BLUETOOTH

Marius Dervishi: “Sedër”, një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare

16:30 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Një film me përmasa gjigante shumë shpejt do të trokasë në dyert e kinemave shqiptare. Filmi është i zhanrit komedi, dramë dhe aksion dhe do të prezantohet për publikun në fund të qershorit. Filmi titullohet “Sedër” dhe është i ndarë në dy pjesë. Ndërkohë që do të prezantohet pjesa e parë në kinema, do të nisë puna për pjesën e dytë, që duket se do të jetë me nota të forta aksioni dhe se do realizohet jashtë Shqipërisë. Regjisori Marius Dervishi vjen në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, për të ndarë me ne punën e madhe këto dy vitet e fundit, si dhe për të na treguar detaje nga jeta përtej regjisë. Gjithçka zë fill nga zënka e dy fëmijëve, për të implikuar më pas edhe prindërit. Hakmarrja në film nuk vjen si plagë e mentalitetit, por si diçka që e imponon sedra për të rifituar dashurinë e fëmijës. Filmi ka mesazhe mjaft të forta për shoqërinë shqiptare dhe përfshin të gjitha grupmoshat. Mariusi luan rolin e njërit prej prindërve që bëhet pre e lëndëve narkotike, duke zhgënjyer kështu të birin. Më tej, teksa del nga petku i profesionit, Mariusi thotë se nuk kursehet kurrë për vepra të mira dhe se nuk ka pengje nga rrjedha e kohës.




Sa e vështirë është të kombinosh dramën, komedinë dhe aksionin në një film?
Në fakt, është shumë e vështirë, sepse me këto 3 elemente të gërshetuara bashkë synohet të “luhet” me emocionet e shikuesit, gjë kjo që e bën filmin të marrë edhe pak nuanca të trillerit.

Hakmarrja që lind si pasojë e zënkës mes fëmijëve, ka në thelb diçka nga e kaluara jonë?
Kjo nuk është hakmarrje si pasojë e mentalitetit apo rregullave të Kanunit. Realisht në këtë “hakmarrje” nuk është se ka një motiv të mirëfilltë, por çdo gjë nis si pasojë e “sedrës” si dhe dëshirës së madhe për të bërë diçka për të rifituar dashurinë e të birit.

Për ata që ende nuk e dinë , si zhvillohet ngjarja në film? Na zbuloni disa detaje.
Filmi nis te zënka e dy fëmijëve, të cilët kanë fatin e keq të jenë të dy pa nëna. Albi duke u ndier i ofenduar dhe nga mësuesja, ikën në shtëpi t’i tregojë të atit, të cilit e konsideronte si hero. Te shkolla kemi përplasjen e dy prindërve, por në momenti që Roni (i ati i Albit) sheh përmasat fizike të Sokolit (babait të Flavios) tërhiqet nga qëllimi fillestar për të goditur fëmijën e Sokolit dhe duke tentuar të dalë nga situata, godet djalin e vet. Këtu Albi fillon të shikojë me nënvlerësim të atin dhe Roni duke parë mërinë e të birit si dhe duke u ndikuar nga përdorimi i lëndëve narkotike i fiksohet në kokë “hakmarrja”. Duke dashur shumë të bënte diçka për të fituar dashurinë e të birit, Roni detyrohet të punojë në pazare të pista, gjë që e bën të kalojë shumë peripeci.

Cila është skena që ka pasur më shumë dubla?
Skena që ka pasur më shumë dubla ka qenë një skenë filmike te shkolla. Ishte një pjesë komike e zënkës që zhvillon Roni me rojën e shkollës dhe me një djalë që shet trëndafila.

Momenti më qesharak gjatë xhirimeve?
Në fakt ka shumë momente qesharake, pasi i tillë është edhe filmi.

Ju si regjisor keni pasur rolin e Ronit. Cila është e veçanta e këtij personazhi?
Roni është personazh i varur nga përdorimi i lëndëve narkotike dhe në vetvete ky si personazh mbart një mesazh goditës për çdo njeri apo baba që mendon që jeta e tij ka marrë fund. Është pikërisht Roni, djali i rrugës dhe i varur nga lëndët narkotike, ai që edhe pse mendon që s’ka ndjenja për njeri, detyrohet t’u zhytet problemeve vetëm për të fituar dashurinë e të birit duke sakrifikuar kështu edhe jetën e tij.

Filmi prezantohet në fund të qershorit. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Pritshmëritë tona normalisht që janë të mëdha. Kemi punuar shumë për këtë projekt dhe mendoj që me ato personazhe të përfshirë në film, çdo shqiptar duke filluar nga mosha 17 deri në moshat e treta do e gjejnë veten të përfshirë. Është film që ka shumë komedi dhe nëpërmjet komedisë jemi munduar të përcjellim shumë mesazhe për shoqërinë shqiptare.

Përtej petkut të regjisorit, çfarë jete bën Mariuesi? Angazhimet tuaja përtej filmit?
Nuk është se jam marrë me ndonjë angazhim tjetër që prej 2 vitesh. I jam përkushtuar këtij projekti dhe krahas këtij, jam marrë edhe me video komike në “Instagram”, duke arritur një audiencë prej 110 k ndjekës brenda vitit.

Për çfarë nuk kurseheni kurrë?
Nëse flasim për kursime monetare, nuk kursehem kurrë për ushqimin. E nëse flasim në tërësi, kurrë nuk kursehem në ofrimin e ndihmës dhe suportin që u jap miqve të mi apo çdokujt që ka nevojë, qoftë edhe për disa fjalë motivuese.

Pengu më i madh që keni nga rrjedha e kohës?
Nuk kam pengje deri tani, sepse kam qenë realist në ëndrrat e mia. Shpresoj që të mos kem ndonjëherë. (qesh).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.