Opinion-Komente

Borchardt, një lake që duhet përbuzur

07:50 - 15.05.19 Andi Bushati

Bernd Borchardt e ka radhitur veten në linjën e paraardhësve më të përbuzshëm që OSBE ka dërguar ndonjëherë në Tiranë. Nëse Dan Everts bridhte me uniformë ushtarake në mjedisin e militarizuar shqiptar, duke përdorur çdo armë që kishte në dorë kundër opozitës së demokratëve, nëse Eugen Volfarth, nginjej me qofte dhe fryhej me birra mbi kufomat e demonstruesve socialistë në bulevard dhe zgjedhjeve vjedhura në Tiranë, diplomati gjerman do të mbahet mend si një pupac qesharak në duart e rilindjes.



Këtë profil të tij e bën edhe më të theksuar fakti se ai pasoi në gusht 2016, një profesionist race si Florian Rauning, i cili u vu në qendër të goditjeve të qeverisë, për largimin e OSBE nga Shqipëria, pas publikimit të raportit që pretendonte se Edi Rama kishte 200 milionë euro të fshehura në kompanitë offshore. Ky raport konfidencial që tronditi skenën politike vendase nuk përmendte vetëm kriminalizimin e parlamentit, 10%-20% që merrte ryshfet ish kryetari kur drejtonte bashkinë, ndërtuesit që i kish bërë deputetë, por fshikullonte fort, me të njëjtën ndershmëri edhe Sali Berishën apo Ilir Metën.

Kjo ishte një nga herët e vetme dhe të fundit (pas zbulimit të kabllogrameve të Wikiliksit) kur publiku shqiptar kuptonte se ç’mendonin saktësisht ndërkombëtarët për politikën shqiptare.
Nuk kaloi shumë kohë pas këtij “skandali” dhe austriaku i fisëm Rauning, u largua.
Bernd Borchardt që e pasoi vendosi ta drejtojë ndryshe misionin e vendosur në hotel Sheraton.

Askush nuk mund ta gjykojë për këtë. Askush nuk mund të ankohet për preferencat e tij për rilindjen apo për idenë që ai ka për zhvillimet politike në vend.

Natyrisht, një pjese të mirë të shqiptarëve nuk u ka ardhur mirë, që në pikun e protestave studentore ai u involvua në këtë krizë, që nuk është në mandatin e tij, duke u bërë zëdhënësi i Ramës në thirrjet për dialog.

Ata mund t’i kenë parë me dyshim absurditetet publike të zëvendësit të tij, se blerja e votës nuk cenon rezultatin.

Ata mund të jenë tallur me deklaratat se kodi zgjedhor mund të votohet edhe pa opozitën (që s’kanë guxuar ta thonë aq troç as vetë socialistët).

Ata mund ta kenë nënqeshur kur e kanë parë të përdridhet teksa flet për degradimin e lirisë së mediave në vitin e fundit.

Ata mund ta kenë përçmuar teksa e kanë ndjekur duke ndryshuar në kohë reale vetëtimat që lëshonte kundër dhunës në protesta.

Por, pavarësisht nga këto ndjenja të përziera ata, në pjesën më të madhe, mund ta kenë justifikuar, si një arbitër të anshëm me preferencat apo interesat e tij. Në këtë pikë nuk do të qe as i pari e as i fundit diplomat perëndimor që sillej kështu në Tiranë.
Ndërsa ajo që ndodhi të shtunën në mbrëmje e derdhi gotën, pasi Brend Borchardt pranoi ta degradojë statusin e tij: nga një gjykatës që imponohet, në një zar që përdoret.

Mënyra se si ai e lejoi pushtetin të manipulonte me rastin e “kërcënimeve” ndaj tij, qe e turpshme. Disa pak qytetarë, nga portretet më të paqme që janë parë ndonjëherë, thjeshtë guxuan ti thërrasin se duhet ti vijë turp. Ata nuk patën frikë t’ia zhgarravitin këtë edhe në muret e shkallës ku banon.

E ku qenkërkësh akti terrorist këtu? Ku është “dhuna kriminale e pashembullt” për të cilën vuri alarmin Edi Rama?

Megjithëse vjen nga një vend ku akte të tilla proteste, as nuk përbëjnë shkelje, jo më të trajtohen si krime të padëgjuara, Borchardt vendosi ti nënshtrohej logjikës autokratike të regjimit të Tiranës. Ai e vuri veten me gaz në shërbim të propagandës, njësoj si ata aktorët e ‘Portokallisë’ që mbjellin pemë te liqeni, apo ata katundarët që marrin tapitë në fushatë.

Ai nuk bëri asgjë më pak sesa një lake i zakonshëm shqiptar. Dhe prandaj ai e rreshtoi veten në aradhën e diplomatëve që meritojnë përbuzjen. Jo thjeshtë për aktet që ka bërë, as për fjalët që ka thënë, por për mënyrën si ka lejuar ta shpërdorojnë.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *