KULTURË

Eriona Rushiti: Me Jonida Maliqin në Eurosong, përvoja jonë në Izrael

15:03 - 15.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Që ditën e parë që kemi ardhur kemi ndierë se ky vend është vërtetë një vend i shenjtë”. Eriona Rushiti, kompozitorja dhe tekstshkruesja e këngës “Ktheju tokës” që përfaqëson Shqipërinë në Eurosong e nis kështu rrëfimin e saj për përvojën e ekipit shqiptar në Izrael.
“Sa i takon Eurovizionit, organizimi është perfekt. Provat kanë shkuar shumë mirë. Bëhen ‘pak në mënyrë të izoluar’ sepse nuk mund të futesh në sallë e të ndjekësh konkurrentët e tjerë. Ka pasur secili hapësirën e vet, sallën e vet dhe minutazhin e vet për të bërë prova e për të përgatitur performancën”.
Rushiti tha dje për ‘GSh’ se “Jonida (Maliqi) është vlerësuar shumë mirë vokalisht, duke nisur që na turi që është bërë në Madrid, Londër e Amsterdam. Kënga e saj është vlerësuar nga dëgjuesit në dy vendet e para bashkë me Holandën”.
E pyetur për performancat, ajo tha se sigurisht vihet re investimi i madh në skenografi që bëjnë vendet e fuqishme. “Aty tregohet edhe fuqia ekonomike. Edhe pse një skenografi sado e shtrenjtë të jetë nuk arrin dot të mbulojë një këngë që nuk është mirë, ose që nuk është në parametrat profesionalë a muzikorë të lartë. Një këngë e mirë mendoj që gjithsesi vlerësohet dhe këtë vit se pak janë këngët unike”, theksoi Rushiti.




Sa i takon veshjes së Jonida Maliqit, që interpreton këngën “Ktheju Tokës”, kompozitorja tha se i është bashkuar grupit stilisti Ardi Asllani, i cili ka sjellë veshjen e Jonidës. “Është një veshje që ashtu si edhe kënga është mbështetur në tabanin dhe në folklorin tonë. Është një veshje e zezë, një fustan i zi, i rëndë, i madh si emocioni i këngës. I punuar me filigran ari ku krijohen figura të ndryshme në fustan. Vërtetë më ka pëlqyer jashtë mase që në shikim e parë dhe i rri mjaft bukur, autoritetit dhe prezencës së saj në këngë dhe i përshtatet mjaft mirë edhe vetë këngës”. Sa i takon tematikës që trajton teksti, pra emigrimit, Rushiti tha se është vlerësuar shumë në konferencat për shtyp, sidomos nga gazetarët izraelitë. “Gazetarët e kanë cilësuar si mesazh të fuqishëm tematikën e emigrimit”.
Në fund kompozitorja vlerësoi mbështetjen që ka pasur ekipi shqiptar nga ambasadori shqiptar në Izrale, Bardhyl Camaj.
Edicioni i 64-të i Eurovisionit, i cili këtë vit do të mbahet në Tel Aviv të Izraelit, ka nisur mbrëmë.
Eurovisioni këtë vit prezantohet nga modelja e njohur me famë botërore, Bar Rafaeli si dhe Erez Tal, Assi Azar dhe Lucy Ayoub.
Dhjetë shtete performojnë në tri netët e këtij festivali, ku në mesin e tyre është edhe Shqipëria. Maliqi këndon më 16 maj, në natën e dytë gjysmëfinale e 14-ta me radhë. Finalja e Eurovisionit do të mbahet më 18 maj.
Wiwiblog(që bën lajme për Eurosong) në një artikull me titullin “10 fakte për përfaqësueses e Shqipërisë në Eurovizion, shkruan se Maliqi këndon një “balladë të fuqishme me motive etnike. Ajo bart një mesazh të fortë për emigrimin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë”.

KLIPI

Dy fëmijë të trembur vrapojnë mes ujit, zjarrit dhe shiut, duke lënë pas djerrinë dhe rrënoja. Një vrap për t’i ikur frikës, duke kthyer herë pas herë kokën pas, por duke kërkuar shpëtim. Lexon në hapat që hidhen me nxitim ankthin të ikurve në mesnatë pa parë se ku po i hedhin këmbët. Derisa një shi i madh, duke se lan gjithë baltën që e shkelëm kur ecnim në errësirë. Të gjunjëzuar që mezi ngrihen në këmbë, trupa që shquhen, po nuk shihen. E kanë lënë folenë si në legjendën e shqiponjës. Ky është klipi i këngës.
“Është kjo foleja e një shqiponje, por që me këtë simbolikë autorët duan ta përgjithësojnë atë me folenë, apo shtëpinë e gjithkujt. Dhe foleja e çdo shqiptari, është Shqipëria. Kur folenë e prishin, e djegin dhe kur gjendesh mes flakësh, t’i mundohesh të gjesh shpëtim, e shpëtimi është ikja. Ti ikën, por gjithçka mbetet aty: zanafilla, gjaku, origjina, identiteti e çdo gjë tjetër që të personifikon. Ti ikën, por brenda vetes lufton me dëshirën dhe klithmën e kthimit… Ktheju tokës tënde!”, qe shprehur kompozitorja Eriona Rushiti.
Sa i takon pritshmërive për në Eurosong, në një intervistë Jonida Maliqi është shprehur se “Ne nuk jemi një shtet i madh, aq sa për të arritur të influencojmë në marrëdhëniet gjeopolitike. Por pjesëmarrjet tona atje kanë treguar se më një zë të fuqishëm, apo me një këngë të bukur nuk mbetesh pa u vlerësuar, apo pa lënë gjurmë. Është ende herët, pasi akoma nuk janë shpallur këngët pjesëmarrëse të Eurovision 2019. Ne jemi vendi i parë që e kemi shpallur dhe me aq sa kam parë, kënga është pritur mjaft mirë, si një këngë origjinale dhe autentike”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.