AKTUALITET

Konkurs mes gjimnazeve të Tiranës, fituesit marrin bursë në “Luarasi”

10:00 - 16.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në kuadër të projektit E-Gymnasium Innovation Week, në ambientet e universitetit “Luarasi” po zhvillohen një seri trajnimesh për gjimnazistët e kryeqytetit. Deri më datën 17 maj, të rinjtë do të kenë mundësi të ndjekin leksionet e të pasurojnë njohuritë në fusha si drejtësia, ekonomia apo teknologjitë e informacionit. Ky projekt i iniciuar nga vetë universiteti dhe qendra FAB synon të mbështesë mësuesit dhe nxënësit e gjimnazeve të Tiranës në procesin e mësimdhënies. Dekania e Juridikut, Rezana Konomi i ka orientuar gjimnazistët mbi temat ku duhet të fokusohen. Nxënësit dhe mësuesit i janë bashkuar klubeve të krijuara “IUS”, “Keynes” dhe “Inno Club”, bazuar në tre fakultetet e vetë universitetit. Zv. rektorja e universitetit Luarasi, Anni Dasho Sharko e vlerësoi këtë projekt si tejet inovativ. “Universiteti “Luarasi” vjen pranë gjimnazeve dhe gjimnazistëve në konceptin e tij më inovativ. Ne kemi krijuar 3 grupe, sipas 3 fakulteteve që “Luarasi” ka në përbërjen e tij: grupin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit INO CLUB, grupin e fakultetit të ekonomikut KEYNES CLUB dhe atë të drejtësisë JUS CLUB. Këto tre grupe tërheqin gjimnazistët më të mirë me idetë e tyre inovative dhe eseve, projekteve dhe minimeve të këtyre grupe për të sjellë një version inovativ të atij projekti që do hidhet gjatë këtyre ditëve. Gjimnazistët do trajnohen gjatë këtyre ditëve. Studentët tanë më të mirë bëhen pjesë e leksioneve të hapura për këta gjimnazistë. Temat përkatëse që do të punohen gjatë këtyre ditëve janë inovative”,-tha Sharko. Më tej kjo e fundit bëri me dije se në përfundim të trajnimit do të zhvillohet një konkurs për projektet më të mira ku fituesit do të përfitojnë bursa në “Luarasi”. “Në fund fare i gjithë procesi do të mbyllet me një konkurs i cili do të finalizojë fituesit, të cilët do të kenë dhe një bursë për t’u bërë pjesë e universitetit “Luarasi”. Është një ide inovative, që lidh sa më afër gjimnazin me universitetin. “Luarasi” vjen pranë gjimnazit me idetë e tij më inovative për ta bërë më të prekshme ardhjen vitit tjetër në universitet. Deri tani, numri i gjimnazistëve të interesuar për këtë projekt ka qenë shumë i madh, na ka surprizuar dhe deri ditën e sotme, pavarësisht se aplikimet u mbyllën javën që kaloi, kishim kërkesa për të qenë pjesë e këtyre grupeve inovative. Shpresoj në diçka inovative shumë të mirë në ndihmë të universitetit, gjimnazit dhe gjithë atyre prindërve që mendojnë të fokusojnë fëmijët e tyre se ku do ta çojnë në të ardhmen”,-u shpreh zv. rektorja.




4 6 5 7
<
>

Leksionet
Dekani i Ekonomikut Mateo Spaho vuri theksin te arsyetimi ekonomik dhe dhënia e zgjidhjeve nga vetë gjimnazistët. “Edhe studentët që aspirojnë të jenë ekonomistë të rinj do të jenë pjesë e këtij aktiviteti dhe synimi është që ata të marrin me leksione të përgjithshme fillestare, dijet kryesore dhe të futen në të njëjtën kohë dhe në tematikat më të mprehta të vendit tonë duke kërkuar që nga pikëpamja e tyre të provojnë të japin zgjidhje të thjeshta. Synimi ynë është që ata të fillojnë dhe të arsyetojnë në mënyrë ekonomike dhe me bazat që jep ekonomia e tregut. “Luarasi” është një universitet që synon të marrë studentët nga bankat e shkollës së mesme dhe të krijojë me ta një lloj hapësire arsyetimi, mendimi ekonomik”,-tha Spaho. Ndërkohë, për dekanin e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, Indrit Baholli, projekti është tejet interesant e do tu japë mundësinë të apasionuarve pas informatikës të paraqesin websitet e tyre. “Aktiviteti që jemi duket lançuar është me tepër interes për pjesëmarrësit.

Ne gjithmonë synojmë edhe si akademikë të përafrojmë nivelet e ndryshme të strukturave akademike. Në këtë këndvështrim, qëllimi jonë është të eliminojmë sa më shumë hendeqet midis arsimit të mesëm dhe atij të lartë, pasi duam që studentët e ardhshëm të ndihen sa më të familjarizuar me atë çka i pret gjatë studimeve të larta. Sa i përket teknologjisë së informacionit, një nga shtyllat kryesore të këtij aktiviteti, ne do përpiqemi gjatë këtyre ditëve në mënyrë intensive, pa u marrë shumë kohë maturantëve, t’u ofrojmë një trajnim intensiv nga pedagogët më të mirë që kemi në “Luarasi”, me qëllim që brenda një kohe të shkurtër të na paraqesin një projekt. Mundësisht, kontribuojnë në krijimin e websiteve të gjimnazeve që ata përfaqësojnë. Kjo do të jetë diçka interesante që do prezantohet në formën e një konkursi për websitin më të mirë. Jam i bindur që do kemi prurje mjaft cilësore pasi këta të rinj që vijnë sot janë nga më të talentuarit dhe tepër të apasionuar me teknologjinë e informacionit”,-tha Baholli. Projekti është një mundësi shumë e mirë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet universitetit dhe institucioneve të arsimit të mesëm në Shqipëri në përballimin e sfidave që i asociohen arsimit me gjithë dinamikat që e karakterizojnë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.