Aktualitet

Tatimpaguesit pasivë, DPT: Pakësohet numri, 640 individë më pak se në 2018-ën

16:19 - 16.05.19 Gazeta Shqiptare

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka krahasuar të dhënat për periudhat respektive të dy viteve të fundit duke thënë se rezulton se për vitin 2019 kanë kaluar në status pasiv 640 tatimpagues më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. DPT shpjegoi se ka dy mënyra për kalimin në këtë status. Së pari, vetë tatimpaguesi kërkon pezullimin e aktivitetit, në sportelet e QKB dhe së dyti tatimpaguesit që përmbushin kushtin ligjor sipas nenit 44, shkronja “a” dhe “b”, pra nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike për 12 periudha tatimore mujore të njëpasnjëshme apo janë mosdeklarues për 12 periudha, të cilët kalojnë automatikisht nga sistemi në status pasiv. Sipas njoftimit nga të dyja këto raste, rezultojnë 373 tatimpagues më pak në 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018, të cilët kanë kërkuar pezullim të aktivitetit në QKB, ndërsa janë 267 tatimpagues më pak në 2019-ën, të cilët kanë kaluar në status pasiv në mënyrë elektronike nga vetë sistemi, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018. DPT tha se në çdo rrethanë leximi i këtyre shifrave nuk mund të jetë i ngurtë, pasi në praktikën e përditshme shumë tatimpagues që kanë ndërprerë veprimtarinë nëpërmjet pezullimit të aktivitetit në QKB kryejnë çdo ditë dhe riaktivizim të veprimtarisë pranë sporteleve të saj dhe kalojnë nga statusi Pasiv në Aktiv.



Gjithashtu, njoftimi bëri me dije se për periudhën janar-prill 2019, më shumë se 1400 tatimpagues kanë ndryshuar status nga Pasiv Aktiv. DPT tha se në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore”, i ndryshuar, neni 44, shkronja “c”, (ndryshimet e vitit 2019) për tatimpaguesit që pezullojnë apo ndërpresin aktivitetin në QKB është vendosur kushti që tatimpaguesit duhet të kenë paguar detyrimet tatimore deri në datën e pezullimit. Sipas njoftimit, qëllimi i këtij ndryshimi është disiplinimi i disa tatimpaguesve që ndërpresin aktivitetin në QKB, duke mos qenë korrektë me deklarimin e tyre lidhur me afatin e pezullimit, pasi veprimet e pezullimit i bëjnë më shumë se njëherë brenda vitit, por edhe për të ulur kostot e administrimit nga Administrata Tatimore për këta tatimpagues. DPT tha se ndërveprimi midis DPT dhe QKB, mbi listën e tatimpaguesve që kanë detyrime tatimore të papaguara, tashmë bëhet në mënyrë elektronike, i përkufizuar nga këto ndryshime ligjore dhe marrëveshja e bashkëpunimit midis dy institucioneve.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *