SPORT

Rama: Fati ndihmon më të mirin, tani të përgatitemi për Europën

16:59 - 16.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi- Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama është një nga njerëzit më të rëndësishëm dhe që ka ndikuar më së shumti në aspektin pozitiv në rrugën e të kuqve drejt titullit kampion, i cili i mungonte klubit prej 26 viteve. I ftuar në studion e emisionit “Wake Up” në Top Channel, Rama nënvizoi se në futboll mund të fitohet edhe pa pasur një sulmues tipik dhe këtë e vërtetoi Partizani, ndërsa shtoi se kundërshtari më i vështirë ishte Laçi.
Kundërshtari më i fortë
“Ka qenë kampionat interesant, komplimentet më të bukura që kam marrë unë dhe presidenti kanë qenë se ky kampionat ka qenë më pak i kontestuar në vitet e fundit. Të gjitha ekipet ishin në lojë, nuk ka pasur ndeshje të lehta. Kukësi ishte rivali direkt që në fillim, pasi ishin ndjekësit më të afërt. Skënderbeu nuk ishte në vitin më të mirë, Teuta pati një rritje. Gjithsesi nuk harroj të them që ndeshjet tona më të vështira kanë qenë me Laçin dhe Kastriotin, disa ekipe që nuk bëjnë pjesë në elitën e sipërme të kampionatit. Ato i kanë dhënë një ngjyrim shumë të bukur kampionatit. Laçi ka një ekip që luan në një mënyrë prej vitesh, kanë djem të rinj, kanë entuziazëm, kanë një ekip që gjithmonë organizohet mirë në fazën mbrojtëse, nuk të lë hapësira. Këto janë disa elementë që e bëjnë Laçin të vështirë jo vetëm brenda fushës së vet, por edhe jashtë fushe”.
Pjesa e sulmit
“Futbolli ka treguar që fitohet edhe pa sulmues. Spanja ka fituar Botërorin pa një sulmues të mirëfilltë. Ne kemi pasur një treshe që me teknikën e tyre krijojnë panik te kundërshtari. Në një moment Mala, Bardhi dhe Asani e ngritën shumë ekipin, edhe pse asnjëri prej tyre nuk është sulmues tipik”.




Krahasimi me Liverpulin
“I shkon edhe ngjyra e kuqe, entuziazmi dhe lufta sportive që tregojnë. Padyshim i ekzagjeruar si krahasim, por le ta marrim të tillë për shpirtin e garës dhe dëshirën që kanë pasur për të treguar që jemi dhe ne faktorë dhe do të fitojmë. E shoh tek ata djem dhe shpesh ka qenë entuziazmi i tyre që ka tërhequr edhe mua edhe klubin, që të shpenzojmë më shumë kohë”.

Marrëdhënia me lojtarët
“E them që ndeshjet nuk fitohen të shtunën apo të dielën, por gjatë kohës që stërvitesh. Fitohen me mënyrën se si komunikon dhe sillesh jashtë fushës. Vlerat që një ekip të fitojë gjatë janë respekti, disiplina dhe rregulli. Ne këtë e kemi bërë në njëfarë mënyre. Kur marr një lojtar, veç aspektit teknik që e vlerëson stafi, dua të shoh çfarë karakteri ka, si është histori a e tij në ekipet ku ka qenë. Për ata që luajnë në Kosovë e Maqedoni pyesim shokë të tyre, pra gjen informacion për ta. Për të tjerët mundohemi të mësojmë sa më shumë, qoftë duke parë sjelljen në fushë. Është një jetë që bëjnë me njëri-tjetrin dhe kjo është diçka që nevojitet”.

Merkato në janar
“Fokusi kryesor ishte që të merrnim lojtarë më të mirë, që të shtonim një vlerë. Vlera nuk ishin thjesht individët, grupi ishte forca jonë dhe duhet të merrnim elementë që të integroheshin mirë. Patëm durim me Dilaver Dukën që i tregoi vlerat në ndeshjet e fundit, pasi arriti formën. Presim që dy nga lojtarët e rinj që na janë dëmtuar të na kthehen për sezonin e ardhshëm”.

Trajneri i Kombëtares
“Mendoj që trajneri i ri ka një bagazh dhe eksperiencë shumë të madhe. Besoj që do të arrijë të integrojë më mirë elementët. Jam ndjekës i kampionatit italian dhe mënyra e tij e lojës, kam përshtypjen që do t’i përshtatet kombëtares tonë. Kam shpresë që me një seleksionim të mirë do të marrim rezultatet e duhura”.

Akuzat jashtë fushe
“Jam shumë indiferent ndaj asaj që thuhet në media. Jam shumë i qetë në ndërgjegjen time dhe e di si sillem dhe se çfarë bëj. Këto janë disa gjëra që i kaloj me një auto ironi dhe një buzëqeshje në përgjithësi. Nuk mund ta lë të keqen që të futet brenda meje dhe të ndikojë në jetën time”.

Marrëdhënia me vëllain
“Ne kemi një jetë bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta. Unë personalisht kam bërë një pakt, që për kohën e limituar që ai ka, sepse është jashtëzakonisht shumë i zënë, nuk do ta shqetësoj as unë me problemet e tij politike, as ai me problemet e mia të sportit. Megjithëse ai është tifoz vetë, por thotë që nuk e ndjek kampionatin shqiptar. Në stadium nuk kemi parë ndeshje bashkë. Kemi të përbashkët pasionin për Juventusin dhe Italinë. Kemi luajtur basketboll bashkë. Unë vijoj dhe luaj, të paktën një herë, dy herë në javë kur kam kohë”, tha Rama.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.