Uncategorized

Furtuna “Bild” dhe e vërteta shqiptare

07:40 - 20.05.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazetari Peter Tiede u bë këto ditë shumë i njohur tek ne, edhe pse janë të paktë ata që e kanë lexuar shkrimin e tij për ne nga fillimi deri në fund. Shumica nga ne dinë për shkrimin e tij vetëm nga komentet e mediave dhe portaleve tona plot ngjyra. Kush kërkon në internet, mëson se Peter Tiede është gazetar i rregullt i gazetës së mirënjohur gjermane “Bild (në gjermanisht “Fotografia”). Gazeta gjermane “Bild” është gazeta më e madhe në Evropë, me 2 milionë kopje në ditë dhe e gjashtëmbëdhjeta në botë për nga tirazhi. Vetë gazetari Peter Tiede përfaqëson një gladiator të njohur në rrethet gazetareske evropiane, të luftës për zbulimin e së vërtetës. Ka shumë sfida dhe beteja të tij, mes shkrimeve dhe intervistave që ka zhvilluar për debatin nuklear gjerman, apo më herët për ish-ministrin grek të financave Janis Varufakis, apo drejtuesin e opozitës në Turqi. Shpesh opinionet e tij të guximshme bien ndesh me shumë interesa dhe realitete politikash në Gjermani dhe Evropë, por ky është Peter Tiede. Ka një fantazi të fortë dhe stil të shkruari sa të drejtpërdrejtë aq edhe figurativ. Mirëpo ta akuzosh atë për marrje pagesash nën dorë nga opozita jonë për të shkruar, është ose budallallëk me brirë, ose delir i mirëfilltë. Shyqyr që pas 110 milionë eurove të fituara nga Françesko Beketi(pronari italian i ish-televizionit privat “Agon”) në dëm të shtetit tonë, edhe Tiede nuk mendoi të na hapte një gjyq për shpifje e të fitonte edhe ai ca miliona për dëmtim të imazhit si gazetar. Në përgjigjen e tij na përshëndeti si vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm, që nuk meritojmë as pozitën dhe as opozitën që kemi. Megjithatë, mes gjetjeve të qëndrimit të tij katërditor në vendin tonë dhe opinioneve të përmbajtura në shkrimin e tij, gjykoj se ka shumë kundërthënie. Nuk mendoj se vendi ynë e meriton ta quash” Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duart e gangsterëve”. Dhe kur lexova në gjermanisht titullin e shkrimit të tij :”Kryengritja në Shqipëri: përse digjet Ballkani?”, nuk e di pse m’u kujtua reportazhi televiziv i gazetarit të televizionit italian shtetëror RAI 2, më 14 shtator 1998, kur raportonte nga Tirana se kryeqyteti ishte në mes të një lufte civile, mes shumë të shtënave, madje edhe tankeve nëpër rrugë. Ne të gjithë e dimë grushtin e dështuar të shtetit të asaj dite. E dimë se nuk kishte asnjë shenjë lufte civile. Sepse të realizosh një luftë civile duhen dy ushtri dhe dy kampe të kundërta të përbetuara. Sigurisht që këto gjëra që ne si qytetarë të këtij vendi i kishim të qarta, nuk kishte mundësi se si t’i dinte gazetari i huaj që qëndroi vetëm 24 orë. Edhe pse i një vendi kaq fqinjë me ne, si Italia. Megjithatë, shqetësimet e Tiede qëndrojnë. Janë të gjitha këtu në këtë vendin tonë, që Tiede e quan “të mrekullueshëm”. Lidhjet e qeverisjes me krimin e organizuar janë reale dhe furnizimi i hashashit është e konsiderueshëm. Megjithatë, për të gjithë delirantët e republikës së bananeve në mes të Evropës, bima kanabis mbillet tek ne, në Shqipëri në 1.2 kilometra katrorë(nuk mund të mbillet në fushë se nuk mbin). Kërkon klimë malore. Dhe 1.2 kilometra katrorë të mbjellë përbëjnë 2 për qind të sipërfaqes sonë si shtet. Prodhohet 2 mijë tonë hashash në vit dhe ka vlerën(në Shqipëri) 200 milionë euro. Kjo është droga shqiptare autoktone, e prodhuar dhe e tregtuar në vend dhe jashtë. Nuk ka mundësi fizike të prodhohet më shumë. Kjo qeveri që kemi sot mbi kokë ka shumë kusure të sajat. Ka bërë me mijëra gabime dhe me qindra faje. Për të gjitha do të gjykohet në qershor 2021. Dhe vendimin do ta japë sovrani. Deri atëherë, është qeveria jonë. Nuk është as e baronëve të drogës, as e kapove të krimit. Ka lidhje me ta sa të duash, por as kryeministri dhe as ministrat e tij nuk janë anëtarë të kupolave kriminale. Kjo është e vërteta e thjeshtë që të gjithë ne që jetojmë në këtë vend, i madh e i vogël, e kemi mirë parasysh. Fantazitë, skenarët dhe teoritë e tejfryra mund t’i mbajmë dhe t’i fryjmë akoma në kafenetë tona. Por të vërtetën lakuriqe e dinë mirë ata qindra mijëra prej nesh që, edhe pse të pakënaqur, madje shumë syresh të revoltuar me këtë qeveri të sotme, vendosën të mos i bashkohen thirrjeve dhe protestave të opozitës sonë jashtë sistemit.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.