MILOSAO

Letër për letërsinë e Moikomit

18:00 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

MIRA MEKSI – I dashur Moikom,




Kur lexoja librin tënd “Deti Kanibal” përnjëherë dhe pas tij ” Plagosja e Kujtesës” të shkrova,- që vargjet e tyre po i shijoja shumë,- nga pak çdo ditë, me gllënjka-vargje, njëlloj,- siç shijohet një verë e çmuar.
Ashtu siç i lexoj përherë vargjet e tua, dehem lehtë me to,- ndonëse bëj kujdes të mos lexoj njëherit më tepër,- se 20 – 30 syresh ( marrëzi bën njeriu shumë i dehur) – dhe ngjitem në të tjera lartësi të Ekzitencës,- në të tjera dimensione sipërane,- që Kozmosi yt Poetik krijon.
Por nuk po të shkruaj për to.
Nuk po të shkruaj për romanin e Julia Krisevës “Meurtre à Byzance ” ,-që më sygjerove pikerisht ti dhe vetem ti- ta lexoj,- pasi të ishte kujtuar,- kur lexove novelën time ” Pa zemër në kraharor ” dhe më shkrove:
” U zhyta në leximin marramendës ,i zotëruar nga idea e udhëtimit a e fluturimit në një shumësi labirintesh.
Mira e dashur, nuk është tregim,por shpalosje,- më shumë një bërthamë romani ,-një Fantazmagori Spanjolle dhe e Botës Prekolumbiane,- një prerje rrathësh e realiteteve dhe mitologjive.
Teksti yt letrar është gjithashtu një Ekzotikë dhe Shqetësim Universal! ”
Dhe ditë më pas ,- kur po kuroheshe per Leucemine në Greqi,- më dërgove tekstin:
“MJEKË,MJEKË … PA ZEMËR NË KRAHËROR!

Teksti yt!
Të jesh “një trëandafil pa kopësht”.
Të pish mijra dolli pilque-pijen e bardhë te actekëve!
Në vend të vrisnin Frida Kahlo-n vranë Trockin! Ah,kafka e madhe prej sheqeri e Fuentes!!
Ah,guri mistik i jadës!
Ah, QUETZALCOATL-I, Gjarpëri me Pendë !
Të jesh rishtarja e Erosit te actekëve-duke mos qenë!
Teatër kukullash druri që bëhen fëmijë prej mishi dhe gjaku të Colodit të jashtëzakonshëm-sepse Burotinoja është vëllai i vërtetë i Lizës në Botën e Cudirave.
Gjatë qëndrimit në Greqi një ditë shkova në Eleusina,tek tempujt e riteve të Demetrës,të Persefonit, të Kores dhe të Teleforit, të Mistereve Eulisiane.
Aty ishte një shpellë,e mbiquajtur si e Plutonit,ku dikur kishte gjarpërinj të shenjtë si hyjni të nëntokës, ktonike-vëllezër virtualë te Gjarpërit me Pendë të actekëve.
Aty përjetova disa çaste plot dhimbje,mbase tëre amëshimin-sepse kjo shpellë konsiderohej si Porta e Hadit.”
Nuk po të shkruaj për Borges-in, mjeshtrin tonë, plakun dinak, që te “Shifra” thotë se ai po i lexon fjalët e mia, po i shpik ato.
Apo te rikujtoj dhe komentet tona për vërtetësinë e këtyre fjalëve, ngase jetojmë në një të vetme botë;- as për ” Pierre Menard-in” e tij dhe përgjigjen time letrare ndaj hamendësimit të Borges-it për një Pierre Menard të Dytë,- kur thura tregimin ” Pierre Menard-i i Dytë”- me mendje te ti Moikom .
Sepse je ndër të paktët,ose i vetmi, që mund ta shijoje tregimin tim, pasi, mbi të gjitha, njihje ” në majë të gishtave” atë,- që pat shkruar Borges-i, dhe se ai tregim- të pëlqente përmbi gjithë të tjerët- e shkruar prej tij.
Sepse do ta shijoje si askush- sidomos palimsestin e Cervantes-it që imagjinova, ti që e ke palimsestin Specialitetin tënd.
Dhe më shkrove:

” E dashur MM.

Mos më thuaj se gërma e dyfishtë MM nuk lidhet me Menard-in e Borges-it.
Për të zhvarrosur dhe ringjallur ato Troja!
Sapo e lexova tregimin tënd në “Milosao”.
Habitërisht më tingëlloi si Pierre Menard-i i Tretë.
Po Pierre Menard-i i Katërt?
Po i njëmijti?
Po Pierre Menard-i Zero?”
Nuk po të shkruaj për kartolinën ,-që Xhevo Spahiu të solli ty nga Parisi- dhe që mbante në frëngjisht dy vargjet e tua,- foton e së cilës ma dërgove: ishte një mol i bardhë ne qytetin Sette ,- te lindjes se Paul Valeryse,- përmbi të Kaltrën e detit,- me një Far në horizont.
Dhe vargjet e tua,- gdhendur me kripë të bardhë[- përmbi hapësirën e kaltër.
Të shkrova: “vargjet e tua mbajnë në krahë pluhur dritëhëne.”
As për librin tënd ” Eshtra Zodiaku”,- nuk po të shkruaj, ku ndodhet një poezi që ma ke kushtuar mua,- vargjet e të cilit kanë absolutisht atributin- të të nxjerrin nga çdo lloj gjendje e keqe ,-ku mund të ndodhesh- dhe të bëjnë të ndihesh mirë,- në një botë me ngjyra, -përtej këtij realitetit të pashije të çdo dite…
Nuk po të shkruaj për Ernesto Sabaton,- shkrimtarin e madh të botës,- shkrimtarin tonë më të madh të të gjitha kohërave,- shkrimtarin që,- ashtu si ne ka stërgjysh- Skënderbeun.
Më kujtohen shpesh bisedat e vyera simultaniste me të- Sabaton ,- kur erdhi atë fundprill të viti i 1996 në Tiranë- për të marrë çmimin letrar- që i kishim përgatitur ne të gjithë,- me Fondacionin Velija në krye.
I kemi përmendur shpesh ne të dy fjalët e tij, amanetin e së ëmës arbëreshe, dëshirën përvëlonjëse të Princit të Letrave Argjenitinase,- për të mos ikur nga kjo botë pa parë malet e Shqipërisë…
Dhe përkrenarja e Skënderbeut në shkrimëtoren e Sabatos ne Santos Lugares, dhe Lulja Supernatyraliste ,-që pikturoi përmbi një pecetë letre- dhe na i la si kujtim një muzg,- në Dhomën e Verërave të Restorantit Piazza-s…
Nuk po të shkruaj as për Lukianin nga Samosata,- Rehtorin e shekullit të II, -i cili shfaqet në tregimin tim “Pasqyrat” për pasqyrën,- që mundi të këqyrte në Hënë.
Më shkrove se Lukiani konsiderohej si “Volteri i Antikitetit”,- se e kishe përmendur shpesh në krijimet e tua dhe, pasi komentuam gjatë librin e tij,- që porsa kisha lexuar ” Histori të vërteta”, më dërgove tregimin tënd të gjatë dhe të mrekullueshëm mbi Aleksandrin e Rremë,- të frymëzuar prej një subjekti të Lukianit nga Samosata.
Ishte koha kur kisha lexuar dy tregimet e tua,- po aq të pazakonta e magjike : ” Enigma e Napolit” dhe ” Andrea Manesi”.
Nuk dua të ndalem as te labirintet,- të gjitha labirintet,- që kemi zënë ngoje gjatë komenteve tona pa fund.
Veçanërisht labirinti i Drakulës në tregimin tim te “Flutura mes gjinjve”,- për të cilin më shkrove:
“E dashur Mira,
Brenda Mirës është labirinti i dyfishtë, i paraardhësve dhe pasardhësve të tu- mijëra nga e Kaluara dhe miljona nga e Ardhmja.
Tregimi yt për labirintin më kujtoi metaforën e futjes në një Perpeetum Mobile te një Thriller-i.

Kam kaluar shumë netë në Budapest .
Dhe kam shkruar:
” …I mësova tërë Drakulat të jenë vegjetariane…”
Së fundi, nuk po të shkruaj as për Teutën e Ilirisë,- bisedat tona ndër vite për të,- dhe as për Misterin, vagullinë, mjergullën e dendur që mbulon vdekjen e saj,- ku hodha spirancën e lëndës,- që ngjizi kozmosin e nderlikuar, nebular, inkandeshent e ” Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”; -pikërisht në një vargun tënd intim,- enigmatik,- që hamendsonte vetvrasjen e saj,- kthimin e Saj në re…
Shpirti hyjnor Teutës, -i çliruar nga Njerëzorja,- Prijësi Shpirt i Ilirisë- dhe i Kohërave të Pafundme.
Po të shkruaj në të vërtet për PSALMET.
Jo ato të Davidit, Psalmet e Tua,- liturgjinë tënde poetike, këngët e Biblës së Shpirtit tënd.
Janë të magjishme.
Janë të jashtëzakonshme.
I lexoj dhe i rilexoj duke mbajtur frymën,- duke i dëgjuar herë në hebraishten parake të ëndrrës,- herë me muzikën e një instrumenti të lashtë me korda,- që Kohërat Moderne ia kanë fshirë emrin.

Më mbrojnë, më lartësojnë, më rrëfejnë udhën sipërane…

PSALMI YT 153.:

” O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave,
që je Trandafil i Erërave!

Pse mermeri i skalit heronjtë e vrarë mes baltës?

Ah, përfytyrimet janë kafshët,
që poeti i pjell në kopështin zoologjik të metaforave!

Gjaku ikën si zvarranik i lashtë,
i kuq në shkretëtirën blu!

Dhe dëbora na mbështjell
si qëndisje baroke dantellash
bërë nga gishtat e magjishëm të ajrit!

O, gramatika memece e pasqyrave!

Pse fytyrën e Arkilokut e kam maskë
dhe kam gjithashtu mbi supe
një pelerinë anemonash dhe kristalesh?

O, drita të pagjumësisë hyjnore!

Këta semaforë janë piktura dadaiste,
ose janë epikriza e sëmundjeve të mia
për mjekët e kozmosit!

Dhe qivuri prej Hëne e ka mbyllur brenda qytetin.

Me lopata gjethesh
e hedh dheun e dritës mbi varrin e imazhit tim!
Mes sendeve të pavdekshme
pse isha (jam) kaq i vdekshëm?
I dashur Moikom,
ky është një Sistem i Ri planetar i Shkrimësisë, me figura letrare të pangjashme me asnjë figurë letrare të njohur më parë.
I quajnë si krahasime, metafora, metonimi..
. Por në të vërtetë janë diçka tjetër, Diçka e Tjetërllojtë, e fuqishme si gjaku, e prushtë si ndjenja.
Sistemi yt!
Janë figura gjeniale,- pse janë të pamundura,- nuk ekzistojnë as në realitetin e Jashtëëndrrës,- as në Imagjinatën njerëzore,- por kur i dëgjon në gjuhën e shenjtë aramaike,- apo shqipe,- Imagjinata vetë,- prej Magjepsjes,- pjell një Imagjinatë të përshtashme- për t’i asimiluar dhe shijuar.
Dhe atëherë ndjesitë njerëzore,- i kapërcejnë kufijtë që njohim,- dhe krijojnë ekstaza ndjesish,- të ngjashme me ato të perëndive…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.