OPINION

Shfaqja e panevojshme e Ramës në “Opinion”

07:09 - 19.05.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Ka një kod të pashkruar të të gjithë mashtruesve profesionistë (përjashto këtu delirantët, të sëmurët apo mitomanët): mos e shpërdoro gënjeshtrën kur nuk ke nevojë.




Pikërisht këtë “urdhër” theu Edi Rama të enjten, me paraqitjen e tij në “Opinion”. Ai doli përpara publikut për të rreshtuar një seri të pavërtetash të frikshme.

Gazetarët i nxorën përpara dokumentet zyrtare të prokurorisë, të pranuara edhe nga vetë Vangjush Dako, ku ai dëgjohet duke bashkëpunuar për grabitjen e votave me trafikantë droge, Rama tha se kjo është thjesht një “sallatë fjalësh”. Ata insistuan se pse Prokuroria e Përgjithshme po e varros këtë dosje, Rama u përgjigj se Arta Markun nuk e ka zgjedhur ai. Ata i kërkuan se përse nuk reflektonte së paku politikisht me shkarkim, Rama tha se nuk bëhet politikë me përgjime. Ata këmbëngulën se ai pati bërë të njëjtën gjë me videon e Metës në 21 janar, Rama lëshoi një pasthirrmë të gjatë…

Por, ky nuk qe i vetmi episod, ku kryeministri u detyrua të gënjente rëndshëm.

Historia u përsërit edhe me shkrimin e tabloidit më të madh gjerman “Bild”, që e etiketonte regjimin e tij si gangster dhe e implikonte vetë kryeministrin në përgjimet e dosjes ‘184’. Ai u rrek të bindte publikun shqiptar se shtypi gjerman qenkësh aq i paaftë, sa artikujt t’ia diktonin kundërshtarët e vet shqiptarë. Madje, shkoi edhe më tej. Kur iu përmend akuza e Blerina Gjylamentit se ky artikull ishte i blerë, ai u justifikua se ajo e kishte thënë këtë në kokë të vet.

Sikur të mos mjaftonin mashtrimet për Dakon, Arta Markun, përgjimet dhe “Bild”-in, ai i shtriu ato deri në Kosovë. Ai gënjeu edhe njëherë tjetër kur pretendoi se Ramush Haradinaj e kishte shpikur fabulën e presionit për heqjen e taksës. Megjithëse tashmë në shtyp kanë dalë edhe dëshmitarë të tjerë të kësaj ngjarjeje, ai këmbënguli me kokëfortësi në versionin e tij.

Natyrisht, askush nuk priste që Edi Rama të thoshte të vërtetën, qoftë edhe për një nga këto tema që do të kishte qenë e mjaft për të përligjur dorëheqjen e tij.

Ai nuk mund të pranonte as implikimin e trafikantëve në vjedhjen e zgjedhjeve, as akuzat e rënda të shtypit gjerman dhe as dyfytyrësinë epike që po tregon për Kosovën.

Por, është logjikisht e pakuptueshme se pse ai nuk iu përmbajt kodit të vjetër të mashtruesve: të mos gënjente pa pasur nevojë. Ta shmangte daljen në “Opinion” për të mos u përballur me ato pyetje që do ta nxirrnin zbuluar.

Në të gjitha vendet normale të rruzullit, nuk ka shef qeverie apo kryetar shteti që shfaqet në një intervistë aq të gjatë për të mos dhënë asnjë mesazh, për të mos përcjellë asnjë ide, për të mos shpalosur asnjë vizion për të ardhmen.

Rama bëri pikërisht këtë, hapin e panevojshëm të paraqitjes publike për të mashtruar. Dhe fatkeqësisht ky ves i doli dyfish në pah, tani që shpallja e paqes për mosdenigrimin e gazetarëve nuk e mbron dot si më parë.

“Lapsi.al”

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …GAZETA GJERMANE BILD ESHTE GAZETE BULEVARDESKE PROSTUCIONALESKE E BAHNHOF VIERTEL KARTIEL.NUK ESHTE GAZETE SERIOZE,POR KURREN E KURRES POLITIKE.GAZETA BILD APO ST:PAULI PORN-NASCHRIECHTEN NE GJERMANI;BLICK APO 20MINUTEN NE ZVIZER;OPINION E KLAN-HAJVAN VO-FEFZI-ZIUT JANE PROPAGADA ME POSHTRUESE PER NJERZIT E POSHTER.GAZETAT FAZ(Frankurter Allgemeine Zeitung),ZNN(Neu Zuercher Zeitung) DHE GAZETA DITA,JANE BUSULLA EPOKALE.

    Përgjigju ↓