SPORT

Partizani dhe Kukësi nisin manovrat e merkatos

11:10 - 15.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Partizani dhe Kukësi po përgatiten për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në Kupat e Europës dhe këtë më së shumti e dëshmon fakti që si kampionët, ashtu edhe verilindorët, kanë nisur të piketojnë afrimet e radhës në ekip, ndonëse më herët duhet të blindojnë elementët më cilësorë të grupit. Të kuqtë janë klubi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Champions League dhe kanë nevojë për përforcime të kalibrit të lartë. Flitet për një rikthim të bujshëm, ai i Arbnor Fejzullahut, mbrojtësi i djathtë që aktivizohet në radhët e Njushatelit në Zvicër. 26-vjeçari braktisi të kuqtë për superligën helvete kryesisht për motive familjare, por aktivizimi i tij atje ka qenë me pikatore, ndërsa së fundi menaxheri i lojtarit po punon që ta rikthejë te Partizani, ku shkëlqeu në tri sezonet e tij të para, përpara se të vuante një dëmtim në edicionin e shkuar.




Sa i takon kontingjentit aktual, Lorenc Trashi, Jasir Asani dhe Egzon Belica janë emrat më të lakuar për një largim të mundshëm. Mbrojtësi i majtë ka treg në kampionatin kroat, Asani mund të largohet për një shifër prej 400 mijë eurosh të parashikuar në klauzolë, ndërsa Belica del i lirë në fund të sezonit, ndonëse drejtori Rama ka pohuar se me struganin do të rinovohet kontrata. Me finalen e Kupës së Shqipërisë të siguruar dhe vendin e 4-ët gjashtë pikë larg, Kukësi praktikisht është skuadra tjetër që do të luajë në Europë. Verilindorët do të përfaqësohen në Ligën e Europës, ndërsa presidenti Gjici është vënë menjëherë në lëvizje për të blinduar prapavijën, repart që ka çaluar shumë këtë sezon. Emri i parë në listë është ai i Bujar Likës, mbrojtësit së Grasshopersit dhe Kombëtares kuqezi, por drejtorit Nexhipi do t’i duhet shumë punë për ta bindur. Gjithsesi, objektivi primar janë rinovimet. Rexhinaldo, Korderiro, Rrumbullaku, Cuculi dhe Frashëri kanë paraqitur në FSHF kërkesën për të qenë të lirë në fund të sezonit, duke mos pranuar rinovimin automatik të kontratës. Gjithsesi, drejtuesit e Kukësit duan të bëjnë një ecuri sa më të mirë në Europë dhe një nga kërkesat kryesore të trajnerit Gjoka është të blindohen elementët kryesorë të grupit aktual.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.