BLUETOOTH

Sabri Fejzullahu: Pengu im më i madh, shkatërrimi i ëndrrës së gruas

14:00 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:




Një njeri me vlera të ralla, do të thoja të jazhtëzakonshme. Me shqipen e përsosur dhe elokuencën e lavdërueshme në të folur, artisti i madh i skenave shqiptare, Sabri Fejzullahu rrëfen për suplementin e së shtunës detaje ekskluzive nga jeta e tij. Që nga rrugëtimi në botën e muzikës, tek njohja me bashkëshorten, pengu i madh i zemrës, marrëdhënia me Ermalin dhe dashuria e madhe për nipin. I tregon sot të gjitha, pa asnnjë rezervë, i madhi Fejzullahu…

Me çfarë po merreni aktualisht?
Aktualisht, këtu e 12 vite më parë ekziston e njëjta kontratë dhe e njëjtja marrëveshje, çdo të premte dhe të shtunë, 11 muaj rresht, çdo vit jamë diku në Evropë e Amerikë. Dmth Gjermani, Suedi, Danimarkë, Holandë, Luksemburg, Angli, SHBA, Zvicër, Itali, Austri, Francë… Dua të them që shqiptarët që kanë diskoteka në Evropë më ftojnë në dhjetor dhe më thonë: Sabri m’i jep 5 data, brenda vitit që të jesh mysafir në diskotekën tonë. Prej 12 vitesh këndoj vetëm në diskoteka për të rinj dhe asgjë tjetër, vetëm në Evropë.

Cili është impakti që merrni nga këto koncerte? A ju është ulur popullariteti tani që keni edhe Ermalin rival?
Jo, unë mendoj që Ermali është diçka tjetër. Ndonëse dhe ai këndon vetëm për të rinj, vetëm në diskoteka. Unë e kam ndërruar 12 vitet e fundit, sidomos 10 vitet e fundit edhe repertorin. Ndoshta nuk është ajo që dua unë, nuk është ajo muzikë që mua më pëlqen, që e kam kultivuar këtu e 45 vite. Është diçka e mesme, me një ritëm më të shpjetuar sepse tani të rinjtë duan vetëm të vallzojnë.

Në gjithë këto vite karrierë, cili është momenti që nuk do ta harroni kurrë? Një episod të cilin e kujtoni gjithmonë me kënaqësi?
Çdo mbrëmje është një mbresë e veçantë dhe diçka që sjell gjithmonë risi, sepse dallojnë njerëzit, nuk dallojnë mentalitetet, por edhe varësisht nga vendet ku kanë lindur ata të rinj. Për shembull në Suedi kam vënë re se djemtë dhe vajzat shqiptare janë shumë të edukuar, pastaj Norvegjia, Luksemburgu, Franca, Gjermania, etj, kanë gjithashtu një publik shumë mbreslënës. Domethënë çdokund ka përjetime të llojllojshme. S’më bie për të harruar vitin e kaluar në një diskotekë që quhet “Insomnia” në Zvicër, kemi kënduar unë dhe Elvana Gjata, kanë qenë brenda 3000 mijë spektaktorë. Salla ka një kapacitet më të vogël, për 2000 veta dhe kur kam dalë për të kënduar unë dhe Elvana me ovacionet më të mëdha dhe çuditërisht të gjitha këngët tona i ka kënduar publiku me ne, gjatë gjithë kohës. Kjo më është ngulitur për arsye se në botë këngët e preferuar, po e nis nga gjenerata ime Joe Cocker ose Sting, ose sot Rihanna, kur dalin për të kënduar të rinjtë këndojnë bashkë me ta. Të rinjtë shqiptar nuk e bëjnë shpesh këtë dhe kjo ishte kënaqësia më e madhe që s’do ta harroj kurrë asnjëherë. Gjithashtu vjet, në të njëjtin turne që kam pasur me Elvana Gjatën në SHBA, ka qenë një turne shumë i bukur. Kemi pasur 5 mbrëmje dhe të pesta janë të paharruara edhe pse ka qenë hera e 50 që kam qenë unë në Amerikë, nga viti 70 që kam shkuar për herë të parë.

Keni në plan ndonjë bashkëpunim së afërmi?
Normalisht një bashkëpunim nuk vjen me planifikime, por kur një kompozitor ka një material të bukur. Mua më pëlqen shumë të bëj duete, por këto duete nuk dua t’i bëj sa për të shtuar një tjetër këngë në repertorin tim. Unë kam dëshirë që kënga të pëlqehet shumë nga publiku dhe të ketë një jetëgjatësi në tregun muzikor.

Si i keni marëdhëniet me kolegët tuaj? Kë do të veçonit si kolegun me të cilin keni marrëdhënie më të mira?
Unë me të gjithë kam marrëdhënie të mira. Të gjithë i dua, të gjithë i respektoj edhe pse kemi një dallim të madh në moshë. Kolegët e mi, ato që kanë dalë në skenë përpara 30 vitesh, sot e kanë lënë këngën. Unë dua t’i falenderoj shumë ato. Por pas çdo Zoti apo Perëndie unë dua të falenderoj Zotin e Zotave për artistin dhe ai është publiku im, i cili i dëgjon këngët e mia, i pëlqen dhe i mbështet ato. Përsa i përket kolegëve që dua janë vërtetë shumë, duke filluar nga Kastriot Tusha që e kam shumë mik, kompozitorin Edmond Zhulalin, Rovena Dilon, Rovena Stefën, Rozana Radin, Sinan Hoxhën që e kam mik shtëpie mbi të gjitha. Atë e konsideroj si djalin tim të dytë dhe e dua po aq sa Ermalin. Sa herë që vjen në Kosovë nuk e lë të shkojë në hotel, por e mikpres në shtëpinë time. Sinani është për mendimin tim “kopili” i skenës shqiptare. Shqiptar që di ta menaxhojë këngën dhe artin e tij kudo, jo vetëm në Shqipëri. Çdo thashethem i thënë për Sinanin mbetet i tillë dhe del vetëm nga gojët e liga. Këngëtarët e rinj duhet të marrin shembull nga Sinan Hoxha për të kuptuar se si duhet të jetë karriera brilante e një këngëtari.

Si e është mardhënia juaj me Ermalin? Si i keni raportet me të?
Ermalin e kam xhan, e kam shpirt se është djali im mbi të gjitha. Ermali ka studiuar që fëmijë për muzikë, ka qenë gjashtë vjeç kur ka filluar pianon. Mami Nera e ka shtyrë, që kur ka qënë katër vjeç të dëgjojë Stevie Wonder dhe muzikë alternative. Muzika ka ndërruar shumë në Evropën Juglindore dhe çuditërisht ne shqipëtarët nuk kemi shumë shije muzikore, ose kemi një shije paksa të çuditshme. Ermali këndon atë ç’ka në botë është e avancuar dhe e arrirë, por publiku vazhdon ende t’i thotë: “Na këndo ndonjë gjë për të kërcyer o Ermal, lëri ato këngë se nuk na interesojnë”. Ermali është shumë i dashur, shumë i popullarizuar dhe çdo javë ai i ka katër evenimentë për të marrë pjesë, dy jashtë shtetit dhe dy në Kosovë. Ai ka një jetë vërtetë shumë të bukur, një jetë me një ekonomi mjaft të mirë për moshën që ka. Si koleg unë i uroj shumë suksese në karrierën e tij, ndërsa si djalë që e kam i uroj shumë shëndet edhe i them ja ‘hëngsha zemrën’.

A i bëni kritika njëri-tjetrit?
Unë kam dëshirë që ai kur këndon mbrëmjeve të këndojë vetëm këngët e tij, që ia kompozojnë kompozitorët dhe tekstshkruesit e tij. Ermali këndon pesë ose gjashtë nga këngët e tij dhe më pas vazhdon me këngë të tjera të cilat ia kërkon publiku. Mua personalisht nuk më pëlqen aspak kjo gjë, por ai e ka zgjedhur këtë rrugë. Muzika është një det i pafund dhe shija është gjithmonë relative kudo. Këshilla ime për të është që të vazhdojë të këndojë atë muzikën fine që e ka në trup, por ai më thotë që ekonomia nuk do këtë gjë, ajo kërkon që të këndojë diçka tjetër. Le të vazhdojë, ai e di më së miri, por do të vijë një ditë që ai do i kthehet asaj që i ka sugjeruar mami Nera dhe unë.

Ermali ju ka bërë gjysh dhe së shpejti bëheni për herë të dytë. Si ndiheni?
Arjana do të lindë në muajin maj dhe do të sjellë në jetë një vajzë. Femija e parë ishte djalë, Arti të cilin unë dhe Nera e kemi si dritën e syve, gjënë më të rëndësishme në jetë. Arti është ai që më bën të ndihem i ri. Falë tij nuk më intereson se sa vite i kam pas shpine. Kur në Kosovë është dimër dhe borë, Arti më bën të shoh vetëm lule dhe pranverë. Ai është personi që na ripërtërin mua dhe Nerën. Ermali jeton në shtëpinë e tij me Arjanën dhe Artin, por unë dhe Nera që në orën 12 kur ai del nga kopështi shkojmë e marrim dhe e mbajmë “peng” në shtëpinë tonë deri në orën nëntë të mbrëmjes. Më pas jua kthejmë Ermalit dhe Arjanës dhe kështu ndodh të nesërmen sërish. Dikur ka qënë një shprehje nga gratë e moshuara të cilat thonin: “Si nuk lindëm më parë një nip apo një mbesë, që të provonim dashurinë që ai të dhuron”. Kënaqësia më e madhe për çdokënd kjo është, të kesh një nip ose një mbesë.

Si po e prisni ardhjen në jetë të mbesës suaj?
Vajzat depërtojnë dirket në zemrat tona dhe janë më të afrueshme, janë ato të cilat dhe kur plakesh të rrinë më pranë dhe të falin pak më shumë dashuri se djemtë. Ndaj dhe mezi po e pres lindjen e saj. Djemtë kur rriten, sapo fillojnë dhe futen në moshën e adoleshencës nuk duan më t’i përkëdhelësh, dashurinë s’e shprehin ashtu si vajzat.

Cila është ajo gjë që ju ka mbetur peng në karrierën tuaj muzikore?
Peng në zemër më mbeti dashuria dhe talenti që kishte bashkëshortja ime Nera për këngën. Kur e njoha unë ajo i kishte të regjistruara katër këngë ne Radio Televizionin e Kosovës. Ajo ishte shumë e bukur, dhe nga xhelozia apo nga frika se mund të ma merrte dikush prej meje, unë ia ndërpreva pasionin për këngën akoma pa u martuar me të. Ky është pengu i vetëm që kam nga jeta dhe për t’ja larë borxhin Nerës kam dëshirë që t’i organizoj një koncert, një mbrëmje gala, ku për dy orë të këndoj vetëm unë me Nerën nën shoqërinë e një orkestre simfonike.

Si jeni njohur ju me Nerën?
Në mbrëmjen e maturës të Nerës këndoja unë. Një nga shoqet e saj erdhi tek unë dhe më tha që kemi një mikeshën tonë e cila ka dëshirë të këndojë. Sapo e pashë çcfarë bukurie kishte i thashë: “Sa bukur këndon ti”. Ajo më tha qe ti akoma s’më ke dëgjuar duke kënduar. Nga ajo natë për pesë vjet nuk u takuam më edhe pse të dy jetonim në Prishtinë. Pas pesë vitesh e pashë sërish, ajo ishte një shitëse lulesh që studionte për letërsi. Gjëja e parë që i thashë atë ditë ishte kjo: “Ti do të jeshë gruaja ime që sot”. U hutua dhe jam i sigurt që ka thënë me vete a është normal apo jo ky. Çdo ditë shkoja e takoja tek dyqani i luleve dhe nuk përtoja aspak ta bëja këtë gjë. Kështu pas disa kohësh ne të dy u martuam dhe ajo solli tek unë lulet e vërteta të jetës.

E keni pasur të vështirë kur propozuat Nerën? Ju ka refuzuar ajo fillimisht?
Po sepse unë jam 15 vite më i moshuar se Nera faktikisht.

Ç’farë reagimi ka pasur familja e saj?
Familja ka rënë dakort normalisht, pasi të them të vërtetën në atë kohë unë kam pasur goxha popullaritet si këngëtar, me një ‘background’ dhe përvojë të madhe. Para 40 viteve kam qënë shqiptari më i popullarizuar në ish-Republikën Jugosllave që këndoja në shumë evente muzikore. E ëma ishte kundër ndërsa babai jo, por unë rrëmbeva zemrën e Nërës dhe pastaj kush pyet më për mamin dhe për babin, apo dhe për vëllain kur fiton zemrën (qesh).

Di gjithashtu gjë ju keni mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi si dhe Akademinë e Arteve për aktrim. Më tregoni pak diçka më shumë në lidhje me këtë. Kush mbizotëron më shumë mes dashurisë për muzikën dhe aktrimin?
Po është e vertëtë. Unë kam punuar për 30 vite si aktor në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Kam luajtur shumë role të rëndësishme dhe të zhanerave të ndryshëm. Sigurisht që midis aktrimit dhe muzikës mbizotëron gjithmonë pasioni për këngën.
Ajo është më sublimja dhe një ndër gjërat më të rëndësishme që kam. Eshtë dielli im që rrezëllin për mua, më krijohet një ndjesi që vetëm kënga mund të ma fali. Teatri është ndjesi më vete, por nuk e zëvendëson asnjëherë këngën.

A i keni dedikuar ndonjë këngë Nerës?
Po patjetër që i kam dedikuar një këngë. Unë dhe Nera kemi shumë vite martesë dhe jemi larg njëri-tjetrit për arsye se çdo të premte apo të shtunë iki në Evropë për të kënduar. E të dielën kur kthehem deri të premten jam 100% në dispozicion të Nerës. Natyrisht i mungoj nëpër ditëlindje apo festa të ndryshme, ku pjesën më të madhe të kohës nuk jam me të. Unë mundohem t’ja kompensoj, pasi unë i kam shumë borxhe në jetë Nerës. Tek kënga që i kam kushtuar asaj nuk kam mundur t’ja them të gjitha ato që doja. Ajo nuk meriton një këngë apo një album, por një histori dashurie për të treguar sakrificën e saj, ku unë të paktën ta tregoj me fjalë se ç’bën Nera për mua, karrierën time, atë të Ermalit. Ajo ka sakrifikuar veten e saj, madje dhe karrierën e saj, vetëm që ne të arrinim diçka në jetë. Po të mos ishte Nera mund të them që unë që para 30 viteve do ta kisha lënë këngën. Ajo më ka dhënë gjithnjë shumë kurajo dhe më ka shtyrë për të ecur para. Faleminderit mijra herë në radhë të parë ty Nera, por dhe sigurisht publikut.

Si përfundim ç’farë ke dëshirë të thuash për ata që po lexojnë këtë intervistë?
Jam njeri pa komplekse, unë i urrej shumë këngëtarët me komplekse. Nuk ka më mirë se të jesh origjinal. Origjinalin e duan njerëzit, kopja është gjithmonë e zbehtë, imitimi është vetëm për majmunët, jo për njerëzit. I dua me shpirt kudo janë shqiptarët në rruzullin tokësor. Kam një dashuri shumë të madhe për to dhe shumë respekt. Ndërkohë që juve ju falenderoj nga zemra që më mundësuat që të komunikoj me anë të gazetës suaj me publikun tim në Shqipëri. Shumë faleminderit.

Ky shkrim u botua më 26 mars 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.