MILOSAO

Pse nuk pati mundësi më të madhe për bashkëkohësi letërsia shqipe?

18:30 - 12.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Nuk është turp, nuk është paaftësi dhe nuk është shqetësim mospasja shpesh bashkëkohësi e letërsisë shqipe me atë botërore. Me një zhvillim të vonuar historik në të gjitha fushat, nën një perandori disa-shekullore ku se gjetëm kurrë veten si duhet dhe më shumë akoma: të përçarë nuk mund të bënim kurrsesi më shumë. E ky fakt nuk përbën thjesht justifikim por është keqardhje. Gjithsesi, protagonizmi që mundohemi të bëjmë në kohët tona përveç se na bën qesharakë na tregon krejtësisht të kompleksuar. Kurse mënyra sesi nuk e shikojmë të vërtetën në sy na bën disi edhe groteskë. Duket se të gjitha institucionet, rrethet kulturore dhe më shumë akoma institucionet shkollore duhet t’i kushtohen letërsisë në pjesën më bashkëkohore të saj për t’i dhënë frymën e duhur për të ardhmen.
Është e vërtetë se libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut është botim i vitit 1555, jo shumë larg kur vende të tjera përcjellin krijimet e tyre por e gjithë ajo që ne i themi Letërsia e Vjetër dhe që përmblidhet nga pak vepra fetare, është jashtëzakonisht pas asaj që po lindte dhe lulëzonte në Evropë. Ata që do të bëjnë historinë tonë në letërsi janë të mirënjohurit: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba. Dikush mund të kujtojë edhe kontributin në shekullin XVIII-XIX, kur lindi rryma e letërsisë shqipe me alfabet arab, e ndikuar nga letërsia orientale. Por në veprat e poetëve të shquar të asaj kohe Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Çami – Kyçyku etj ,ku dominojnë tema fetare, shoqërore dhe didaktike nuk mund të thuhet bashkëkohësi përveçse një qasje me një periferi bashkëkohësie me letërsinë simotër, e cila bëhet në vendet e pushtuara prej perandorisë, që asesi nuk mund të quhet kontribut.
Ajo që do t’i afrohet bashkëkohësisë është fare pak Letërsia e Rilindjes e cila vjen me përfaqësimin e jashtëzakonshëm të Jeronim de Radës me veprën e tij madhore “Këngët e Milosaos”, botuar në vitin 1836. Shënimin Rilindje do ta kenë autorët dhe veprat që do të botohen më pas deri në 1912, kohë kur idealistët e Lëvizjes Kombëtare do i pagëzojnë krijimet e tyre nën emrin Letërsia e Rilindjes. Kjo është një krijimtari, të cilës i veçohet përpjekja për ta bërë një letërsi patriotike, me frymëmarrjen e duhur romantike, që në Shqipëri ka një qasje të vogël falë arbëreshëve.




Ndërkohë duhet të kujtojmë se Periudha Romantike e kësaj kohe ishte një lëvizje artistike, letrare dhe intelektuale, e cila ka marrë jetë në Evropë aty kah fundi i shekullit të 18-të dhe konsiderohet si një lloj reagimi i saj ndaj Iluminizmit. Personazhi ynë më i shquar, që përkon jo pak me të, mbetet poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet të spikatur lirike dhe epike do ngjitet në panteonin kombëtar si poeti i popullit shqiptar. Gjurmët e atyre që do të vinë më pas do të jenë më të vogla, por emrat e tyre do të mbesin pothuaj njëlloj në analet shqiptare të letrave: Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni, Filip Shiroka, Gavril Dara, Zef Serembe etj. Letërsia e re kombëtare, e cila filloi prej mesit të shekullit XIX , që e bashkon ideali i çlirimit mbart inercinë e romantizmit evropian. Romantizmi është ndoshta faza e parë kur letërsia jonë ka një lloj bashkëkohësie në masë. Mbase këtu duhet të fillojë një shqyrtim se çfarë arritën të bënin individët e një kombi, çfarë kishin origjinale dhe sesa e shprehnin realisht shqetësimin kombëtar. Ka autorë, që mendojnë se sonetët e Shirokës përbëjnë kalimin në drejtimet e tjera. Mjeda, që e konsiderojnë si një neoklasik, por që vuan shumë indiferencën e klerikëve do të tregojë forcën e një drejtimi të ri që po humbet. Atje ku e përplasin kolegët e tij, ai ka kohë që të meditojë për Neo-klasicizmin, një rrjedhë ku vendin kryesor e mban “qetësia” e brendshme dhe purifikimi i shpirtit, mundësi e artë në izolimin e pamatë të Mjedës.

Klasicizmin e mban një autor që vjen nga Shqipëria e Mesme. Et’hem Haxhiademi i kthehet epokës klasike me dramat e tij, që duken pak si të dalë nga koha, por që përmbajnë mesazhe të forta. Ndërkohë bota ka Kafkën dhe autorë që po trandin dhe ndërkohë po ecën jashtëzakonisht fort në drejtime të reja. I kësaj kohe është Trashendentalizmi, një lëvizje filozofike, politike dhe letrare, babai i së cilës është Ralph Waldo Emerson, i cili përçon idenë se njohuria mund të merret përmes shqisave, intuitës dhe kryesisht meditimit. Ky drejtim u ngrit si një reagim kundër gjendjes së përgjithshme të intelektualizmit dhe të spiritualitetit. Ne këtë qasje e kemi pothuaj krejt të munguar.
Pas kësaj vjen Natyralizmi, një lëvizje letrare që thekson vëzhgimin dhe metodën shkencore në portretizimin imagjinar të realitetit. Shkrimet e romancierëve në mënyrën natyrale përfshijnë Émile Zola (themeluesin e saj), Guy de Maupassant, Thomas Hardy, Theodore Dreiser, Stephen Crane dhe Frank Norris, por përveç elementëve të veçuar në poezinë tonë nuk gjen elementë që të kujtohen dhe që mund ta bashkojnë aty.

Ekzistencializmi një lëvizje në filozofi dhe letërsi që thekson ekzistencën individuale, lirinë dhe zgjedhjen është pothuaj i padukshëm. “Pse” e Spasses hedh një hap, por autori nuk mund ta ruajë më hapin pas kësaj. Në fakt, filozofia e ka prekur qysh kohë më parë Ekzistencializmin. Ai përqendrohet në çështjen e ekzistencës njerëzore dhe ndjenjën se nuk ka asnjë qëllim apo shpjegim në thelbin e ekzistencës. Ajo pohon se, meqë nuk ka Zot apo ndonjë forcë tjetër transhendente, e vetmja mënyrë për të kundërshtuar këtë mungesë është duke përqafuar ekzistencën. Ne këtu duket se kemi qasjen më interesante me Migjenin, poetin dhe prozatorin që merret me çështje thelbësore të qënies dhe vdekjes, ndoshta autori më bashkëkohor nga të gjithë në historinë tonë të letërsisë.

Letërsia zhvillohet më tej. Dalja e Beat Generation, që përcjell më shumë frymën e një ringjallje në kulturën amerikane dhe pak nga pak afron edhe në Evropë influencën e Luftës së Dytë Botërore nuk ka qasje fare në Shqipëri që po zhytet në Realizmin Socialist. E teksa Shqipëria zhvillohet dhe ecën pa u ndalur aty, post-modernizmi, si një formë e letërsisë, fillon e lëshon rrënjë kudo. Drejtimi i ri, ku stilizimi ashtu edhe fryma ideologjike mbështeten në kanone të tilla letrare si fragmentimi, paradoksi, metamorfozat, që përbëjnë shpesh fabula joreale dhe të ngatërruara lojcake, disa edhe si parodi paranojë, që mbushin krejt letërsinë. Por jo atë tonën, që ndërkohë është e zhytur në një letërsi që kërkon të shkojë sa më afër frymës së Realizmit. Ismail Kadare shquhet dhe mundohet të hapë një dritare në Realizëm duke ngërthyer drejtimet e tjera letrare, por më shumë duke i besuar narrativës së tij, që kërkon një identitet të shqiptarit dhe mbijetesën e të voglit. Kjo përpjekje meriton vlerësime dhe autori ynë gati i afrohet Nobelit për vite me rradhë…


E vetmja qasje e bukur e letërsisë tonë duket dhe mbetet në periudhën e romantizmit shqiptar, kohë kur shqiptarët kërkojnë frymën e tyre kombëtare. Paçka se një pjesë e tyre u ushqyen nga larg, kjo kohë bashkë me periudhën e shkurtër ku ishte Migjeni treguan se letërsia ka vlera. Bash ato vlera që po mundohet sot përmes zgjimit të një grupi autorësh, që kërkojnë një identitet brenda kaheve të panjohura të letërsisë dhe që duket se Leshanaku po e përcjell më afër bashkëkohësisë me poezinë e saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.