MILOSAO

Dhimitër Ligori, artisti i madh dhe i heshtur i “Hostenit”

16:20 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Për shumë nga njerëzit që e njihnin punën e tij, kur i thoshe se Dhimitër Ligori është gjallë dhe për ditë ulet poshtë shtëpisë për një kafe nuk të besonin. E para e dinin se Ligori i përkiste një kohe krejt tjetër dhe e dyta i takonte një arti, që sot ka humbur shumë prej shkëlqimit të tij. Dhe, në këtë inerci duket shumë i largët. Autori i këtyre rreshtave e quajti dikur në “Historinë e Identitetit shqiptar përmes karikaturës” si të fundmin nga plejada e famshme në revistën “Hosteni”. Dhe, kishte një arsye për këtë: E nisi krijimtarinë e tij, rreth shtatë dekada më parë, si bashkëpunëtor i jashtëm i revistës më të njohur humoristike në vend, kur ende merrej me pikturën. Njerëzit harrojnë se Dhimitër Ligori përpara se të ishte karikaturist ishte piktor i këndshëm dhe me shumë pretendime. Në një moment, kur profesor Buza (shpresojmë që nuk gabojmë) i sheh një punë të rastit do t’i kthehej direkt: Pse ke kaq humor dhe pse çdo ide e kthen në elementë humoristikë! Me sa duket, kishte qëlluar në shenjë. Në fakt, duhet të jesh një artist, profesor dhe dashamir, si Buza, të kuptosh rëndësinë e studentit që ke përbri. Ende pa i thënë këto fjalë, Dhimitrit i vinte si një vokacion i brendshëm humori dhe me të ndërtoi shumë fabula, kujtojmë fjalët e tij. Për dekada të tëra talentin e pikturës ai do ta bashkojë me sensin e thellë të idesë dhe do të prodhojë e do të prodhojë pa fund. Fillimisht, tematikave të përzgjedhura. Piktura i dha sensin e thellë të kompozicionit, por edhe përdorimin racional të ngjyrës, që ai e derdh ngado.




Shqipëria e Dhimitër Ligorit të lëbyr me imazhet e veta, ku problemet sociale, humane por edhe ato që lidhen me paradokset e kohës, kuptohet që mund të lejohen të kritikohen, zënë vend jo të pakët. E bukur është se shumë nga idetë e tij mund të përcillen dhe sot e kësaj dite në përballjen e thellë me korrupsionin por edhe shumë tema të tjera që na rrethojnë ngado. Kjo e bënte punën e këtij njeriu modest, që për një farë kohe drejtoi dhe një grup të artistëve të “Hostenit”, të vlerësoheshin masivisht për mprehtësinë por edhe guximin e thjeshtë dhe pa zhurmë. Një nga punët e tij do të ketë kujtim të thellë dhe kjo lidhet me atë që kriza e sotme nuk do t’ia dijë për asgjë. Kuptohet se puna ka karakter ndërkombëtar dhe ai krizën e zgjedh me simbolikën e vdekjes që një qark fabrikash, që kanë barazi tek oxhaqet ajo u pret me kosën e vdekjes tymin, simbolin e punës. Kritika e tij prek edhe një nga karakteristikat më të mëdha që kemi, e që lidhet me ndërhyrjen, ku socializmi do të mbushej me raste të tilla dhe më keq akoma do të shkatërrohej prej vetë ndërhyrjes së njerëzve të saj.

Shqipëria e Ligorit ishte një Shqipëri që synonte veçse të sillte kritikën e bukur të përshfaqte dhe një vend me vlera që ti e kap me këndshmëri kur shikon atë që është pas punës së vet. Ashtu si ndodh në ligjin e pashkruar të Natyrës edhe për atë vdekja nuk do bënte pakt. Kishte kohë që e kishte lajmëruar dhe njeriu i artit i tutej si çdo krijesë, derisa në stacionin e fundit pakti ishte akut. Dhimitër Ligori la emrin e një artisti të mirë, me shumë pretendime dhe me standarde që duhet të vlerësohen nga bashkëkohësit. Kur vendi ynë të futet normalisht në shina normale dhe karikatura të ketë kritikën e saj reale, ai patjetër do jetë në vlerësimin e saj maksimal për frymën dhe gjetjet që bëri brenda kanoneve, që e detyronin të punonte. Dhimitër Ligori nuk diti kurrë të bërtiste për vlerat e punës së tij, por çdo përgjigje e shoqëronte me një buzëqeshje të ndrojtur, sikur të ishte një njeri i zakonshëm dhe jo artisti, që ishte i mbathur me çmime ngado. Dhe, kështu do të mbetet dhe për bashkëkohësit dhe ata që e njihnin: I thjeshtë dhe i qetë në bukurinë e artit të përshfaqur. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.