EKONOMI

AMF rrit komunikimin me publikun në funksion të mbrojtjes së konsumatorit

08:13 - 17.05.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka rritur në mënyrë të ndjeshme komunikimin me publikun duke u përqendruar në shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve dhe investitorëve. AMF mbetet e angazhuar për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve, rritjen e transparencës dhe nivelit të edukimit financiar për tregjet nën mbikëqyrje.




Krijimi dhe vënia në funksion e platformës së raportimit të ankesave online për të gjitha tregjet nën mbikëqyrje nga muaji shkurt 2019 ka rritur edhe më tej komunikimin dhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj Autoritetit.

Vitin e kaluar, në Autoritet u depozituan në total 162 ankesa, të cilat lidhen me kërkesat për dëmshpërblim që rrjedhin drejtpërdrejt nga kontratat e sigurimit, të lëshuara nga shoqëritë e sigurimit apo me ankesa ndaj operatorëve të tregut të fondeve të investimeve dhe të pensioneve vullnetare.

Pjesa më e madhe e ankesave për tregun e sigurimeve lidhet me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit dhe kanë të bëjnë kryesisht me vlerësimin e dëmit. Ndërkohë, janë depozituar 80 ankesa në lidhje me pagesat e dëmshpërblimit, objekt i Fondit të Kompensimit. Në përfundim, rreth 58% e ankesave të konsumatorit janë zgjidhur pas ndërhyrjes së Autoritetit.

Rastet e ankesave lidhur me fondet e pensioneve vullnetare lidhen me interpretimin dhe procedurën e zbatueshme në rastet e largimit nga fondi. Pas diskutimeve me subjektet e mbikëqyrura, çështja është zgjidhur në favor të palës që ka paraqitur ankimin. Ankesat për fondet e investimit janë bërë kryesisht në lidhje me komisionet e aplikuara nga depozitari bankë. Autoriteti ka realizuar një inspektim pas ankesave të marra dhe në një rast ka urdhëruar depozitarin të mos aplikojë komisione shtesë.

Në mbrojtje të investitorëve, Autoriteti ka publikuar disa paralajmërime në lidhje me rrezikun e disa produkteve financiare dhe aktivitetit të shoqërive të palicencuara në tregun e kapitalit. Mbrojtja e konsumatorit dhe investitorit u realizua edhe përmes aktiviteteve të shumta për rritjen e edukimit financiar për publikun, apo broshurave informative për tregjet nën mbikëqyrje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.