AKTUALITET

ISHP: Mënyra të thjeshta për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta

18:30 - 20.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ardhja e stinës së verës pritet të shoqërohet me rritje temperaturash si dhe me dëshirën tonë të madhe për t’u ekspozuar sa më shumë në diell. Ne mund të ndihemi mirë në diell, sidomos kur kemi dalë nga stina e dimrit. Por, kujdes! Qëndrimi i gjatë në diell mund të sjellë pasoja dhe probleme të shumta për shëndetin. Instituti I Shëndetit Publik liston më poshtë disa këshilla të vlefshme për kujdesin që duhet të tregojmë gjatë kësaj stine. Kur temperatura e ambientit është më e lartë se temperatura e lëkurës, djersitja është i vetmi mekanizëm efikas ftohës në dispozicion të trupit të njeriut. Në kushtet e temperaturave të larta, shumë të larta apo ekstreme të mjedisit ky mekanizëm nuk është i mjaftueshëm…Gjithashtu, ka edhe disa faktorë të tjerë që e reduktojnë mundësinë për djersitje dhe shkaktojnë mbinxehje të trupit. Faktorë të tillë janë; mosha, mungesa e lëngjeve (dehidratimi), përdorimi i veshjeve jo të duhura, disa lloje sëmundjesh kronike si dhe përdorimi i disa medikamenteve mjekësore. Në Shqipëri rrezatimi diellor është më i fortë midis muajve maj dhe gusht, prandaj këshillohet që gjatë kryerjes së aktiviteteve tuaja të përditshme të mos abuzohet me ekspozimin në diell dhe të tregojmë kujdes ndaj temperaturave të larta.




Në hije rrezet ultraviolet reduktohen deri 50 % e tyre. Përdorimi i veshjeve prej pambuku lejon kalimin në trupin tonë vetëm 10 % të rrezeve ultraviolet, në një kohë që në ujë kalojnë rreth 95 % e këtyre rrezeve. Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt. Ndikimi i temperaturave të larta në shëndetin tonë varet nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit dhe intensiteti i ekspozimit. Goditja nga dielli vjen si rezultat i qëndrimit të gjatë në diell dhe shkakton rritje te temperaturës së trupit, zgjerim të enëve të gjakut, rënie të rrahjeve të zemrës dhe si pasojë shoqërohet me: djersitje të madhe, të përziera, dhimbje koke, marrje mendsh, ulje të presionit të gjakut, turbullim të shikimit, etj. Shpesh goditja nga dielli kërkon ndihmë të specializuar.
Cilat janë efektet e të nxehtit mbi shëndetin tonë?
Pasojat më të shpeshta që vijnë si rezultat i temperaturave të larta janë: Goditja nga dielli; Goditja nga nxehtësia; Dëmtimet në sy apo lëkurë; Infeksionet dhe intoksinacionet për shkak të ushqimeve të cilat manifestohen me diarre. Gjithashtu i nxehti mund të sjellë rëndimin e disa sëmundjeve të zemrës dhe tensionit. Të gjithë janë të rrezikuar nga efektet e temperaturave të larta por ka disa grupe individësh që janë më të rrezikuar ndaj temperaturave të larta për arsye se aftësia për të rregulluar temperaturën është më e kufizuar, pra djersitja është më e pakët.

Personat më të rrezikuar nga temperaturat e larta
1.Foshnjat dhe fëmijët: janë të ndjeshëm ndaj efekteve të temperaturave të larta për shkak se metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e pakët, masa e trupit është e vogël.
2.Të moshuarit: përbëjnë grupin më të madh të përcaktuar si grup në rrezik për shkak të nxehtësisë. Te të moshuarit ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.

3.Individë me sëmundje kronike: Pothuajse të gjithë personat me sëmundjet kronike paraqesin një rrezik për përkeqësim të sëmundjes kronike apo për vdekje për shkak të nxehtësisë. Sëmundjet që paraqesin më shumë rrezik janë hipertensioni, sëmundje të zemrës; astma bronkiale, bronkiti kronik, pneumopatia obstruktive kronike; diabeti, insuficienca e veshkave, çrregullimet psikiatrike si skizofrenia, depresioni, demenca, gjendjet febrile, etj.
4.Personat që janë përdorues të rregullt të medikamenteve të ndryshme mjekësore: Shumë ilaçe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mekanizmat qendrore e periferike të termorregullimit, duke ndikuar në djersitje, në zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, në rritjen e punës së zemrës dhe eliminimin e nxehtësisë.
5.Personat që punojnë në vende me temperatura të larta ose në ambiente të hapura (jashtë): Kushdo që punon jashtë në një mot të nxehtë, pa mbrojtjen e duhur, sidomos nëse ka edhe aktivitet fizik të rëndë, është në rrezik për shkak të efekteve të të nxehtit në shëndet.
6.Personat që bëjnë aktivitet fizik të rëndë.

7.Njerëzit që jetojnë në apartamente në katet e sipërme.
8.Grupet e popullsisë me kushte sociale jo të mira, individë të pastrehë, etj.

Si të mbroheni nga temperaturat e larta apo të nxehtit

Evitoni nëse është e mundur daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës,11.00 – 17.00
Vishuni lehtë, me veshje pambuku, me rroba të gjëra, dhe ngjyra te hapura, si në shtëpi edhe kur dilni nga shtëpia
Mbani në kokë kapele, çadër dhe syze kur dilni jashtë
Mbani shtëpinë sa më të freskët. Hapni dritaret herët në mëngjes dhe në mbrëmje vonë. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës
Temperaturat në shtëpi duhen mbajtur deri në 25-27 ° dhe asnjëherë jo më shumë se 5-6° më pak se ambienti jashtë.
Evitoni korrentet e mundshme
Freskohuni herë pas here me ujë të freskët, duke bërë dush, ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit, në krahë, qafë, ballë.
Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme të paktën deri 2 litra në ditë
Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë
Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate, fruta
Gatuani dhe ruani ushqimet të sigurta
Evitoni aktivitete fizike të forta, sidomos në orët e nxehta të ditës,11- 17
Tregoni kujdes për fëmijët, të moshuarit, personat e sëmurë apo edhe të vetmuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.