SPORT

Tifozët e Luftëtarit dhunojnë ish-drejtorin Çavo

10:26 - 17.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Pezullimi i trajnerit Julian Ahmataj, zëvendëstrajnerit Neritan Novi si dhe i dy lojtarëve, Albano Aleksit dhe Xhekson Ferreiras ka bërë që të shpërthejnë tifozët e Luftëtarit, të cilët kanë vënë nën akuzë ish-drejtorin Vangjel Çavo për situatën e krijuar së fundmi në ekip. Sipas asaj çka raporton “Panorama Sport”, drejtori Çavo është dhunuar nga disa tifozë, të cilët që një ditë më parë kishin paralajmëruar reagimin e tyre. Ata akuzojnë pikërisht ish-drejtorin për përçarjen e krijuar dhe ish-zëdhënësin për shtyp, Rigels Malilen. Pavarësisht se Çavo nuk ishte më drejtor, ai vijonte të qëndronte pranë presidentit Grigor Tavo, ndërsa ka sjellë disa elementë në radhët e ekipit bluzi, kryesisht nga tregu grek.




Flet Aleksi
Situata e fundit te Luftëtari, ku klubi gjirokastrit vendosi të pezullonte trajnerin Ahmataj dhe dy futbollistët, Aleksi dhe Xhekson ka bërë që këta të fundit të mbyllin para kohe aventurën me bluzinjtë. Mesfushori Aleksi dhe mbrojtësi Xhekson për “SuperSport” janë shprehur se nuk e prisnin këtë vendim nga klubi, ndërsa shtojnë se gjithmonë kanë dhënë maksimumin për Luftëtarin. “Normale nuk ndihem mirë, por ky është vendimi i klubit. Jam profesionist dhe duhet t’i zbatoj rregullat një më një. Unë u paraqita në stërvitje për arsye se jam pjesë e grupit, por në momentin që vajta në stërvitje, m’u paraqit një letër me shkrim se jam i pezulluar për dy ndeshje. Për momentin nuk më erdhi mirë, por janë vendime të klubit dhe duhet t’i pranoj. Dua t’i falënderoj jashtë mase për 4 vite që kam kaluar këtu dhe jam rritur si sportist. Do të më mungojnë shumë se kam krijuar edhe miqësi jashtë fushe, por shpresoj jo vetëm të më mungojnë, por do t’u mungoj edhe unë atyre. Nuk e prisja, sepse për nga mënyra si u luajt ndeshja apo si i bëmë dhe pësuam golat nuk duhej të merrej vendim nga klubi, por që ditën e parë që kam firmosur me Luftëtarin, kam dhënë maksimumin në çdo moment”, tha Aleksi.
“Falënderoj Luftëtarin për çdo gjë, kam dhënë gjithmonë më të mirën për këtë skuadër. E kam dëgjuar argumentin e drejtuesve se unë nuk luajta mirë kundër Tiranës, edhe Mesi nuk luan në çdo ndeshje mirë. Edhe në ndeshje të tjera kam luajtur keq për Luftëtarin, kjo është normale për një futbollist. Kam dhënë maksimumin, sa i përket të ardhmes nuk e di. Do të kthehem në shtëpi, do të flas me menaxherin. Gjithsesi, për çdo vendim do t’ju vë në dijeni”, u shpreh Xhekson.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.