KULTURË

Një këngë dashurie, kur po lë jetën pas

16:25 - 16.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është një histori e vjetër, një burrë takon një grua. Vetëm kaq dimë të bëjmë? (…) Sigurisht, nuk kishte dëshirë t’i kthehej rinisë. E ka kuptuar çfarë duan të gjithë, pasi kapërcehet gjysma e jetës. Është e rëndësishme të hiqesh sikur je aty, i pranishëm, qoftë edhe me përpjekje mbinjerëzore. Të qeshurat duhet ta gënjejnë vdekjen… dhe vdekja me mefshtësinë e saj mendon: prit pak, këtu nuk ka vend për mua… këtu janë të gjithë shend e verë.




Një fragment i romanit “Pas xhamit të dyfishtë”, zbulon brendinë e një vepre që rreket të përcjellë dashurinë dhe dhembjen e dy njerëzve në moshë, që dalin kundër të gjithëve për atë që ndjejnë.
Rrëfimi nis nga dritaret e mirëizoluara me xhama të dyfishtë të apartamentit të saj në Reikjavik, ku një grua e moshuar vështron jetën nga e cila ndihet tashmë e përjashtuar. Një jetë e vrullshme dhe e zhurmshme që vazhdon ta tërheqë, të ngrejë pyetje e të ushqejë urinë e saj për të tjera ditë dhe dëshirën e saj për të qenë pjesë e së tashmes. Ajo është e ve, ka fëmijë që e duan, por që bëjnë prej kohësh jetën e tyre, ka nipër tashmë të rritur e gjithmonë më të largët. Jeta e saj monotone lëkundet kur hyn në skenë një burrë, bashkëmoshatar, i ndarë nga e shoqja, i cili pa droje e miklon dhe e kërkon, duke e bërë të ndjejë edhe një herë dalldinë e dëshirimit dhe përkrahjes. Por, a është e pranueshme, e dëshirueshme, apo edhe thjesht e mundur të dashurohesh në moshën e saj? Çfarë mund t’u ofrojë dashuria dy jetëve vetmitare në perëndimin e tyre?

“Ishin si dita me natën, shkriheshin pa humbur te njëri-tjetri. (…) Diçka e humbnin rrugës… ishin të vetëdijshëm për këtë, por nuk e bënin të madhe. Ndonjëherë pengoheshin. Jeta s’duhet të jetë si në përralla. Kishin ndërtuar një barkë që çante dallgët, ndonjëherë në det të hapur”, thotë autorja në vepër.

Pse pasioni i të moshuarve mbetet një tabu, edhe në sytë e miqve dhe familjarëve, diçka që duhet mohuar ose kritikuar si një kapriço. “Pas xhamit të dyfishtë” është një këngë dashurie delikate për gjallërinë e shpirtit, që nuk i bindet vyshkjes së trupit, një rrëfim poetik e i ndjeshëm për largësinë e panevojshme që krijohet midis brezave e që mohon ndjenja të cilat nuk plaken kurrë. “Pas xhamit të dyfishtë” është një rrëfim delikat dhe i fuqishëm për faktin që nevoja për lidhje dhe kontakt është dominus i njeriut, deri në fund të jetës së tij”, – ka shkruar “Corriere della Sera”. Halldora K. Thoroddsen, 1950, është një shkrimtare islandeze. Ka botuar në disa zhanre, duke përfshirë këtu poezitë, tregimet dhe romanet. Romani i saj “Pas xhamit të dyfishtë” fitoi çmimin islandez e Letërsisë Femërore në vitin 2016 dhe Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë në vitin 2017. Thoroddsen, shkrimtare dhe poete islandeze, ka shkruar një roman të shkurtër dhe të gjallë, një dritare e hapur mbi mendimet e një gruaje që po arrin perëndimin e jetës, por që ka një vështrim të ndritur si agimi. “Janë fitimtarët, ata që vendosin. Tregu gllabëron me një forcë të panjohur deri më tani, është bërë një grabitqar i rangut botëror dhe askush s’i vë dot fre. Dhe nuk e vuan vetëm mjedisi, jemi të gjithë në rrezik zhdukjeje. Ne dhe gjithçka që kemi më të shtrenjtë: imagjinatën dhe solidaritetin”, – shkëpusim nga libri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.