AKTUALITET

Video/ Sejko: Bankat të jenë më aktive në kreditimin e ekonomisë

18:40 - 15.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pohuar që një nga sfidat kryesore të sistemit bankar është që të përmbushë më mirë rolin e tij të ndërmjetësuesit të fondeve në ekonomi, duke qenë më i vëmendshëm në alokimin eficient të fondeve, drejt sektorëve produktivë dhe me potencial të lartë afatgjatë, që nxisin punësimin. Kërkesën guvernatori e ka bërë gjatë fjalës së tij në konferencën e zhvilluar nga Shoqata Shqiptare e Bankave në 20-vjetorin e krijimit të saj. “Sistemi bankar në Shqipëri ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë dy dekadave të fundit – tha Sejko. – Do të doja, për ilustrim, të sillja në vëmendjen tuaj disa shifra e fakte. Në harkun e dy dekadave, portofoli i kredisë bankare është zgjeruar ndjeshëm, duke kaluar nga 5% në 35% të PBB-së së vendit. Po ashtu, vëllimi i depozitave apo, me fjalë të tjera, vëllimi i kursimeve të publikut shqiptar që administrohen nga sektori bankar është rritur nga rreth 45%, në 70% të PBB-së. Në të njëjtën kohë, numri i individëve, depozitat e të cilëve janë mbuluar nga skema e sigurimit është gjashtëfishuar, duke arritur në 2.4 milionë.




Paralelisht me treguesit sasiorë, sektori bankar shqiptar ka shënuar zhvillim, sofistikim dhe progres të ndjeshëm në gamën e produkteve bankare dhe të instrumenteve të pagesës që ofron. Së fundi, por po aq e rëndësishme sa treguesit e zhvillimit, ky sektor është shfaqur rezistent ndaj goditjeve dhe në ndryshim nga mjaft eksperienca të tjera të vendeve të rajonit nuk ka pasur nevojë për përdorim të fondeve publike”, – tha Sejko. Duke nënvizuar progresin e bërë, Sejko theksoi se zhvillimi i sektorit bankar dhe i sistemit financiar në përgjithësi nuk ka qenë linear: sfidat me të cilat ai është përballur kanë qenë të vazhdueshme dhe të formave të ndryshme. Këto sfida kanë kërkuar kujdes dhe vendimmarrje aktive, inteligjente e kurajoze.

“Jam i bindur se eksperienca e përbashkët mund dhe do të na ndihmojë në vendimmarrjen tonë në të ardhmen”, – deklaroi ai. Sejko ka bërë një ekspoze të shkurtër të situatës ekonomike e financiare, si dhe të perspektivave të zhvillimit të vendit. “Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare është në udhë të qëndrueshme përmirësimi të pozicionit të saj ciklik. Zgjerimi i kërkesës agregate ka sjellë përshpejtimin e rritjes ekonomike, rritjen e punësimit e të pagave, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve e familjeve. Paralelisht me të, bilancet e sektorit bankar janë të shëndosha dhe në përmirësim. Parametrat kryesorë të likuiditetit dhe kapitalizimit janë përtej kërkesave tona rregullatore, treguesi i kredive me probleme është në një trend të qartë rënës dhe sektori bankar shfaqet rentabël. Gjithashtu, konsolidimi në proces i sektorit bankar ka sjellë në treg aktorë të rinj, të cilët përfitoj nga rasti t’i përshëndes dhe ka krijuar premisa për rritje të konkurrencës e të eficiencës në sistem. Së fundi, provat tona të rezistencës tregojnë se ky sektor është i aftë në tërësi për t’u bërë ballë goditjeve”, – tha në fjalën e tij guvernatori. Sejko u shpreh se sistemi bankar ka një rol kyç në ruajtjen e kursimeve të familjeve shqiptare, në ndër-mjetësimin dhe alokimin e fondeve, si dhe në zgjerimin e instrumenteve të financimit, të administrimit të rrezikut dhe të pagesave. Shkalla e përmbushjes së këtyre funksioneve do të ketë një lidhje të ndërsjellë me ritmin e zhvillimit të vendit në horizontin afatgjatë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.