Kulturë

Shqipëria hap pavionin në Bienalen e Venecias, prezantohet me artistin Driant Zeneli

17:10 - 13.05.19 Gazeta Shqiptare

Nën praninë e artistëve shqiptarë e të huaj e nën vëmendjen e mediave ndërkombëtare, u hap ditën e premte pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias. Në këtë edicion të 58-të, Shqipëria përfaqësohej me artistin Driant Zeneli me videoinstalacionin “Maybe dhe Cosmos is not so extraordinary”, kuruar nga Alicia Knock. Ceremonia u çel nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sipas së cilës është e bukur që Shqipëria prezantohet në këtë kozmos artistik me një vepër që lind në Bulqizë dhe tejkalon kufijtë lokalë, për të përcjellë një mesazh shumë më universal. “Ju falënderoj që jeni këtu për të mbështetur të bukurën, që arti shqiptar krijon dhe e përfaqëson në këtë paradë të artit botëror. Jam e kënaqur që përfaqësohemi me Driantin, një i ri energjik, një talent i zbuluar prej kohësh, i përkushtuar ndaj artit të tij, që po na mirëpërfaqëson në këtë ngjarje, çka po e dëshmojnë edhe shkrimet e shumta të mediave të huaja. I bashkohemi kësaj bienaleje me një thyerje dimensionesh, duke sjellë histori të vogla, nga qytete të vogla e duke i kthyer në art bashkëkohor dhe në dimensionin e së bukurës. Jemi të ndërgjegjshëm që arti i tij sjell edhe një polemikë, mbi të cilën do të doja të reflektonim dhe të diskutonim”.



venecia-1 venecia-2 venecia-3 venecia
<
>

Kuratorja Alicia Knock u shpreh se vepra e Zenelit shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet. “Vepra e Driantit flet për një realitet specifik të Shqipërisë, të Bulqizës, të kromit, që udhëton nga zemra e malit drejt kozmosit”, thotë Knock, teksa përshkruan një udhëtim gjeopolitik, ekonomik, industrial, në veprën e Zenelit. “Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, u shpreh artisti Driant Zeneli. Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë artistët Anri Sala, Adrian Paci, Edi Muka, Alban Muja, Anila Rubiku, etj. Kuratori Edi Muka vlerësoi metaforën e përdorur nga Zeneli, për të lidhur nëntokësoren me mbitokësore. Artisti Anri Sala u ndal te mënyra se si është lidhur tema e zgjedhur nga Zeneli me temën e përgjithshme të bienales, me shqetësimet dhe problemet që trajton ky edicion, por edhe përpjekjen për të gjetur alternativa të tjera. Artisti Adrian Paci e quan një gjetje konceptin e veprës së Driant Zenelit, që lidh realitetin me fantazinë, nëntokën e Shqipërisë me kozmosin. Përfaqësuesi i Kosovës në Bienalen e Venecias, Alban Muja, vlerësoi jo vetëm konceptin e veprës, por edhe instalimin e pavijonit. “You Live In Interesting Times” është titulli i edicionit të 58-të të Bienales së Venecias dhe i referohet një mallkimi antik kinez, që evokon kohëra pasigurish, krizash dhe kaosi; “kohë interesante”, si këto që po jetojmë. Ky edicion kurohet nga Ralph Rugoff, nën presidencën e Paolo Baratta-s. Sipas Rugoff, “ndoshta arti, në mënyrë indirekte mund të kthehet në një guidë se si të jetojmë e të mendojmë”. Në këtë edicion marrin pjesë 90 shtete, të vendosura në “Giardini e Arsenale”. Ndërsa 21 ngjarje kolaterale zhvillohen nëpër Venecia.

Driant Zeneli (1983, Shkodër, Shqipëri) jeton dhe punon
mes Tiranës dhe Milanos. Në vitin 2008 fitoi çmimin ndërkombëtar të artit bashkëkohor “Onufri”, në Tiranë; në vitin 2009 çmimin e artistëve të rinj europianë “Trieste Contemporanea” dhe në vitin 2017 çmimin “MOROSO”, Itali. Ai ka qenë drejtor artistik i bienales së artistëve të rinj nga Europa dhe Mesdheu, “Mediterranea 18”, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 në qytetet e Tiranës dhe Durrësit. Është bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë. Veprat e tij janë paraqitur në: GAMeC, muze i artit modern dhe bashkëkohor, Bergamo (2019);
Passerelle, Centre d’art contemporain, Brest (2018); Mostyn Gallery, Uells, Britani e Madhe (2017); MuCEM, Marsejë (2016); Academie de France à Roma (2016); Centre Pompidou, Paris
(2016); IV Bienal del Fin del Mundo, Kili (2015); GAM, muze i artit modern dhe bashkëkohor, Torino (2013); White House Biennial, Athinë (2013); KCCC, Klaipeda, Lituani (2013); ZKM,
Karlsruhe (2012); MUSAC, Castilla León, Spanjë (2012); Bienalja e Pragës 5, Pragë (2011); Trongate 103, Glasgou (2011); Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë (2010); Museo d’Arte
Contemporanea Villa Croce, Genoa (2009); Galeria Kombëtare e Tiranës (2008).

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.