Kryesore

Edhe unë kam vuajtur nga bullizmi

10:01 - 15.05.19 Nga Kujtim Xhaja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot do të shkruaj për një nga fenomenet më të përhapura të kohëve që jetojmë: për bulizmin apo bullizmin, quajeni si të doni. Shumë prej jush mbase nuk e kanë dëgjuar ende si nocion… Prindërit tanë mbase nuk e dinë çdo të thotë, por shumë prej fëmijëve të tyre po e mbajnë mbi supe barrën e tij të rëndë, çdo ditë e më shumë.




Ngacmimet, talljet, ofendimet, lojrat dashakeqe, tinëzare, të gjitha këto përbëjnë atë që rëndom sot quhet bullizëm.

Fëmijët ballafaqohen me këtë fenomen që në moshë të vogël, aty ku fillon socializimi dhe marrëdhëniet dhe ndërveprimet shoqërore, që në kopësht madje. Bullizmi mund t’i shoqërojë ata edhe më vonë, në jetën shkollore, atë studentore e më tej.

Këto ditë më ra në duar një studim i fundit i kryer nga “Qendra për të Drejtat e Fëmijëve” dhe “Qendra për Fuqizim e Zhvillim”, e cila pas disa pyetësorëve të kryer kish dalë në përfundimin se 46% e të rinjve shqiptarë preken nga bulizmi në Shqipëri.

Mbeta pafjalë!

Shifrat ishin të frikshme: 62.3% e atyre që u përgjigjën rezultuan bulues ose të prirur ndaj bullizmit. 37.7% e të rinjve dolën të bulluar, ose të rrezikuar nga bulizmi. Me një përllogaritje të thjeshtë del se tre nga dhjetë të rinj mund të bëhen bulues, ndërsa dy nga dhjetë të rinj mund të bien viktimë e bulizmit.

Kjo do të thotë, që ne, “viktimat” e kësaj dukurie, i kemi në shtëpi. Ata janë fëmijët tanë, nipërit, mbesat, vëllezërit a motrat tona.

Duke lexuar këtë studim shkova me mendje shumë kohë prapa, në fëmijërinë time, atëherë kur për këto gjëra s’dihej e nuk flitej si sot! Mu kujtua një ndodhi personale e cila sa herë e kujtoj më lë një shije të keqe edhe sot. Unë, në moshën e hershme shkollore gjithmonë jam “shquar” si një nxënës shembullor. Një nxënës i “të lumshin duart” “i flamujve me yje” në fund të fletoreve të bukurshkrimit, e më vonë i dhjetave të merituara, por çaloja në një vend tjetër: në futboll.

Kur vinte ora e fiskulturës nuk kisha nga të strukesha, nga të futesha dhe gjithmonë përfundoja si portier ose si ndonjë lojtar i dorës së dytë, ose më e pakta, një lojtar rezervë…  E urreja atë orë me plot kuptimin e fjalës…Shokët e mi ma hidhnin gjithmonë në sy këtë të metë, nuk kishte ditë që mos t’ma kujtonin e kjo më bënte të ndihesha shumë i paaftë. Më dukej sikur nuk isha i barabartë me ta, sikur diçka tek unë nuk shkonte…

Po ku ta dinë, ku ta kuptojnë ata në atë moshë…se njeriu nuk është perfekt, që ka disa gjëra që di t’i bëjë më mirë se disa të tjera…ata nuk e kanë ende pjekurinë për ta logjikuar këtë…E kjo ishte e përhershme, e përsëritur në çdo rrethanë.

E kjo gjë kur bëhej në grup shijonte më shumë. Psikologjia e këtyre djelmoshave tallës funksiononte kështu: Ata ishin përherë në kërkimin e shenjestrës së rradhës: e kur e gjenin “elementin e duhur” e bënin tabelë qitje për të gjithë, për të konfirmuar kështu rolin e tyre mbizotërues mbi të tjerët. Kjo ishte një mënyrë për të pozicionuar rolin, statusin e tyre në shoqëri. Kështu zhvillohen marrëdhëniet që në atë moshë ende të papjekur mirë.

Shoqëria e djemve i pëlqente “ata”, bëhej njësh me ta… Dy rrugë kishte: ose do të tallnin, ose do t’i tallnin, rrugë të mesme nuk kishte…

Po sa dëme shkakton kjo gjë! Dëme të cilat rrënjosen thellë në memorien e fëmijës apo adoleshentit, të cilat lënë gjurmë në karakterin e tij dhe në mënyrën sesi ai do t’i perceptojë gjërat edhe jetën më vonë.

Sa raste kemi dëgjuar për fëmijë të kësaj grupmoshe, të cilët kanë arritur deri në vepra tragjike ndaj jetës së tyre prej ngacmimeve dhe përndjekjeve të vazhdueshme?!

Kjo moshë e ka shumë të rëndësishme dukjen, shfaqjen dhe ekzibicionizmin ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, sepse është një fazë e tillë, në të cilën përpiqen të marrin vazhdimisht miratimin dhe pëlqimin e tyre.

Unë ua mbaj mend shumë mirë fytyrën dhe s’do t’ua harroj kurrë tallësve të mi. E kushdo s’do ti harrojë ato fytyra që na bënë të ndihemi inferior, të paaftë edhe të padëshiruar…

Shpesh herë jam përplasur në autobus, në lagje me një moshatarin tim, të cilin e mbaj mend shumë mirë. Kemi qenë rreth moshës 6-7 vjeçare. Në atë kohë ishte mjaft në “modë” loja e disa taso—ve plastike me heronjtë e filmave vizatimorë , të cilat na binin në qeset e patatinave dhe ne i mblidhnim si të ishim ca koleksionues të përbetuar. Besoj të gjithë ju, bashkëmoshatarët e mi e mbani mend.

Madje edhe i shkëmbenim me njëri-tjetrin. Me shumë mundim dhe zell kisha arritur të mblidhja një dyzinë të madhe prej tyre dhe me një kënaqësi të pashoqe do t’i shkëmbeja me djalin tjetër. Atë pamje nuk e harroj kurrë, ku me një lëvizje të shpejtë dhe me një tallje tinëzare, ai mi rrëmbeu të gjitha pjesëzat e rrumbullakta plastike e u zhduk nga sytë- këmbët. E unë mbeta ashtu, krejt fillikat, pa asnjë gjë. Ai kish marrë me vete “thesarët e mi të vegjël”, të cilët unë me aq shumë mund i kisha mbledhur nga njëra-ditë në tjetrën…sa shumë i doja…

Në atë çast mu duk sikur e gjithë bota u përmbys para meje…

E sa histori të tilla ekzistojnë, e sa fëmijë mund të jenë ndier kështu si unë? E sa prej tyre kanë folur, janë shprehur? E sa prej tyre janë dëgjuar? E sa prej tyre janë mbyllur në vetvete? E sa të tjerë janë dëshpëruar, janë depersonalizuar? Janë ndjerë të papranuar, të mohuar? Këto janë pasojat e bullizmit, e këtij fenomeni, i cili po hedh rrenjë përditë e më shumë në ambientet e përditshmërisë së fëmijëvë tanë.

Në kohët e sotme po flitet edhe për bullizmin digjital. Shumë fëmijë intimidohen, miklohen me foto provokuese, me sharje, ofendime, ngacmime online dhe përndiqen gjatë…

Prindërit në pamundësinë e tyre, mjaftohen dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe, kopësht, shkollë dhe “gënjejnë veten” sikur telashet e tyre kanë përfunduar aty, por ato në të vërtetë sapo kanë filluar aty…Shumë prej tyre nuk i dinë realisht problemet që has fëmija në rutinën e shkollës, ka të tjerë syresh që mburren me rezultatet e larta në mësime të fëmijës, po tek e fundit ç’rëndësi kanë ato në krahasim me stresin psikologjik, emocional, shpirtëror që vogëlushët heqin përditë…

Bullizmi është një këmbanë me zile e cila bie vazhdimisht për të gjithë ne, për të na paralajmëruar, për t’na treguar se edhe një nga gjërat më të çmuara e më të bukura të jetës, siç është fëmijëria e fëmijëve tanë tashmë nuk është më edhe aq e bukur nga se e imagjinonim edhe ne vetë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.