Intervista

Alfred Muharemi: Shteti i ka braktisur jetimët për herë të dytë

17:00 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Rreth 31 mijë fëmijë në vendin tonë nuk e kanë mundësinë të jenë nën kujdesin prindëror. Por përveç mungesës së prindërve, një sërë problematikash të tjera janë shoqëruesit e jetës së përditshme të jetimëve në Shqipëri. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, Alfred Muharemi një i ri që ka jetuar për vite me radhë në fshatin SOS, tregon vështirësitë që ka hasur, mungesën e dashurisë prindërore si dhe finalizimin me sukses të ëndrrave të tij. Më tej ai tregon nismat që ka ndërmarrë për të ndihmuar jetimët si dhe evidenton problematikat kryesore e mospërkrahjen nga shteti për këtë kategori.




Ju keni jetuar në shtëpinë e fëmijës në Shkodër e më vonë jeni transferuar në fshatin SOS. Mund të na tregoni si kanë qenë kushtet dhe përkujdesja që keni marrë gjithë këto vite?
Fillimisht kam jetuar në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër që për hir të së vërtetës nuk e njohëm kurrë si institucion pasi nuk e kishte rolin edukativ edhe të mirërritjes, fëmijët ishin vazhdimisht objekt i dhunës verbale dhe fizike, ndërsa në moshën 5-vjeçare u transferova në Fshatin SoS, ku kam qëndruar për rreth 18 vite nën kujdesin e institucionit. Dua të theksoj se në fshatin SOS, kam marrë shumë dashuri, kujdestaret që u bënë nëna tregonin përkujdesje, dhembshuri e profesionalizëm. Koncepti familje ishte baza e funksionimit të çdo programi në SOS. Kushtet e shtëpisë ku jetonim ishin shumë të mira dhe të garantonin siguri.

Çfarë iu ka munguar më shumë gjatë gjithë viteve në këtë institucion?
Mendoj se mungesa më e madhe për çdo fëmijë apo edhe të ri në SoS është mungesa e dashurisë prindërore, e cila pavarësisht çdo kujdesi dhe dashurie tjetër është e pazëvendësueshme.

Ku i keni kryer studimet dhe ku punoni aktualisht?
Kam përfunduar studimet e larta për ekonomik me rezultate të shkëlqyera dhe sot punoj në një bankë e për të gjitha arritjet e mia i jam mirënjohës mbështetjes së Fshatit SoS. Unë finalizova dashurinë time me Erjonën në ambientet e Fshatit SoS në Tiranë në 23 qershor 2017, pra ditën e lindjes së themeluesit të SoS Kinderdorf International Z. Hermann Gmeiner. Ky njeri ndryshoi gjithë jetën time dhe sot më bën krenar të them me plot gojë që jam i lumtur që jam i Ri SoS. Gjithashtu, ishte edhe dëshira që një ditë oborri i shtëpisë sime në SoS të ishte i mbushur plot me njerëzit, të cilët kishin kontribuar për formimin tim si karakter, vlerat e fituara dhe mbështetjen në edukim duke i vlerësuar pa diskutim si personat më human dhe më të rëndësishmit në jetën time për të cilin unë jam sot.

Ju jeni një ndër personat që ndër gjithë këto vite keni luftuar për të drejtat e jetimëve. Cilat janë disa nga problematikat që jetimët hasin në Shqipëri?
Për fëmijët pa kujdes prindëror, shteti është e vetmja familje që për fat të keq nuk e ka luajtur rolin e tij për të ofruar kujdesin dhe sigurinë e duhur. Në vitin 1996 u hartua edhe miratua ligji 8153 “Për Statusin e Jetimit” për të sanksionuar institucionet publike apo ato private për integrimin edhe mbrojtjen e fëmijëve jetimë. Një ligj që për hir të së vërtetës nuk ka njohur asnjë ndryshim që prej miratimit të saj por edhe ka shkaktuar problemin më të madh të mos përfshirjes së 93% të tyre (atyre të fëmijëve me një prind). Në vendin tonë ka institucione të përkujdesjes shtetërore dhe private për fëmijët pa kujdes prindëror dhe e tmerrshme si po aq e dhimbshme është përballja e një të riu jetim pasi del nga kujdesi institucional në moshën 18-vjeçare ku orientohet drejt një rruge të pa njohur dhe pa kthim…I pa mbështetur ekonomikisht, i pa arsimuar, i pa punë edhe i strehuar përkohësisht në godinat studentore që nuk përmbushin kushtet minimale të jetesës.

Sa është ndihma ekonomike që ofron shteti shqiptar për jetimët?
Unë, si përfaqësuesi i zgjedhur nga të rinjtë pa kujdes prindëror dua të theksoj se ndihma ekonomike që ofron shteti për jetimët është rreth 3 mijë lekë të reja në muaj. Edhe pas 29 viteve, kjo kategori nuk është integruar plotësisht pasi sot kemi pafund të rinj jetimë, të cilët enden zyrave të punësimit edhe nuk arrijnë të gjejnë një punë; enden zyrave të pushtetit lokal për bonuset e qirave dhe ofrimin e banesave sociale, por pjesa më e madhe e tyre refuzohen pasi janë të papune. Pra, e ardhura e vetme e këtyre të rinjve është 3 mijë lekë ndihmë ekonomike që nuk mbulon kushtet më minimale të jetesës. Kjo gjë vjen si pasojë të mosfunksionimit të ligjit “Për Statusin e Jetimit”.
Sa e sigurt dhe e mbrojtur nga shteti ndihet kjo kategori?
E sigurt edhe e mbrojtur aspak ndër këto vite… Miliona dollarë të shpenzuar për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror nuk i ka shërbyer shoqërisë. Shteti i ka braktisur për herë të dytë!!! Pra, kjo është panorama e pasigurisë dhe rreziqeve që shoqëron çdo anëtar të kategorisë së jetimëve gjatë gjithë jetës, ku ligji ngarkohet t’u garantojë të drejta, mbështetje edhe suport por që në jetën e përditshme asnjë nen i tij nuk gjen zbatueshmëri. Jetimët në Shqipëri përpos mungesës së kujdesit nga ana e strukturave shtetërore ajo që kanë ndjerë në kurrizin e tyre për fat të keq më së shumti është edhe lufta e ashpër e organizatave të shoqërisë civile ku në plan të parë vendosin interesat e tyre personale. Mos përfaqësimi i duhur për të përçuar zërin e tyre në zgjidhjen e problematikave që hasin në jetën e përditshme e ka thelluar edhe më shumë gjendjen e tyre.

A keni kërkuar të drejtat tuaja pranë instancave përgjegjëse?
Ne kemi kërkuar pafund amendime në ligj për zgjerimin e përfituesve pasi numri më i madh është i fëmijëve dhe të rinjve jetimë me një prind ku Statusi është vetëm për jetimët biologjikë ose kur kujdestaria nuk është për asnjë nga prindërit. Kemi kërkuar ofrim falas të studimeve pasuniversitare për të rinjtë jetimë, masa e ndihmës ekonomike të jetë në vlerën 10.000 lekë si dhe strehimin e detyrueshëm nga shteti për këtë kategori.

Ju vetë si i vini në ndihmë fëmijëve jetimë?
Prej shumë vitesh kam marrë iniciativën me një grup të rinjsh të rritur po në SoS, apo dhe në shtëpitë e fëmijës në Tiranë dhe Shkodër për të ofruar mbështetjen tonë për brezat më të vegjël e për fëmijët pa kujdes prindëror. Aktualisht janë rreth 31 mijë fëmijë jetimë në gjithë Republikën e Shqipërisë. Projektet tona kanë qenë me mbështetje ekonomike dhe sociale. Sot unë mund të përmend rreth 32 projekte si lokale dhe kombëtare (falë pushtetit lokal, institucionit të presidencës, komunitetet fetare, bizneseve dhe individëve të ndryshëm) në mbështetje të fëmijëve pa kujdes prindëror. Kemi arritur të organizojmë evente të ndryshme për këtë kategori, por edhe asistim në marrëdhënie pune, ofrimin e studimeve me bursë sociale etj.

Dua të ndaj me ju nismën më të rëndësishme që së bashku me Kongresin Rinor Kombëtar, Shoqatën Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë, Organizata Liburnetik me znj. Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentit për të ratifikuar dhe ndryshuar plotësisht ligjin 8153 “Për Statusin e Jetimit” ku do të integroje realisht të gjithë fëmijët pa kujdesin prindëror. Kjo vetëm falë znj. Spiropali, e cila po e mbështet vazhdimisht këtë kategori.
Gjatë këtyre viteve keni fituar disa çmime të rëndësishme. Mund të na tregoni më specifikisht pse iu janë akorduar këto çmime?
Çmimet që mua më kanë akorduar janë Çmimi i Filantropisë si Individ për Vitin 2018 nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim edhe Zhvillim si dhe Çmimin e tretë në Konkursin “Pse dal vullnetar” nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri në kuadër të Javës së Evropës 2019.
Këto çmime ua dedikoj SoS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri, familjes sime dhe të gjithë individëve, subjekteve, organizatave, trupat diplomatike që më kanë mbështetur pafund në ëndrrën time “integrimin real” të fëmijëve pa kujdes prindëror në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.