OPINION

Engjëjt e Amerikës

07:10 - 20.05.19 Josif Papagjoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E pashë me vonesë shfaqjen “Engjëjt e Amerikës” të Teatrit Kombëtar, dramë e amerikanit Anthony Kushner, fituese e çmimit të njohur “Pulizer”. Teksa njëri nga personazhet, në formën e engjëllit Emilia që i fanitej mes vegimeve të ndezulluara të Prajer Uollterit, fliste për shtegtimin e botës në një udhë pa krye, në Kund-Askund, ku trajta parake e ngjizjes dhe e qenësisë humane të saj nga Zoti pa formë apo nga Anti-Zoti, mua sepse m’u kujtua narrativa brilante e Kadaresë në romanin e tij “Aksidenti”, në të cilën shkrimtari ynë mendjemprehtë sillte pikërisht atë rrokullimë të qenies njerëzore nëpër muzgjet e shtegtimit kozmik të mbushur me epshin e kundërthënieve, që diku-diku i iknin rregullit të çiftimit mashkull-femër dhe digjeshin yllësive të tjera të epshit brenda të njëjtit seks. Sepse dashuria nuk ishte përjashtimisht lëndore dhe e sajuar veç për riprodhimin e saj, por një gravitet me krisjet dhe shkeljen e rregullit të “artë” të çiftimit, që konvencionet morale e kishin kthyer në ligj e ndëshkim për të “pabindurit” apo të “demonizuarit”. E pikërisht ky engjëll-kumtar i vullnetit të Zotit, i luajtur me një pasion e fuqi imponuese nga aktorja Luli Bitri (disi e papritur për mua për zërin e saj të “butë” e të ngrohtë), ja ku ia beh në dy trajta: i bardhë në fillim dhe i zi në fund, siç gjithçka shfaqet e rishfaqet edhe te shpirti i njeriut dhe vetë Krijuesi i tij, Zoti: E Zeza dhe e Bardha, Drita dhe Errësira. Por nuk është thjesht një metaforë kjo, as thjesht shtresa onirike e dramës për ta çuar personazhin në një kopsht plot ujëvara. Doemos jo si në Edenin e dikurshëm të fantazisë biblike prej nga njeriu ishte dëbuar për “mëkatin e parë”, pra për seksualitetin e tij, i quajtur si një “turp” nga vetë i Madhi Zot, me organet e mbuluara fill nga gjethja e fikut. Përkundrazi, tashmë ai, njeriu i mëkatnuar, ftohej të shkonte në një burim shërues diku në Jerusalem, ku lapërdharët e rinj të seksit do t’i shpëtonin lëngatave sfilitëse të sëmundjes së Sidës të dërguar si mallkim nga i plotpushtetshmi. S’është më kopja Adami-Eva si mashkull-femër (mëkati i PARË), por kopja mashkull-mashkull (mëkati i DYTË) i botës së sotme, kredhur në një kllapi moskuptimi dhe tjetërsimi tragjik. Vallë a janë fajtor ata?! A duhen ndëshkuar? Kush mund t’i ndëshkojë? Ligji? Feja? Opinioni? Shkenca? A është krim dhe përdhosje morale homoseksualiteti?




Pikërisht këtu rri e vërteta e këtij teksti: të pranosh “tjetrin”, të “ndryshmin”, “të përjashtuarin”, atë që nuk është njëjtësi yt. Dhe tjetra: Vallë a është mëkat të dashurosh njëjtësin tënd, pra mashkulli mashkullin? Fenomeni i homoseksualitetit, ndonëse në ligje e kode fetare ndëshkohet si bjerrje, zvetënim dhe degjenerim qysh nga letrat e Shën Palit, jeta ndërkohë e ka pohuar se ai është diçka brenda njeriut, diçka gjenetike, jo si përjashtim, as si zvetënim, por e “ashtuqenë”. Edhe shkenca gjithnjë e më shumë po i largohet idesë së çrregullimit psikik, atij fiziologjik apo turbullirave të orientimit seksual në moshën e fëmijërisë dhe pubertetit. Për shumëkë është e vështirë, në mos e pamundur, ta pranosh homoseksualitetin, ca më tutje jetën në çift të dy meshkujve a dy femrave. Dhe trokitja e këtij problemi ka mbërritur edhe në dyert e shoqërisë shqiptare tejet maskiliste e patriarkale. Unë vetë, teksa ndiqja shfaqjen, e largoja mendjen nga “bezdia” që më jepte veprimi skenik, kur shpërfaqte elemente të domosdoshme konkretizimi lidhur me marrëdhënien homoseksuale, dhe rrekesha drejt kuptimeve dhe, ca më shumë, aq sa mundja, drejt ndjeshmërive të personazheve, për të ndërtuar katarsisin tim: pranimin e vuajtjes së tyre, të dashurive dhe dhembshurive reciproke, të solidaritetit dhe dhimbjeve. Dhe prandaj te ky shkrim dua t’i shmangem paksa ideve sfidante të tekstit, madje edhe regjisurës së guximshme të A. Kumbaros (sa i përket përzgjedhjes dhe trajtimit të dramës). Dua të afrohem më pranë lojës së aktorëve, të cilët duhet të luanin diçka që nuk ishte “brenda” tyre, që nuk buronte prej subkoshiencës së tyre teksa ata realizojnë ngjashmëritë midis ndjeshmërive si njerëz me ndjeshmëritë e personazheve që mishërojnë, por kur, në këtë rast, identifikimi aktor-personazh realizohet në mënyrë të tërthortë përmes hamendësimit (“sikur” po dashuroj një femër e jo një mashkull).

Kam bindjen se Helidon Fino në rolin e Roi Kon mbërriti në pjesën më të epërme të talentit të tij (së paku aq sa unë e kam parë atë). Ai ishte gjithë energji nga fillimi në fund, tërbohej me veten e të tjerët dhe drithëronte duke shpalosur një shpirt egërshan, mbushur përplot urrejtje ndaj shumëkujt (jo vetëm Rozembergëve të dënuar me vdekje si agjentë sovjetikë). Edhe pse i gozhduar në shtratin e të sëmurit, pa mundësi lëvizje e gjestikulimi, ai ngjante se lëvizte gjithë vrull nëpër skenë, ai e pushtonte vëmendjen tonë, na mbante lidhur pas vetes. Kjo u mundësua pikërisht falë një ndjeshmërie të fortë që ai përcillte, falë intensitetit të përjetimit të agonisë së personazhit dhe “zhvatjes” së çdo grime jete, falë urrejtjes që ai kishte ndaj kujtdo, i gatuar ashtu, në një mendjemadhësi dhe prepotencë shtypëse, të frikshme, sa dhe sfilitëse, falë paraqitjes së një shpirti mbushur krejt me mllef, që vuante pamundësinë e hakmarrjeve të fundit, falë panikut që i shkaktonte vdekja e pritshme, çka e kishte trandur keqas mendjen hakmarrëse prej ekstremisti të Roi Konit. Por aktori befasisht, në fund, sikur bën një “meacolpa” të karakterit të tij: në grahmat e fundit të jetës ai thërret nënën, bëhet fëmijë, kërkon një prehër ku të vërë kokën, një strehëz për t’u mbrojtur, një gji të ngrohtë. Njerëzorja sikur kishte bujtur më në fund si paqe në shpirtin e egërsuar e të turbullt të tij dhe ti si spektator, ndoshta-ndoshta, e ke falur këtë njeri të mbrapshtë, sepse pendesat dhe sfidat e zullumeve dhe padrejtësive që kishte bërë i faniten në formën e halucinacioneve dhe kllapive të frikshme e torturuese (qëndrimi dhe qeshja e përhershme e zonjës Rosenberg pranë shtratit të tij të vdekjes etj).

Genti Deçka në rolin e Prajer Uollterit ishte figura më mbresëlënësë për nga dëlirësia shpirtërore, një shpirt thuajse poetik, sa dhe i nginjur me përfytyrime mitike, besëtytni, prej një Mesie tjetërfarë, një Engjëlli flatrabardhë që i kumtonte porositë e shenjta, apokalipsin e pritshëm. Ndjeshmëria e tij fetare, e përzier me ëndërrimet poetike dhe erotike, të cilat barabiten me orgazmat, e bëjnë sa qesharak e naiv besimin e tij, aq dhe një nevojë për shpëtim, pranim, purifikim dhe transhendencë. Nga të gjithë personazhet, që vuajnë paragjykimin e shoqërisë ndaj homoseksualitetit të tyre, ky të shkaktonte më shumë dhembje, atë që estetika aristoteliane e quante “mëshirë”, keqardhje për tjetrin, të ndëshkuar nga fati dhe Zotat. Ndofta kjo ndodhte sepse në lojën e G. Deçkës nuk kishte shtirje, por një sinqeritet të thellë loje, ndjeshmëri, besueshmëri në gjendjen dhe rrethanën se ku dhe si vepronte personazhi i tij; madje edhe poezi, edhe humor.

Aktori i tretë që më tërhoqi më shumë vëmendje ishte Indrit Çobani te roli i Belize. Një aktrim plot sqimë, vërtetësi, elegancë plastike, ironi, shpoti dhe shumëçka tjetër, që e bënin këtë rol nga më të realizuarit. Aktori kishte realizuar një transformim të vërtetë vizual dhe plastik, por sidomos përshtatjen me këtë homoseksual sa shpirtmadh ndaj partnerit, aq dhe shpotitës ndaj të tjerëve si njeriut të vrazhdët Roi Kon. Asnjë fjalë nuk i ikte Indritit pa ia nxjerrë mirë domethënien. Ky aktor e ka këtë veti: nuk e harxhon fjalën kot, nuk përshpejtohet. Ai e bluan brenda vetes dhe e “ngul” fjalën te tjetri dhe te spektatori njëherit. Kjo vëmendje ndaj fjalës dhe ndjesia e përqendrimit për ta tërhequr vëmendjen te vetja, ndryshe thënë “prania” e aktorit në skenë, them se është nga cilësitë e spikatura të lojës së tij.

Luiza Xhuvani luante tri role, Hana Pit, Etel Rosemberg dhe Rusi. Nga më të realizuarit m’u duk Rusi. Domethënë Rusia, Komunizmi. Qysh në çeljen  e shfaqjes, regjisori e kishte vendosur atë si një shtatore-simbol, nën emblemën e komunizmit drapër e çekan. Ajo deklamoi një referencë a sintezë të komunizmit si kinse mit i dobishëm për të mbajtur njerëzit bashkë, për t’u dhënë atyre një teori, një ideal, një shpresë, një dritë në udhën e shtegtimin përtej, një të ardhme, përndryshe ata do ta braktisnin shpirtin dhe do vraponin pas hamburgerve, limontive, panginjies së barkut dhe epshit. Por e gjitha kjo utopi e bukur, me të cilën u gënjyen miliarda njerëz dhe vazhdojnë të gënjehen (sepse komunizmi është një lloj feje e re, e sofistikuar dhe fshehur nën të drejtën dhe të vërtetën absolute), nga aktorja Luiza Xhuvani deklasifikohet dhe shndërrohet në të kundërtën e vet, si ideologji e dhunës, e shtypjes, e urdhrit teksa ajo me një detaj fare të thjeshtë në dukje, por domethënës, thekson gjatë ligjërimit përherë gërmën “rr”. Atëbotë gjithçka duket si një fshikullim kamzhiku, si një urdhër i prerë për t’u futur në rresht. As më pak e as më shumë: gënje me fjalën e bukur të utopisë komuniste, ndërsa me veprimin politik konkret kamzhiko, dhuno, burgos, pushkato, siç u provuan gjithë regjimet komuniste.

Sikundër e thashë në kryeherë, më habiti fuqia zanore e Luli Bitrit në rolin e Engjëllit. E fortë, imponuese, zotëruese. Me lëvizje të prera, si për të sjellë një shëmbëlltyrë sa të ardhur nga përfytyrimet ezoterike dhe imazhet vizuale të pikturave jo vetëm të krishtera, por edhe një farë qesëndie ndaj figurës omnipotente të këtij të dërguari të Zotit, duke shakatuar me mbishtresimet fantaste të mendjes, që krijojnë hierarkinë e përmbysur të engjëjve dhe halucinimet gjysmëpoetike të Prajer Uollterit (dhe të çdo Prajeri tjetër shpirtlëshuar në botë, që rikrijon fantoma gjithfarëshe gjegjësisht asaj që quhet “vetëdija e rëndomtë” religjioze e besimit).

Laert Vasili si Luis Ajronson dhe Donald Shehu si Xhoi Pit i përballuan me sukses kundërthëniet e shumta të personazheve të tyre dhe, çka do doja ta vlerësoja posaçërisht, sfidën e tyre si artistë ndaj shumë tabuve, që shoqëria jonë ka ngulur thellë vetes ndaj homoseksualitetit, rrjedhimisht edhe aktin emancipues që këta aktorë realizuan gjatë shfaqjes. Edhe Ina Gjonçi te Harper Pit, përpos jetësimit të një gruaje të dëshpëruar, që vuante pamundësinë e marrëdhënies erotike me të shoqin homoseksual, i bashkohet kësaj sfide të dy aktorëve të mësipërm…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.