AKTUALITET

BSH: Bankat duhet të shmangin kostot fikse

15:25 - 16.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sistemi bankar ka rritur në vazhdimësi komisionet për veprimet që kryhen në banka pesë viteve të fundit. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë mësohet se vitin e kaluar bankat arkëtuan 11 miliardë lekë në zërin ‘gjoba dhe komisione’. Krahasuar me vitin 2014, të ardhurat nga ky burim janë rritur me 38%. Shtimi i të ardhurave është rezultat i rritjes së komisioneve bankare në vitet e fundit. Kjo ka ndodhur për të kompensuar rënien e vazhdueshme të të ardhurave nga interesat, por reflekton edhe rritjen e kostove të mbajtjes së fondeve, sidomos në euro, në kushtet kur normat reale të interesit për monedhën europiane janë negative. Në pamundësi për të përcjellë normat negative te depozituesit, bankat kanë reaguar kryesisht duke rritur komisionet. Ndërkohë strategjitë regulative të Bankës së Shqipërisë parashikojnë që sektori bankar të ri hartojë strukturën ekzistuese të çmimeve, të paktën për llogaritë rrjedhëse.




Kjo lidhet me nevojën për të rritur përdorimin e kanaleve bankare dhe sidomos për të zhvilluar pagesat elektronike dhe ato në formë jo cash, në përgjithësi. Strategjia kombëtare për pagesat me vlerë të vogël përcakton se, për aq sa është e mundur, shpenzimet paraprake për hapjen e një llogarie bankare dhe tarifat e detyrueshme të mirëmbajtjes mujore do të shmangen. Ndërhyrja sidomos te kostot fikse çmohet si më thelbësore, sepse ato nuk varen nga shkalla e përdorimit të llogarisë ose nga fakti që klienti mund të përdorë instrumente pagesash më pak të kushtueshme për bankën. Struktura e re e çmimeve të llogarive rrjedhëse në sistemin bankar do të synojë të nxisë më shumë individë dhe biznese të vogla që të kenë llogari dhe të përdorin pagesat elektronike përmes këtyre llogarive, në vend të parasë fizike. Në hartimin e një strukture të re çmimi, element udhëzues që do të merren në konsideratë është fakti se alternativat e pagesave plotësisht elektronike do të jenë më pak të kushtueshme, sesa pagesat me para në fizike. Llogari mbajtësit do të kenë stimuj të qartë për të mbajtur fondet në llogaritë e tyre, me qëllim reduktimin e mjeteve monetare në qarkullim dhe rritjen e shumës totale të fondeve që mund të transferohen në mënyrë elektronike, në të gjithë sistemin bankar shqiptar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.