çka i dukej me një pyll të varurish. Po, pylli i të varurve. Dhe atëherë, në atë makth të madh, ajo menjëherë hapi sytë, me forcë, pasi vetëm ashtu mund ti shpëtonte atij pylli të varurish, atij imazhi të frikshëm. Tashmë i dukej se gjithë Çamëria që kishte lënë pas krahëve, ishte shndrruar në një varrezë të madhe, ku kishte veç gropa të hapura dhe pirgje dheu. Papritur ndjeu dorën e Bedos që e tërhoqi dhe e pyeste:
– Nëno, a do të kthehemi përsëri në shtëpi?
– Do të kthehemi bir… do të kthehemi, ndoshta një ditë, kushedi?!…
Ajo donte të shtonte diçka tjetër, por heshti. Ç’të thoshte? Pas kishte lënë qindra të vdekur, qindra shpirtra që kishin rënë therror. Për një çast, në të përpjetë, makina ndaloi. Motorri i saj shfrynte dhe nxirrte avuj. Shoferi zbriti, hapi kapakun e kamionçinës dhe shkoi drejt një burim aty pranë me një kovë uji në dorë nisi të ftohte motorrin e nxehur. Rrugës, tek-tuk, refugjatë të ndryshëm që ishin nisur me kohë, kalonin në këmbë, shumica zbathur, të ngarkuar me plaçka mbi gomerë e rrallë mbi ndonjë kalë. Ishin çamë, të gjithë, me fytyrat e tyre të vrara nga dhimbja, lodhja, pagjumësia dhe tmerri, kush me një deng në kurriz, një tjetër me bohçe, nëna, plaka hipur mbi gomerë dhe fëmijë të zbathur e plot lecka që mezi ndiqnin hapin e të rriturve. Ishin muhaxhirë që shkelnin një tokë tjetër, por të ngjashme me të tyren: po ato lugina, kodrina me ullishta, pemë limonash e portokajsh.
Më së fundi makina u nis përsëri dhe ja ku në majë të qafës, ata panë diellin që po zhytej tutje në horizontin e një deti të kaltër, disi në të kuqërremtë. Po binte muzgu. Fëmijët zgjasnin kokat dhe vështronin nga ai det i qetë, pa dallgë. Gjithçka ishte e bukur përreth. Dhe ajo gati e harroi llahtarën e jetuar, veten e saj, tek mblidhte pjesët e trupit të Esatit. Ishte e para herë që shikonte një det, për më tepër një det në perëndim, me një diell të përflakur që zhytej tutje në horizont, gjersa një çast, horizonti u skuq dhe pastaj, papritur, u shua. Po, ky vend po i shfaqej si i vetmi vend i shpëtimit. Ishte vendi i lirisë. Makina tani zbriste gjithnjë drejt asaj qyteze të vogël dhe ja ku u shfaqën shtëpitë e para prej guri. Më së fundi, shoferi ndaloi buzë detit, në rrugën kryesore. Ai zbriti dhe uli barrierën e pasme. Fero u hodh përpara bashkë me një bohçe dhe pas saj fëmijët e saj. Qëndroi një cast e hutuar, pa ditur ç’të bënte dhe duke vështruar nga shoferi, zuri të qajë. Ai shtrëngoi buzët nga keqardhja. Ç’ti thoshte?…
– Ke njeri këtu?
– Po… do ta kërkoj… të të rrojë fëmila, vëlla!
Ai e përqafoi dhe puthi fëmijët. Pastaj me çiftin mbi makinë vazhdoi për më tutje, drejt Ksamilit. Ajo e ndoqi një çast makinën, duke përshëndetur me dorë atë grua të trishtë që mbahej ende dhe pas vdekjes së birit të saj. Por dora i mbeti në ajër. Makina ishte zhdukur në kthesën e parë. Pikërisht atë çast, në atë udhë të shkretë nga njerëzit, përballë atij deti të paqtë në muzgun që sapo kishte rënë, ajo u ul dhe nisi të qajë me një ulërimë mbytëse. Fëmijët iu hodhën në trup si të donin ta mbronin nga ajo dhimbje që po i çante zemrën… Tashmë e kishte lënë pas pyllin e të varurve dhe e kishte kapërcyer Qafën e Botës…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.