DOSSIER

14 maj 1948: Eretz Israel, hebrejtë kthehen në Tokën e Premtuar

18:30 - 17.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shiko Tokën e Kanaanit, thotë Zoti, që unë do ua jap në zotërim bijve të Izraelit. Kjo është toka që unë ia besova Abrahamit, Isakut e Jakovit duke thënë “Unë do t’ia jap sojit tuaj”. Është ora 4 pasdite e 14 majit 1948 dhe këto fjalë, që Moisiu i dëgjoi nga lartësitë e Malit Nebo përpara se të vdiste, duket se derdhen mbi turmën që ngjishet në një sallë të Muzeumit të Tel Avivit. Për popullin hebre, i dënuar të bredhë nëpër botë prej shekujsh, i persekutuar, i poshtëruar, i burgosur nëpër getot monstruoze dhe të pista, i privuar nga të drejtat më elementare të njeriut, viktimë e masakrave të kryera nga legjionet romake, nga radhët e kryqëzatave, nga hordhitë myslimane dhe së fundmi nga ajo makinë kriminale e përfaqësuar nga SS-ët gjermanë, ky është një çast mallëngjimi i thellë dhe i patreguar. Sot lind Shteti i Izraelit. I rrethuar nga një heshtje fetare, David Ben Gurion lexon shpalljen e pavarësisë. Zëri i tij është i tendosur, i prekur nga emocioni. “Eretz Izrael” (Toka e Izraelit) qe djepi i popullit hebraik. Qe këtu që u plazmua identiteti i tij shpirtëror, fetar e politik. Qe këtu që hebrenjtë formuan shtetin e tyre, krijuan vlera të rëndësisë kombëtare e universale dhe i dhanë botës Librin e Librave. Pasi është mërguar me forcë nga toka e tij, populli hebraik e ruajti besnikërinë e tij për të gjithë diasporën dhe nuk reshti kurrë së luturi e së shpresuari se një ditë do të mund të kthehej në atdheun e tij dhe të rifitonte lirinë e tij politike”. “Të lidhur me këto nga këto detyrime historike e tradicionale, brez pas brezi, hebrenjtë luftuan për t’u stabilizuar në atdheun e vjetër. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë kthyer në masë. Pionierë, maapilim (emigrantët e ardhur në Izrael duke shkelur ligjet ndaluese) dhe mbrojtës kanë bërë të lulëzojë shkretëtira, e kanë sjellë në një jetë të re gjuhën hebraike, ndërtuar fshatra e qytete dhe krijuar një komunitet të begatë që kontrollon ekonominë dhe kulturën e vet, që e do paqen, por që është në gjendje ta mbrojë atë, që ua ndan përfitimet e progresit të gjithë banorëve të vet dhe aspiron për pavarësi…




Me 29 nëntor 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që sanksiononte ndërtimin e një shteti hebraik në Eretz Israel; Asambleja e Përgjithshme u kërkoi banorëve të Eretz Israel-it të kryenin të gjitha hapat që do ishin të nevojshme nga ana e tyre për ta zbatuar një rezolutë të tillë. Njohja nga ana e Kombeve të Bashkuara e të drejtës së popullit hebraik për themelimin e shtetit të tij “është e parevokueshme”. “Kjo është një e drejtë natyrore e popullit hebraik: e drejta që ta zotërojë fatin e vet, si të gjithë popujt e tjerë, në shtetin e vet sovran”. “Prandaj ne, anëtarët e Këshillit të Popullit, përfaqësues të komunitetit hebraik të Eretz Israel-it dhe të Lëvizjes Sioniste, jemi mbledhur këtu në ditën e skadimit të mandatit britanik mbi Eretz Israel-in dhe në virtyt të së drejtës sonë natyrore e historike dhe në konformitet me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklarojmë ngritjen e një shteti hebraik në Eretz Israel që do të quhet Shteti i Izraelit”. Në pjesën përfundimtare të diskutimit, David Ben Gurion, që do të jetë kryeministri i parë (1948-1954) i shtetit të ri, deklaron vullnetin e paqes të vendit të tij”. “Ndërsa ngrihen armiqësi të drejtpërdrejta kundër nesh prej muajsh, do t’u kërkojmë banorëve arabë të Shtetit të Izraelit të qëndrojnë në paqe dhe të marrin pjesë në ngritjen e Shtetit mbi bazën e barazisë së plotë e të drejtës së shtetësisë dhe me pjesëmarrjen e përshtatshme në të gjitha institucionet e përkohshme dhe të përhershme. U shtrimë dorën të gjitha shteteve fqinje dhe popujve të tyre në një ofertë paqeje dhe fqinjësie të mirë si dhe u kërkojmë atyre të vendosin raporte bashkëpunimi dhe asistence reciproke me popullin sovran hebraik që jeton në territorin tonë. Shteti i Izraelit është i gatshëm të japë kontributin e tij në një përpjekje të përbashkët për progresin e krejt Lindjes së Mesme”. Kur Ben Gurioni mbylli diskutimin e tij dhe deklarata u firmos nga anëtarët e Këshillit të Popullit, në sallë u mbajt një lutje:

“Që t’i qofsh i lëvduar, Zotëri, Zoti ynë, Mbret i Universit, që na ke mbajtur në jetë, na ke mbrojtur dhe na ke lejuar të shohim këtë ditë”. Por momenti i paqes nuk kishte ardhur akoma për popullin e Izraelit. Pak orë pas deklaratës së pavarësisë filluan në stil të gjerë sulmet e pandërprera kurrë kundër komunitetit hebraik në Palestinë. Këtë radhë – me 15 maj – u formua një “armatë e madhe” në të cilën e grumbulluan ushtritë egjiptiane, jordaneze, irakene, siriane dhe libaneze, të shoqëruar nga një kontingjent i Arabisë Saudite. Me agresionin masiv, të çuar në brendësi të shtetit të ri, arabët donin të demonstronin në mënyrë të bujshme refuzimin e tyre ndaj Planit të Ndarjes të miratuar nga OKB-ja në nëntor të 1947. Lufta, që u luftua me raunde të ndryshme, zgjati 13 muaj. Forcat izraeliane të mbrojtjes, që qenë të armatosura keq dhe inferiore numerikisht, por mjaft mirë të stërvitura, e përzunë “armatën e madhe” jashtë kufijve të Eretz Israel-it dhe në korrik të 1949, Shteti i ri nënshkroi marrëveshje të veçanta me Egjiptin, Jordaninë, Libanin dhe Sirinë. Si ka mundur ky David Izrael – 650 mijë banorë, një ushtri popullore prej disa dhjetëra mijëra ushtarësh – të përballojë goditjen e Goliathit arab? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është e domosdoshme të tërhiqesh në kohë me më shumë se njëqind vjet.
Fillimet e tij
Fillojmë nga viti 1840, që e sheh Izraelin akoma të përfshirë në perandorinë otomane tashmë në rënie. Kushtet e jetës së hebrejve që kanë mbetur në tokën e tyre të origjinës – janë disa mijëra – përmirësohen me ngadalësi dhe situata favorizon emigracionin drejt Evropës. Lindin vendbanime të reja por Jerusalemi, Nablusi dhe Haifa vazhdojnë të jenë pole të mëdha tërheqjeje. Me ndihmën e hebrenjve që janë përhapur në të gjithë botën blihen terrene të ndryshme bujqësore. Nuk janë sigurisht toka të “mira”: efendijtë, latifondistët që jetojnë në Kajro, Damask apo Bejrut shesin me çmim të lartë vetëm duna dhe këneta, jo tokat pjellore të Samarias. Por dalëngadalë këto fonde transformohen dhe puna e rëndë e pronarëve të rinj i bën pjellore. Për ta vendosur aktivitetin në mënyrë më racionale dhe për të shtuar kështu prodhimtarinë u themelua në Mikveh Israel shkolla e parë bujqësore. Është periudha në të cilën formohet skeleti i Yshuvit, ose vendbanimit të organizuar hebraik. Në vitin 1860 u shfaq edhe shtypi i parë hebraik. Ky moment i ngadaltë dhe i vuajtur historik është matrica nga e cila lind “ëndrra e madhe”: ndërtimi i një shteti. Propozimi i parë hidhet nga Sër Moses Montefiore, një financier hebre anglez me origjinë italiane, që u kontribuon bujarisht përpjekjeve të vëllezërve të tij të fesë, të cilët çdo ditë kryejnë mrekullinë e lulëzimit të jetës nga rëra armike e shkretëtirës. Nëse jo shtet – thotë Sër Moses – të paktën një komunitet autonom. Por ai që bëri kurdisjen e mekanizmit të papërmbajtshëm që do të çojë në realizimin e ëndrrës – sa e vjetër! – është gazetari hebre Theodor Herzl. Në vitin 1896 ai shkruan një libërth, që megjithëse i pritur nga dikush apo nga ndonjë ambient si një dokument i dyfishtë, një kuriozitet historik më shumë se një program veprimi, ra si shkëndijë në një situatë mjaft inkandeshente. Yshuvi po forcohet. Në vitin 1878 ka filluar të marrë një fizionomi të saktë me themelimin e Petah Tikvas, nëna e vendbanimeve bujqësore hebraike. Në vitin 1887 popullsia shtohet ndjeshëm me arritjen në masë të hebrenjve të aliá-së së parë (fjalë për fjalë “ngjitja” në tokën e premtuar): janë njerëz që u ikin pogromeve të mëdha të shpërthyera në Rusi e Rumani kundër komunitetit “jude”, pogrome që paraqiten si “furi spontane të popullit”, por që në realitet janë të frymëzuara nga autoritetet për të shkarkuar gjendjet e këqija të një popullsie të keqtrajtuar nga tirania e pamëshirshme e Carit. Dhe këto “furi spontane” lënë pas dyqane të shkatërruara, shtëpi të djegura, sinagoga të shkatërruara e të plaçkitura, gra të dhunuara, të vdekur e të vrarë; nga 1881 në 1921 llogariten më shumë se 2000 pogrome, 2000 masakra, 2000 lumenj gjaku që përmbytin shoqëritë civile e të gjithë botës. Komuniteti i larguar nga ferri rus hallakatet në fshatrat bujqësore ekzistuese dhe themelon të reja në Judea (Rishon le Zion, Ekron, Edera), në Samaria (Zikron Ya’akov) dhe në Galilean e Sipërme. Një pjesë shkon të jetojë në qytet. Puna për rindërtimin e identitetit kombëtar e personal fiton impuls edhe falë këtyre refugjatëve të përvëluar në trup, por edhe në shpirt, pasi në getot e tyre mjerane kanë mbajtur të ndezur flakën e kulturës kombëtare, të besimit fetar, kanë vazhduar t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën e thellë hebraike, historinë e lavdishme të mbretërive dhe të mbretërve të tokës antike të Izraelit. Në Yshuv, hebraishtja kthehet të jetojë për të gjithë dhe bëhet element unifikues, zbulimi i hebraizmit. Në vitin 1892, një asamble mësuesish fikson termat hebraike për t’u përdorur në matematikë e shkenca natyrore dhe projekton një plan studimesh shkollore të unifikuar. Pas rreth dhjetë vjetësh, hebraishtja bëhet gjuha kryesore e një komuniteti që më parë komunikonte me vështirësi me anë të dialekteve të ndryshme apo asaj neogjuhe të përfaqësuar nga yidish, një koktej i hebraishtes me gjermanishten lindur në diasporë. Prapë se prap, Yshuvi jeton një jetë të vështirë. Popullsia është e pamjaftueshme dhe e shpërndarë, komunikacionet dhe transportet të dobëta dhe të pasigurta, pjesa më e madhe e tokës akoma në një gjendje braktisjeje, malarja është endemike prej pranisë së shumë kënetave, qëndrimi i administratës turko-otomane është armiqësor dhe shtypës. Në fillim të vitit 1892 del një ligj që ndalon vendosjen e hebrenjve të Europës Lindore. Blerja e tokave u nënshtrohet detyrimeve, bëhet e pamundur ngritja e ndërtesave pa një leje të posaçme që duhet të kërkohet në Kostandinopojë. Politika shtypëse e qeverisë otomane e bën edhe më të vështirë zhvillimin bujqësor e prodhues të Yshuvit, por nuk arrin ta frenojë. Përkundrazi. Situata është një terren pjellor për rritjen e idesë së lëshuar nga Herzl në libërthin e ironizuar që vrapon në botë me atë titullin e tij të ekzaltuar” Shteti hebraik”.
Marrë nga Bota.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.