KULTURË

98 vjet nga lindja e Guri Madhit, “Dhimbjen nuk e shihte, e prekte”

19:00 - 17.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në përgjithësi Guri Madhi nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë nga ndonjë autor. Ka një qasje nga baroku në tërësi dhe nga arti romantik. E njeh shumë mirë realizmin kritik francez, veçanërisht Honore Daumier. Diçka nga Renato Guttuzo dhe Eduard Hoper. Nga meksikanët ka ndikim tek vepra “Komiti” versioni 1 me ngjyra 1987. Po kështu nga Aleksandër Deineka dhe me pak Serjan. Në të gjitha rastet është Guri. Ka ndoshta në veprën e tij me shumë vitalitet dhe sinqeritet se këta të fundit. Ishte më popull se ata. Dhimbjen nuk e shihte e prekte”,-kështu shkruan për artistin Guri Madhi, Hermion Madhi, i nipi po ashtu artist. Kujtesa bëhet me rastin e 98-vjetorin të lindjes.
Sipas tij, Guri kishte dhuntinë të qëllonte në shenjë. Në pikturën moderne ndjehet frymëzimi nga Vrubel e Kandinski, Gaugen, Matisse, Vlamick, Van Gog, Picasso dhe Munch. “Sipas meje në veprat e tij të pavdekshme ‘Shpella e Dragobisë’, ‘Dorëzimi i armëve’, ‘Shtabi i përgjithshëm’, ‘Pëllëmbë e gjak’ ai është autentik, i papërsëritshëm dhe i vetmi piktor shqiptar me peshë, simbol i vitalitetit…”- shkruan Hermion Madhi, nipi i Gurit Madhit.




Ai vëren se në artet pamore shqiptare deri ne vitin 1990 ka dhjetëra vepra të shkëlqyera kompozicionale, por vepra identifikuese ka pak. Pa diskutim në skulpture është Odhise Paskali jo më një vepër! Jo me nudo të bukura, jo interesant! “Të tilla histori bota ka me mijëra me cilësi tjetër dhe për para nesh. Historia shikohet ne hapësirë dhe kohe dhe sistemi analitik i kritikës realizohet përmes risive dhe autenticitetit. Në pikturë Guri Madhi mbetet i pari: nuk ka folk as bëhet ‘interesant’ dhe nuk shitet për “modern”. Historia e artit shqiptar është në kohe vonesë, por bën përpjekje titanike për t’ju përafruar shtjellave botërore. Prandaj është shumë pak të jesh i veçantë”, thotë Hermion Madhi, artist dhe nipi i Gurit. Duhet te jesh i vërtetë, shton ai. Meksikanët janë të mëdhenj se janë “britma” e popullit të tyre dhe jo vetëm. “Klithma” e Munch e gjithë botës mbarë. Sipas Hermonit, Guri Madhi është jehona e gjakut shqiptar në një ekzistencializëm post-modern, përmes njohjes së arritjeve botërore dhe talentit vetjak. Dhe për artin pamor shqiptar nuk ka rëndësi “interesantja” që e ndesh kudo para nesh, por e vërteta cilësore. Kush jemi ne! A meritojmë? Po! Sepse ne bashkëjetojmë brenda familjes evropiane me artin tonë që integrohet me dinjitet. Prandaj G. Madhi është me peshë. Se është më shumë se “interesant”. Është i vërtetë. Shqipëria brenda botës me dinjitet.

PORTRETI I TIJ, SIPAS YLLI DRISHTIT
Guri Madhi (Korçë 15.05.1921 – Budapest, Hungari 13.06.1988). Piktor. Mban titullin “Piktor i Popullit”
Piktori Guri Madhi është një nga artistët e rëndësishëm të Realizmit Socialist. në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e grupit të parë të piktorëve që studiuan në vendet lindore (ish BRSS, Poloni, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, Ish Jugosllavi). Piktori Guri Madhi krijoi dhe realizoi për një kohë të gjatë tablo kompozicionale historike me frymë impresioniste, duke sjellë një risi në artin shqiptar të viteve 1950 – 1970. Në qytetin e lindjes, në Korçë, Guri Madhi kreu tri vjet në shkollën industriale italiane. Për arsye ekonomike e ndërpreu shkollën dhe hyri në punë si piktor reklamash për kinematë e qytetit “Lux” dhe “Majestik”. Ndoqi kurset e pikturës në studion e piktorit Spiro Xega dhe Vangjush Mio.

Në maj 1942 e marrin ushtar dhe bën pjesë në Batalionin “Tarabosh”. Përfshihet në lëvizjen antifashiste dhe merr pjesë në njësitet guerile të qytetit dhe në grupet e propagandës antifashiste. Pas çlirimit të vendit, Guri Madhi punoi si piktor në shtëpinë e kulturës (Korçë 1944) dhe më vonë (1947) si skenograf në teatrin e qytetit së bashku me piktorin Vangjush Mio. Gjatë viteve 1950 – 1956 Guri Madhi ishte student për pikturë në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “I.E.Rjepin”, në Shën Petërsburg (ish BRSS). Mbrojti diplomën me tablonë: “Bajram Curri në shpellën e Dragobisë” . Në ciklin e tablove pas kthimit nga Rusia (1956) piktori Madhi paraqitet në ekspozitat e asaj kohe me tablo ku paraqitet një temperament impulsiv, vizatues i ndjeshëm dhe si piktor i penelatave të ngrohta dhe të një drite vibruese. Veprat, që pasuan punën e diplomës “Bajram Curri në shpellën e Dragobisë” (1956, studio e artistit), vijuan linjën e hyjnizimit të ngjarjeve të historisë së popullit në luftën për çlirim kombëtar, pavarësi dhe luftës së dytë botërore. Nga kjo periudhë mund të kujtojmë punimet: “Turqit dorëzojnë armët” (1959, GKA, Tiranë),”Demonstrata e Korçës” (1959, GKA, Tiranë), “Formimi i Shtabit të Përgjithshëm”(1962, GKA, Tiranë), “Grua me kostum popullor”(1963, GKA, Tiranë), “Pëllëmbë e gjak” (1964, studio e artistit), “Betimi Partizan” (1968, GKA, Tiranë) etj. Një element mjaft interesant në veprat e kësaj periudhe është ndërthurja e monumentalitetit dhe lëvizjes së personazheve të shumtë në kompozimet e tij Tablotë herë përshkohen nga nota epike, e herë-herë nga një natyrshmëri e ngrohtë dhe mjaft realiste. Piktori Guri Madhi i përket brezit të piktorëve shqiptarë që në vitet 1960-1980, trajtuan temat kompozicionale historike, një kërkesë kjo dhe nga autoritetet shtetërore të kohës, që gradualisht krahas temave historike u shtuan edhe ato të ndërtimit socialist (nga puna në bujqësi, nga puna e klasës punëtore, nga puna dhe jeta e rinisë, ushtria etj.).

Këto tema ishin dhe pjesë e propagandës së partisë – shtet dhe realizoheshin brenda kërkesave strikte shpesh mjaft të ngurta për artistët figurativë. Nga cikli i tablove ku ndjehet lirshmëria koloristike e piktorit Guri Madhi kujtojmë “Malësori në këmbë”, “Malësori”, “Portreti i nënës”, “Portreti i një punëtori”, “Kostum Korçar” dhe sigurisht në vepra të tjera ndjehet prania e një çensure të rreptë si mund të kujtojmë: “Në grykë të Mezhgoranit”, “Shteg më shteg me çetat partizane”, “Mbledhja e Moskës”, “Për mëmëdhenë”, “Shtëpia ku u themelua Lidhja e Prizrenit”, etj. Piktori i shkollës së realizmit socialist, Guri Madhi ka realizuar rreth 400 tablo në vaj, me qindra vizatime, në të cilat, përveç temave historike dhe sociale, ka shumë tablo ku trajtohen edhe marrëdhëniet e njeriut me natyrën, portrete dhe peizazhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë, natyra të qeta me anë të të cilave piktori “proteston” heshturazi për kontrollin mbi të cilën mbahej krijimtaria dhe për tutelën mbi ndjenjat intime të njeriut artist. Pas viteve ’80 (shekulli XX) vendin e tablove historike e zënë tablotë që s’kanë nevojë për titull, ku piktori kërkon me ngulm lirinë e ngjyrës. Në tablotë e kësaj periudhe që në përgjithësi janë të dimensioneve modeste (studio e artistit), pasqyrohet shpërthimi i ndjenjave të grumbulluara për vite me radhë, klithma proteste, që në pikturën nga ana e tij jepen me ngjyra të pastra, të marra nga tubeti “Etyd” i vitit 1964″ (studio e piktorit). Nga një piktor i realizmit socialist piktori Guri Madhi në vitet e fundit të jetës bëri një përpjekje të realizimeve në disa tablo, në mënyrë ekspresioniste, të cilat megjithatë nuk u ekspozuan kurrë në publik, pasi sado liberale të qe atmosfera artistike dhe ajo politike e viteve 1985 – 1990 ajo nuk mund të dilte dot nga korniza e një “Liberalizmi-totalitar” socialist. Krijimtaria e “Piktorit të Popullit” Guri Madhi është një dëshmi me vlera për historinë e artit shqiptar dhe një shembull tipik i kohës kur ai jetoi dhe krijoi. Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 36 vepra të artistit. piktori Guri Madhi ka ekspozuar në Tiranë dhe Korçë. Artisti Guri Madhi ka qenë pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kombëtare kolektive dhe ato personale, të çelura që nga viti 1956. Veprat e tij janë ekspozuara në ekspozitat e çelura nga shteti shqiptar në Melburn (Australi), Paris (Francë), Barcelonë (Spanjë), Romë (Itali), Athinë (Greqi), Stamboll (Turqi), Bukuresht (Rumani), Sofje (Bullgari), Vjenë (Austri) etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.