KULTURË

Të gjitha fytyrat e “armikut të popullit”, historianët hapin arkivat

19:00 - 18.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Që pas rënies së perdes së hekurt e në ditët e sotme, kur debati publik mbi të kaluarën është i nxehtë e me raste me tone të larta, qasja e zakonshme ndaj sjelljeve të caktuara, krimeve, akteve të dhunës, keqtrajtimeve apo mbështetjes së regjimit është relativizuar nëpërmjet shprehjeve të njohura: “ashtu ishte koha”, “ashtu thoshte ligji”, “çdo gjë është kryer në zbatim të ligjit”, duke sjellë për pasojë qëndrime të ngurta, përballë një shteti që paska qenë i mirorganizuar me ligje të drejta dhe ata që e kundërshtuan, ishin thjesht shkelës të ligjit”. Genta Sula, kryetare e Autoritetit të Dosjeve e nisi me këtë konstatim fjalën e saj në konferencën shkencore ndërkombëtare “Armiqtë e Popullit”, organizuar prej Autoritetit me pjesëmarrjen e rreth 30 studiuesve. Sipas saj, pretendimet nga ana tjetër, janë se ata që e mbështetën, konsoliduan, i dhanë jetë e pushtet instrumenteve drejtuese, kontrolluese, ishin thjesht njerëz që bënin punën, të rregulluar me ligj e procedura dhe si të tillë, të çliruar nga çdo përgjegjësi zyrtare, njerëzore, personale, morale, për çdo veprim të kryer në detyrë, ose jo. “Për rrjedhojë, mjafton të zbatoje ligjin, të bëje kujdes me shprehjen e mendimeve dhe të ideve, të respektoje vijën ideologjike dhe mund të jetoje i qetë, i vetëcensuruar dhe i kujdesshëm. Këtu nis sfida jonë me të sotmen, që ka nevojë të rishqyrtojë të shkuarën, për ne dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, – tha Sula para të pranishmëve. Ajo shtoi se krijimi dhe mbajtja gjallë e miteve të atyre që ishin në anën e ligjit dhe atyre që ishin në anën tjetër vazhdon prej thuajse 30 vjetësh, siç vazhdon stigma dhe ndjesia e fajit në shoqëri, e atyre që për 45 vjet ishin pjesë asaj ane të murit, pasardhës të armiqve, familjarë të tyre dhe vijuan të jenë “armiq” edhe për 30 vitet e transicionit tonë të stërzgjatur. “Shumë prej tyre, pa pasur mundësi të ridimensionohen, të paragjykuar që nga prejardhja, prapë matanë, pavarësisht se muri u shemb, por shoqëria nuk pati mundësi, vullnet, politika të shembte muret e saj të larta e të qëndrueshme, që me sa duket, me kalimin e viteve krijojnë një kuadër të përçudnuar të Shqipërisë së sotme në kapërcyell”, theksoi Sula.




Temat
“Armiku i popullit” u trajtua nga pikëpamja filozofike, historike, politike, shoqërore, kulturore… Diskutimi teorik mbi konceptet “disidencë”, “disident”, “kundërshtar politik” u pasua nga lufta e klasave, tipologjia e njeriut të ri gjatë socializmit, sjellja e regjimit ndaj klerit katolik shqiptar, klerit ortodoks në Shqipëri, “armiku i djeshëm”, “kundërshtari i sotëm”; ngjashmëritë dhe dallimet në vizatimin e “armikut të popullit”, imperializmi amerikan-armik i përhershëm i regjimit komunist në Shqipëri, projektimi i “armikut të popullit” dhe ideologjia e tjetërsimit të individit, metamorfoza e “armikut të klasës” në radhët e Ushtrisë Popullore, nga “oficeri i deklasuar”, tek “oficeri puçist dhe oficeri poliagjent”, koncepti i “armikut” në aktet politike në fundin e vitit 1990 dhe fillimet e vitit 1991; imazhe, armiq dhe vese në shoqërinë komuniste; tipologjia e “armikut të popullit” në art, në romanet e novelat me agjenturë të realizmit socialist; kleri si “armik i popullit” në letërsinë shqipe, përjashtimi nga historia e letërsisë, si dënim për shkrimtarët “armiq”, fati i revistave kulturore “reaksionare” pas vendosjes së diktaturës; disidenca shqiptare midis mitit dhe realitetit; “çamët e pabesë” si kundërshtarë politikë të regjimit komunist e punime të tjera, me emra e profile konkrete “armiqsh të popullit”. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë organizon konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Fytyra e ‘Armikut të Popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”. Konferenca u zhvillua përgjatë gjithë ditës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Gjatë ceremonisë së hapjes u mbajtën fjalët e organizatorëve dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, në praninë e studiuesve, kërkuesve shkencorë, përfaqësuesve të shoqatave të të drejtave të njeriut, të universiteteve të vendit dhe studentëve, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve publike e joqeveritare. Në fjalën e saj, kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, e vuri theksin te rëndësia e trajtimit të një subjekti të tillë në Shqipërinë postkomuniste, e cila ka nevojë ta rishikojë narrativën e regjimit dhe t’i rivlerësojë viktimat, ende të përndjekura nga stigma.
Bashkorganizatorë të konferencës mbajtën fjalën e tyre, Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike; Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Bilal Kola, drejtor i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, duke paraqitur këndvështrimet përkatëse ndaj temës, trajtimit të saj dhe nevojës së shoqërisë shqiptare për njohje e studim të thelluar të së shkuarës.
Konferenca u përshëndet nga Elva Margariti, ministre e Kulturës dhe zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.
Përfaqësitë diplomatike në Tiranë, të pranishme në ceremoni, dhanë mbështetjen e tyre për këtë nismë, duke paraqitur propozimet përkatëse sa i takon trajtimit të drejtësisë tranzicionale në vend. Bernd Borchardt, Prezenca e OSBE-së, Johann Sattler, ambasador i Republikës së Austrisë; Alberto Cutillo, ambasador i Republikës Italiane; Karol Bachura, ambasador i Republikës Polake dhe Monika Bylaite, Delegacioni Europian në Shqipëri paraqitën qëndrimet e tyre ndaj rëndësisë së një konference të tillë në Shqipërinë postkomuniste. Borchardt e vuri theksin te mospërsëritja e së shkuarës, z. Sattler ngriti zërin për ruajtjen e vendeve përkujtimore si burgu i Spaçit. Alberto Cutillo solli përvojën e dhimbshme të kërkimit të të atit të Aldo Terruzit, Giuseppe Terruzi; z. Karol Bachura bëri thirrje për ngritjen e një memoriali në përkujtim të rezistencës dhe viktimave të komunizmit. Monika Bylaite, përmes fjalëve të atë Zef Pllumit ftoi për reflektim përballë krimeve të së shkuarës. Përfaqësuesit diplomatikë e mbështetën nismën e trajtimit të të ashtuquajturve “armiq”, po ashtu vijimësinë e konferencës me profile të tjera. Prof. asoc. dr. Sonila Boçi prezantoi punimin e saj “Disidentë pa disidencë: përsiatje mbi veçoritë e totalitarizmit në Shqipëri”, i pari i një dite të pasur, ku studiues shqiptarë e të huaj, kërkues shkencorë, historianë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë diskutuan tematikën e zgjeruar të “armikut të popullit” në Shqipëri. Në mbyllje, moderatorët, bashkë me studiuesit dhe të pranishmit e interesuar mblidhen për konkluzionet e konferencës mbi tematikën e diskutuar. Puna për konferencën ka nisur prej muajsh dhe thirrjes për të marrë pjesë i janë përgjigjur me dhjetëra studiues shqiptarë e të huaj. Komisioni i vlerësimit përzgjodhi një pjesë të punimeve, duke i organizuar në panele të kërkimit shkencor dhe të kujtesës. Gjatë kësaj kohe, studiuesit kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë inventarët, dosjet, statistikat dhe materialet e ndryshme arkivore të vëna në dispozicion nga AIDSSH apo të tjerë arkiva e, nëpërmjet kërkimit e objektivitetit shkencor, të mundësojnë një panoramë të zgjeruar të profileve të armiqve gjatë diktaturës, në aspektin historik, juridik, politik, filozofik, social e kulturor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.