AKTUALITET

“Dita e dyerve të hapura”, Shkolla Teknike Ekonomike bashkëpunim me “Luarasin”

10:00 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Roli i arsimit profesional është vendimtar në ndërtimin e një shoqërie me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e kulturor. Mbi të gjitha, tregu i punës kërkon çdo ditë e më shumë persona të aftë në profesione të ndryshme. Shkolla Teknike Ekonomike në Tiranë është një ndër shkollat profesionale që ofron mundësi të shumta zgjedhjesh për nxënësit. Në “Ditën e dyerve të hapura”, zv.ministrja e Arsimit, Lori Haxhiu është rikthyer edhe njëherë në bankat e kësaj shkolle. “Kjo është një shkollë që në momentin që të hap dyert është e sigurt që merr maksimumin dhe do të kesh sukses edhe në të ardhmen”, – tha zv.ministrja e Arsimit. Ndërkohë, drejtoresha e përgjithshme e Politikave të Arsimit Profesional, Silva Banushi, theksoi rëndësinë e këtij arsimimi. “Është formimi profesional, ai që kërkohet sot në tregun e punës. Çdokush e ka kuptuar që vende pune ka, por kërkohet arsimi i duhur”, bëri me dije Banushi.




Drejtoresha e Shkollës Teknike Ekonomike në Tiranë, Anila Nanaj Bani tha se ky institucion ka krijuar bashkëpunime të shumta me biznese të ndryshme, banka të nivelit të dytë e kompani sigurimesh. Ajo më tej ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me universitetin “Luarasi”. “Kjo shkollë sot është e hapur për të gjithë ata që sot janë kandidatë potencialë për të qenë nxënësit tanë në regjistrimet e vitit 2019-2020. Ne kemi bashkëpunime të mira me kompani të sigurimeve në Shqipëri. Kemi pasur gjithashtu bashkëpunim të mirë me universitetin ‘Luarasi’ përmes organizimit të disa ‘workshop’-eve me mjaft vlerë për nxënësit tanë”, theksoi drejtoresha e shkollës së mesme ekonomike. Rektori i “Luarasit”, prof. dr. Ethem Ruka është shprehur i gatshëm për thellimin e bashkëpunimit me këtë shkollë të mesme, duke ofruar praktika për nxënësit në ambientet e universitetit. “Ne jemi vazhdues të kësaj shkolle, sepse te ‘Luarasi’ kemi Fakultetin Ekonomik, një nga fakultetet tona më të mira dhe jemi të gatshëm që të shtojmë raportet e universitetit me shkollën e mesme. Dhe kemi shumë për të bërë. Jemi të gatshëm që nxënësit tuaj të vijnë te ‘Luarasi’ për të bërë praktikë, për të marrë pjesë në nisma të ndryshme, siç ishte ajo e fundit për inovacionin në fushën e ekonomisë”, nënvizoi prof.dr. Ethem Ruka. Dekani i Fakultetit Ekonomik te “Luarasi”, Mateo Spaho e vlerësoi maksimalisht Shkollën e Mesme Teknike Ekonomike për idetë dhe projektet që nxënësit e kësaj të fundit realizojnë. “Një shkollë me shumë histori, që ka rrënjë të thella. Gjithashtu, një shkollë që merret me ekonomi dhe përgatit ata që janë teknikë të mesëm të ekonomisë. Ne të universitetit ‘Luarasi’ që përgatisim teknikët e lartë kemi absolutisht një lidhje preferenciale me këtë shkollë fantastike, plot me projekte dhe ide”, tha Spaho.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.