SPORT

E papritur, Juventusi i bën dalje Alegrit

10:52 - 18.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Juventusi më në fund ka plotësuar dëshirën që tifozët kishin prej kohësh, duke larguar nga stoli trajnerin Masimiliano Alegri. Lajmi u bë i ditur nga vetë sajti zyrtar i klubit bardhezi, që në një komunikatë për shtyp njoftohet se Alegri nuk do të jetë më në krye të stolit për sezonin e ardhshëm. Ai do të drejtojë bardhezinjtë në dy ndeshjet e mbetura dhe më pas do të largohet për të kërkuar një aventurë të re. Objektivi kryesor i Alegrit ishte fitimi i Ligës së Kampionëve dhe këtë sezon kishte mundësinë më të mirë, por u eliminua në çerekfinale nga holandezët e Ajaksit.




Dëshira quhet Guardiola
Ende nuk është bërë i ditur emri që do të vihet në krye të stolit bardhezi, por mediat italiane raportojnë se dëshira e drejtuesve është ajo e Guardiolës, ndonëse ky i fundit është shprehur negativisht. Spanjolli do të ishte trajneri perfekt për të synuar fitimin e titullit kampion, por Pep i largon me shumë vendosmëri zërat që e shohin drejt një transferimi në Torino. “Sa herë duhet t’ua them? Nuk shkoj te Juventusi, nuk shkoj në Itali. Jam i lumtur këtu dhe nuk iki askund. Vitin tjetër do të jem sërish trajner i Mançester Sitit. Jam i kënaqur që punoj në këtë klub dhe me këta djem. Sot ndihem kështu, ndonëse futbolli ndryshon shpejt. Sezoni im i ardhshëm do të jetë më i vështirë, por do të jem trajner i Mançester Sitit”, ka theksuar trajneri spanjoll.

Disa festojnë, disa jo
Padyshim që ndërprerja e marrëdhënies mes Masimiliano Alegrit dhe Juventusit ka qenë lajmi i ditës dje. Trajneri livornez dhe klubi bardhezi i kanë dhënë fund një martese 5-vjeçare, e kurorëzuar me 11 tituj të fituar, mes të cilëve 5 tituj kampionë radhazi, që vijuan ecurinë e mëparshme të ciklit “Konte”. Alegri nuk do të qëndrojë më në krye të Juventusit pas përfundimit të këtij sezoni, ndërsa do të dalë sot në një konferencë për shtyp bashkë me presidentin Anjeli, ku do të sqarojnë arsyet e këtij divorci, që ka befasuar jo pak ambientin bardhezi, pasi më herët ishte folur për një rinovim të kontratës së trajnerit livornez. Me largimin e Alegrit ndryshojnë krejtësisht strategjitë e merkatos së Juventusit. Sipas asaj që raporton “Calciomercato”, Nedved dhe Paratiçi do të nisin të ndërtojnë skuadrën e re. Lojtarë që priten të konfirmohen janë Kanselo dhe Dibala, të cilët vuajtën jo pak me Alegrin, ndërsa me valixhe në dorë mund ta konsiderojnë veten Pjaniç, Manxukiç, Khedira, Aleks Sandro, Duglas Kosta dhe De Shiljo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.