DOSSIER

Si i njoha Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun

14:15 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

David Smiley – McLean u kthye pas disa ditësh dhe ne patëm vizitën e parë nga shtabi – shtabi i përgjithshëm i LNÇ, në të cilin dy udhëheqësit kryesorë qenë Mehmet She
hu dhe Enver Hoxha. Mehmet Shehu ishte i shkurtër, i ashpër, i ngrysur, fytyrëzbehtë rreth të tridhjetave që nuk i qeshte buza përveç me fatkeqësitë e të tjerëve. Ai fliste mirë anglisht ishte shumë i zoti dhe kishte njohuri ushtarake më shumë se çdo shqiptar tjetër. Pas mbarimit të një shkolle amerikane në Tiranë, ai pati ndjekur një kolegj ushtarak në Napoli, nga ku u përjashtua për veprimtari komuniste; bëri një kurs oficerësh në Tiranë dhe shkoi në Spanjë në vitin 1938, atje iu bashkua Brigadës Internacionale ‘Garibaldi’ dhe u bë zëvendëskomandant i batalionit të katërt. Kur brigada u tërhoq në Francë në vitin 1939, ai u internua tre vjet. Kur u lirua u kthye në Shqipëri ku iu bashkua lëvizjes partizane, pas pak kohësh u bë anëtar i Komitetit të Partisë Komuniste për krahinën e Vlorës.




Në kohën që ne e takuam qe komisar për të gjitha forcat partizane të zonës. Atij i kishte dalë nami për trimëri, egërsi, mizori, mburrej se me duart e tij u kishte prerë grykën shtatëdhjetë karabinierëve italianë që i kishte zënë robër. Unë u afrova me të në fillim, sepse si ushtarë ne kishim diçka të përbashkët; por ai nuk përpiqej aspak ta fshihte se nuk i pëlqenin gjërat britanike dhe lidhjet e mia me të u prishën. Në njërin nga takimet tona me shtabin, ai bëri akuza të çmendura kundër nesh, duke u betuar se ne ia kishim dhënë Ballit Kombëtar të gjitha armët që ishin hedhur në Shqipëri, duke mos lënë asnjë për partizanët. Si përgjigje nxora nga çanta ime një tufë letrash me listat e armëve që ua pata dorëzuar partizanëve bashkangjitur me firmat e marrjes në dorëzim; i lexova me zë të lartë përballë shtabit, përballë shqetësimit dhe tërbimit të Shehut dhe ai nuk ma fali kurrë këtë. Më vonë, kur u formua Brigada e Parë Partizane, ai e tregoi veten si një dukje e poshtër e burracakërisë siç ende nuk e kisha parë, aty shkëmbeva fjalët e fundit me Shehun dhe nuk ishin fjalë mirësjelljeje. Pas luftës u bë kryeministër i Shqipërisë dhe e mbajti këtë pozitë derisa u raportua se kishte bërë vetëvrasje më 1981.

Enver Hoxha qe një karakter plotësisht i ndryshëm, një burrë trupmadh i shëndetshëm me një dhënie dore të flashkët. Ai nuk qe njeri ushtarak ndonëse kishte kërkesa ushtarake, por ishte më shoqërues se sa Shehu dhe fliste me ne një frëngjishte të rrjedhshme. Atij ndoshta nuk i pëlqenim, por në fund të fundit i fshihte ndjenjat e tij, ndërsa me Shehun e ndieje armiqësinë.

Hoxha ishte rreth tridhjetë e pesë vjeç. Ai pati mësuar në shkollën fillore të Gjirokastrës, liceun në Korçë dhe më tej në Universitetin Monpelje të Francës, të cilin u detyrua ta lerë sepse u rrëzua në provimet. Ai vajti në Bruksel dhe Paris për të studiuar drejtësi, por nuk u diplomua kurrë dhe u kthye në Shqipëri që të bëhej mësues i frëngjishtes në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë; më vonë u transferua në Liceun e Korçës po si mësues i gjuhës frënge. Ne gjithnjë e njihnim si ‘Profesor’, Enver Hoxhës me sa dukej i shkonte ky titull prej mësimdhënies. Ai e ndërpreu punën e mësuesit në vitin 1940, për të drejtuar një dyqan cigaresh në Tiranë, e cila u bë një bërthamë komuniste dhe vendtakimi i elementëve kundër shtetit; pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare më 1941, ai u bë sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë, me sa dukej këtë post mbante edhe në kohën kur e takuam për herë të parë.
Unë shkoja mirë me Hoxhën, madje edhe pse ai qe i prirur të kërcënonte me fjalë e të humbiste durimin me mbledhjet tona që nuk kishin të mbaruar. Kisha kënaqësinë ta ngacmoja rreth politikave të tij dhe sa më shumë propagandë komuniste të ushtronte ai tek unë aq më shumë kapitalist, imperialist dhe djathtist bëhesha. Njëherë, ne po qëndronim përballë një harte lufte të botës, ndërsa ai po më fliste pa pushim se si do të dëshironte ta shihte botën pas luftës, natyrisht të gjithë botën e donte komuniste. Duke u kthyer nga unë më tha, ‘Si do të dëshironit ta shihnit botën, Monsieur le Captaine?’; të cilës iu përgjigja, ‘do të dëshiroja ta shihja këtë hartë të ngjyrosur të gjithën në të kuqe, por jo atë lloj të kuqe që mendoni ju.’ Ai u duk i çoroditur, por e lashë le ta vriste mendjen. Hoxha e kishte shumë ndjenjën e humorit dhe pas një gote me raki bëhej gazmor dhe zbavitës, në kundërti me shokun e tij Mehmet Shehu,- pozicion që e mban ende.


Ndërsa ndodheshim në Shtyllë lidhjet me Skënder Dinen u tendosën, sepse oficerët tanë rezervistë na raportuan se ai po përpiqej t’u nguliste atyre propagandën komuniste; pas një zënke të ashpër me McLean, ai iku për të mos u kthyer më kurrë. Në vend të tij LNÇ caktoi si nëpunës të ndërlidhjes një djalë të ri të quajtur Fred Nosi. Ai ishte i nipi i Lef Nosit, mikut të zonjës Hasluck dhe ishte arsimuar në një kolegj amerikan në Tiranë drejtuar nga Harry T. Fultz, ndoshta ai ka qenë amerikani më i njohur dhe më i dashur nga ata që kanë qenë në Shqipëri. Nosi fliste mirë anglisht dhe ne e përdornim si përkthyes në të shumtën e rasteve, ndonëse mjaft i këndshëm, e dinim se ishte komunist i bindur dhe si i autorizuar i LNÇ qe spiuni midis nesh që raportonte veprimet dhe takimet tona.
Nexhip Vinçani më pati dhënë një listë të çetave të tij, me emrat e udhëheqësve të tyre, numrin dhe armët përkatëse. Nga këto çeta një numër partizanësh qenë përzgjedhur të vinin tek ne për t’u stërvitur, pas stërvitjes ne u jepnim edhe më shumë armë. Rastësisht këto çeta të përziera formuan Brigadën e Parë Partizane. Çeta e parë që mbërriti ishte ajo e Petrit Dumes, me të cilin unë shkoja mirë, sepse ai qe i ri, entuziast dhe i mprehtë për të mësuar. Ndërsa Duffy, Jones dhe Jenkins i stërvitnin për minat dhe çmontimet, McLean dhe unë i stërvitnim në armët më të rënda si mortajat 81 mm dhe pushkët 20 dhe 47 mm.
Rreth kësaj kohe mora vesh se italianët ndodheshin në Voskopojë, kështu u nisa më këmbë disa kilometra për të parë se çfarë po ngjiste, isha i shoqëruar nga një dezertor italian i Forcave Ajrore, i cili i qe bashkuar Shtabit tonë Qendror. Kur arritëm e gjetëm qytetin në flakë, ndërkohë që po tërhiqeshin italianët i vunë zjarrin dhe përmendej se kjo ishte e pesëmbëdhjeta herë në historinë e tij. Italianët nuk hasën në kundërshtime dhe partizanët, të cilët qenë atje ishin tërhequr pa shtënë një pushkë. Kur e takova Vinçanin në qytet e pyeta përse nuk luftuan partizanët; ai u përgjigj se batalioni i tij ‘ishte duke bërë një lëvizje për t’i marrë krahët armikut dhe t’ia priste rrugën’ këto fjalë nuk i besova. Ishte e qartë se ata ia kishin mbathur dhe unë u hodha disi në sulm se batalioni i tij nuk ishte batalion por një bandë guerilase e mallkuar dhe sa më shpejt që ta ndalte qenien e tij si gjeneral në vend të një drejtuesi gueril aq më mirë do të ishte; ai dukej i ligështuar dhe u ndamë keq me njëri tjetrin.
Shkëputur nga libri
“Detyra në Shqipëri”

Shqipëroi nga anglishtja:
Meri Lalaj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.