KULTURË

Lekë Tasi Armiku i popullit në sytë e një artisti

16:40 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Lekë Tasi* – Armiku i popullit” mund të jetë një lokucion që impresionon njerëzit e thjeshtë. Sipas momentit që thuhet, tonit, dhe nivelit mendor të dëgjonjësve, ndodh që tremben se dikush i rrezikon. Ne që i përjetuam gjatë diktaturës gjyqet dhe shprehjen “armik i popullit” drejtuar njerëzve të ndershëm, e patëm ndier në çast tendenciozitetin. Kjo vërtetohej nga debati i përciptë dhe nga vendimi përherë me vdekje. Ngutja për të vrarë erdhi duke u shtuar. Po edhe kujtdo në botë i kujtohen regjimet diktatoriale me atë maninë për të eliminuar kundërshtarët. Po qe se niset me vrasje, armiqtë edhe shpiken, ashtu si shpejtojmë pedalet që të mos biem. Kjo daton që me Revolucionin Francez. Qysh atëherë u përdor toni kërcënues në hapësirën institucionale, dhe pastaj drejt në gijotinë. Në regjimet demokratike njerëzit buzëqeshin me gjëra të tilla. Njerëzit e mençur kudo, me ta dëgjuar një akuzë të tillë, ashtu, me ton të paapelueshëm, fyhen mendërisht, veçse, të ndodhur mes turmës, druajnë ta kundërshtojnë. Sepse turma përreth tkurret dhe aderon pa u ndier në atë që vendos i fuqishmi. Kjo ngre edhe te të mençurit një ndjenjë frike. Duhet kurajë për t’i dalë kundra. Diktaturat e dinë këtë mekanizëm psikologjik, shtojnë presionin dhe kështu, përveç të mençurve, frika hyn edhe te turmat kur ndihen të lodhura ose të velura nga britmat dhe reagojnë me ndonjë gjest. Kështu thellohet tirania. Alternativa do të ishte debati me gjakftohtësi, i cili sigurohet në demokraci, e cila arrihet me mirëqenie dhe përsoset me shkollim tërësor.




Po si? Me ç’model? Përgjigjja na vjen nga krahasimi i qytetërimeve dhe mes kulturave. Ka pasur regjime autoritare, demokratike, ose dhe diktatura të ndritura e deri regjime kapterësh të shkathtë, ose maniakësh kriminelë. Rezultatet ndryshojnë sipas sistemit po edhe sipas vetive personale të krerëve. Mbi të gjitha duhet të ndahet shkaku i dhunës dhe mashtrimit qysh në themel: regjimet janë i djathtë ose i majtë, respektivisht autoritar por me referim hyjnor dhe përballë tij, ai liridashës me referim jo Zotin, por njeriun si burim dhe qëllim të tij. Që aty artikulohet politika dhe kultura që e prodhon, pra edhe mendësia. Te kjo e fundit do jepet beteja. Popujt kanë më fort mendësi se mendim. Ata preferojnë mirëqenien ndaj dhunës, por bien viktima të dhunës kur duan ta shtojnë mirëqenien, për shkak të mendësisë së rëndomtë, që përhapet me imitim. Beteja është mendore: si të diktohet armiku, (pra dhe “armiku i popullit”, qoftë real, ose sajesë e defekteve tona ose inateve) si trajtohet ai, a shërohet ai dhe integrohet, apo përjashtohet, dënohet dhe zhduket? Historia është pak a shumë po ajo, e dhunshme. Por meqë mendimi origjinal i djathtë ka lidhje me besimin në Perëndi, mund të na shërbejë si model, rasti i KryeEngjëllit Mikhail, në kontest me Satanin (armiku par excellence për fetarin) se kush prej tyre do të merrte shpirtin e Moisiut. I tha vetëm: “Zoti të gjykoftë”. Regjimet e djathta (monarkike ose jo) nuk e kanë zbatuar fort këtë gjakftohtësi dhe dëgjesë ndaj Zotit, por një pjesë e vogël e kanë tentuar; kurse të majtat fare më lirshëm kanë shkarë në arbitraritet ekstrem, duke shkelur e vrarë njeriun për hir të njeriut, që pretendonin se e mbronin. Madje, nëse ka pasur një fre moral e moderacion human, në të dyja rastet, djathtas-majtas, ky vihet re te krerët me një mbeturinë frikë Perëndie, ose me temperament të dhembshur. Shoqëria duke u kultivuar këtë model e përkthen në sens autokritik të liderit e qytetarëve, rast i lumtur kur realizohet. Ai çmohet njëzëri, por përherë me vonesë, mbasi nevoja për siguri të ketë bërë dëme të mëdha. Kurse emocioni, qoftë edhe i nxitur nga drejtësia o barazia ka çuar gati gjithmonë në eksese të përgjakshme, që pasohen nga pendime, por vetëm në raste humbjeje… Kjo përgjumje e ndërgjegjes te fitimtarët e rehatuar mbi fitime të përkohshme dhe të rrezikuara e bën historinë po edhe jetën e përditshme një mbretërim të padrejtësisë, gjë që na thuhet troç te lokucioni princi i kësaj bote, që i referohet Satanit. Armiku në fakt është ai dhe rri duke gatuar armiq që janë në fakt armiq të tij, kur grupe o individë, të neveritur nga përgjumja marrin guximin të përpiqen për të drejtën pa përfituar vetë, por si shprehje empatie.

Vetëm përballur me këtë lloj kuraje, Satani e humbet betejën. Na e kujton këtë fjala “Por merrni zemër, unë e munda botën!” (Gj.16:33) e Atij që vet farefisi e urreu dhe e dorëzoi ta mbërthenin në kryq. Kjo është ta pozosh drejt konceptin “armik i popullit” në një botë ku të gjithë duan të gëzojnë jetën, madje edhe në dashuri reciproke, sepse e kanë këtë veti fiziologjike, por s’arrijnë të mposhtin armikun që kanë brenda vetes, të vogël, të parëndësishëm, por rezistent. Shkolla në këtë drejtim duhet ta përhapë dijën: të kalohet tek kërkimi i të rëndësishmes, që, për efekt të saj, armiqësia të zëvendësohet me empatinë.

*Fjala e mbajtur në konferencën e organizuar nga Autoriteti i Dosjeve


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.