BLUETOOTH

Klea Hanson (Mema): S’mjafton paraqitja, por zgjuarsia dhe të ndihmosh njerëzit

15:44 - 18.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Bukuria dhe talenti nuk qëndron vetëm brenda kufijve, por shumë shpesh arrin që të çajë e të ketë sukses edhe jashtë vendit. Në këtë rast ka arritur deri në Australi ku një bukuroshe me prindër shqiptarë ka arritur të rrëmbejë kurorën e më të bukurës së këtij kontinenti. Ajo quhet Klea Hanson, por mbiemri shqiptar i prindërve është Mema. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” bukuroshja nga Lezha na rrëfen gjithçka rreth saj dhe pasioneve që ajo ka lidhur me botën e modës dhe jo vetëm. Një detaj i bukur është se ajo ka një motër binjake dhe të dyja bashkë janë pjesëmarrëse në shumë projekte modelingu nëpër botë, nga Japonia në Itali. Edhe pse e lindur e rritur në Australi, Klea ka arritur ta përvetësojë gjuhën shqipe nëpërmjet gjyshes së saj që jeton këtu.
“Herën e parë kur kam ardhur në Shqipëri kam qenë 13 vjeç. Tanimë vij edhe më shpesh. Në Shqipëri më pëlqen më tepër Lezha dhe Shëngjini, sepse rri më shumë tek nëna. Por më pëlqen e gjithë Shqipëria në tërësi. Kam shumë kontakt me gjyshen time në Shqipëri, kështu që më ka mësuar më shumë gjyshja”, thotë Klea.
Por pasioni i saj nuk ndalet me modelingun dhe bukurinë, por shkon më tej. Bukuroshja përfaqësuese e Australisë është në universitet për psikologji dhe ëndrrat e saj për të ardhmen janë të shumta.
“Unë studioj për psikologji. Jam në vitin e tretë bachelor. Në të ardhmen e shoh veten duke u marrë me studimet mjeko-ligjore. Dhe me konkurse apo shfaqje të ndryshme. Por dëshira ime më e madhe është që një ditë të hap një azil për të ndihmuar njerëzit e moshuar në Shqipëri.”, rrëfen bukuroshja.
Për ta njohur më tepër më të bukurën e Australisë ndiqni intervistën e mëposhtme.
Mbani kurorën e miss Australia, por me prejardhje shqiptare: E prisnit të fitonit këtë titull?
Unë kam lindur në Australi, por babin edhe mamin i kam shqiptar. Pse jo?!! I kam patur shanset si të gjithë vajzat e tjera.
Si u ndjetë që u përzgjodhët më e bukura e këtij vendi?
Kam qenë shumë e gëzuar, sepse në Australi nuk mjafton vetëm të jesh e bukur. Duhet të jesh e zgjuar dhe të ndihmosh njerëzit që kanë nevojë.





Keni linja perfekte dhe jeni tepër tërheqëse. Keni dashur të jeni gjithmonë pjesë e modelingut?
Shumë faleminderit! Jam marrë me modeling që e vogël me motrën time binjake, po kur kam hyrë në universitet e lash për pak kohë.
Si lindi ideja për të konkurruar?
Më kanë thanë shoqet që të marr pjesë!
Ju jeni lindur e rritur në Australi. Si është historia e familjes suaj?
Babi im ka shkuar në Australi para 30 viteve, për një jetë më të mirë. Por u kthye prap në Shqipëri për pushime, pas 5 viteve, edhe u njoh me mamin. Më vonë u kthyen sërish në Australi dhe vijuan jetën këtu.
Sa të vështire e kanë patur, si të huaj, për t’u përshtatur në një vend si Australia?
Unë s’jam e huaj, ndihem rehat. Por prindërit, natyrisht si gjithë shqiptarët e tjerë që emigrojnë, kalojnë vështirësitë e tyre. Fillimi gjithmonë është i vështirë për këdo.
Për çfarë studioni? Ku e shihni veten në të ardhmen?
Unë studioj për psikologji. Jam në vitin e tretë bachelor. Në të ardhmen e shoh veten duke u marr me studimet mjeko-ligjore. Dhe me konkurse apo shfaqe të ndryshme. Por dëshira ime më e madhe është që një ditë të hap një azil për të ndihmuar njerëzit e moshuar në Shqipëri.
Cili është pasioni tjetër i Kleas përveç modelingut?
Më pëlqen hiking (të ec në mal) dhe muzika.
Si ia kanë dalë prindërit për të ruajtur kulturën dhe gjuhën për t’jua përçuar ju, fëmijëve?
Kam shumë kontakt me gjyshen time në Shqipëri, kështu që më ka mësuar më shumë gjyshja.
Cili është personi që ju nxit dhe ju ndihmon për të arritur më të mirën tuaj?
Babi dhe mami im, të dy janë mbështetja ime më e madhe.
Keni qenë ndonjëherë në Shqipëri? Në vendlindjen e prindërve?
Herën e parë kur kam ardhur në Shqipëri kam qenë 13 vjeç. Tanimë vij edhe më shpesh.
Cili është qyteti që ju pëlqen më tepër?
Në Shqipëri më pëlqen më tepër Lezha dhe Shëngjini, sepse rri më shumë tek nëna. Por më pëlqen e gjithë Shqipëria në tërësi.
A keni patur oferta modelingu apo të keni qenë pjesëmarrëse në projekte të ndryshme?
Po kam pas shumë oferta në Japoni dhe Itali, se jemi dy motra binjake që shkojmë e marrim pjesë. Është e veçantë të jenë të dyja njësoj, kështu që kemi më shumë oferta. Por dëshira e babit tim është që të mbarojmë universitetin, kështu që është prioriteti im i parë.
Po duke qenë se jeni binjake dhe të dyja modele, pse nuk mori pjesë në konkursin e bukurisë dhe motra juaj?
Ajo studion për juridik dhe nuk para i pëlqejnë këto lloj konkursesh, kështu që shkova vetëm unë.
Çfarë ndryshimi ka kultura shqiptare me atë australiane? Ku e gjen veten më tepër Klea?
Nuk di si ta përkufizoj, por në Australi njerëzit janë shumë të thjeshtë, është gjë shumë e mirë. Por në Shqipëri më pëlqen fakti që njerëzit janë më të dashur. Por i dua të dyja kulturat. S’ka rëndësi sepse tek të dy vendet jam gjithmonë vetvetja.
Cila është shprehja që ju frymëzon më tepër dhe e përdorni çdo ditë?
“Kindness is free sprinkle that stuff everyëhere,” që në shqip do të thotë “Mirësia është e lirë që ta përhapesh atë kudo!”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.