EKONOMI

Konfindustria, borxhi për TVSH-në ndaj biznesit, mbi 120 milionë euro

14:16 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Konfindustria vlerëson se raporti i fundit i misionit të monitorimit të FMN/Fondit Monetar Ndërkombëtar duhet të shërbejë si një sinjal i qartë për vendimmarrjen politike, për të ndryshuar në mënyrë thelbësore politikat ekonomike, financiare dhe fiskale të deritashme. Gjithashtu, përfundimet e raportit të muajit maj 2019 të misionit të FMN-së mund të lexohen edhe si një lëvizje taktike pararendëse e institucionit në fjalë, ngjashëm me qëndrimin e mbajtur ndaj skemave piramidale të viteve 1996-’97, për t’ia lënë të gjithë përgjegjësinë e mungesës së efektivitetit të deritashëm të politikave fiskale dhe ekonomike vetëm Qeverisë së Shqipërisë, në përpjekje për të shmangur pjesën dhe rolin e saj. Konfindustria vlerëson se të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2019 tregojnë për vazhdimësi të rezultateve të dobëta financiare në vijim edhe të problematikave të vitit paraardhës.




Niveli i lartë i borxhit publik prej të paktën 70% të PPB, mbi 120 milionë euro detyrime të TVSH-së të pakthyer biznesit deri në fund të 3-mujorit të parë 2019, rënia e ndjeshme me 15-20 pikë e parashikimit të rritjes ekonomike, ulja e ndjeshme e të ardhurave nga TVSH, vazhdimësia e kreditimit të biznesit në nivelet më të ulëta historike, rritja e ndjeshme e pranisë së kreditimit informal/fajde etj., tregojnë për performancë të ulët fiskale josezonale, por me rrënjë të thella strukturore të ekonomisë kombëtare si dhe politika fiskale, financiare dhe ekonomike jo të duhura në shumicën e tyre. Konfindustria vë në dukje se pavarësisht qëndrimit të fundit kritik, FMN ka pjesën e saj të madhe të bashkëpërgjegjësisë në ndërtimin dhe zbatimin e politikave fiskale, të filluara në rastin e marrëveshjes së huas të vitit 2014. Lejimi i rritjes së menjëhershme të borxhit publik të vendit me pothuaj 10% të PPB si pasojë e huamarrjes të mbi 1.3 miliardë euro në 5,6 vitet në vazhdim të marrëveshjes e pashoqëruar me një program të qartë të reformave strukturore ekonomike është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e FMN. Gjithashtu, mungesa qartësisë së drejtimit të shpenzimeve buxhetore, rritja e barrës fiskale, kalimi i menjëhershëm dhe i pastudiuar nga politika e tatimit të “sheshtë” në përpjesëtimor, rritja e taksave për karburantin, energjisë etj., thellimi i skajshëm i politikave koncesionare pa garë dhe PPP, ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale për biznesin në përgjithësi dhe biznesin e vogël në veçanti, etj., prishja e uniformitetit të fiskalitetit për sektorë të ndryshëm të ekonomisë etj., janë anashkaluar në vite nga misionet dhe përfaqësuesit e FMN në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.