OPINION

Ndërhyrje të jashtme në opinionin publik e mjedisin politik

07:40 - 21.05.19 Edval Zoto
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ndërhyrja e aktorëve të jashtëm me synime të fshehta do të jetë një çështje që do të karakterizojë e ndikojë gjithnjë e më gjerësisht zhvillimet kryesore politike në hapësirën euro-atlantike, sidomos në vende lehtësisht të prekshme nga shumëllojshmëria e aktorëve të jashtëm dhe mënyrat e tyre tradicionale dhe jo-tradicionale. Duke marrë parasysh ndërhyrjen e papërshtatshme dhe të jashtëligjshme ruse në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, ndërhyrje e cila u provua faktikisht nga një hetim i zgjeruar i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), i cili u bë publik më herët gjatë këtij viti dhe debatin rreth saj, që ka shoqëruar tashmë tërë mandatin e Presidentit Trump, është e papërjashtueshme mundësia e ndërhyrjeve të ngjashme, në të gjitha vendet e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë e më gjerë.

Aktorët e jashtëm me synime të fshehta, sipas përkufizimeve më të vona, identifikohen si shtete ose subjekte të huaja të angazhuara në mënyrë të fshehtë ose gjysmë të fshehtë për të deformuar opinionin publik, ose të një pjese të tij, vendimmarrjen dhe politikëbërjen nëpërmjet mënyrave e veprimeve nga më të ndryshmet, kryesisht nëpërmjet mbështetjes financiare ose politike, propagandës, dezinformimit, nxitjes së divergjencave të brendshme, denigrimit të subjekteve publike të veçanta, faktorizimit të elementëve përçarës ose të parëndësishëm, shpërqendrimin e vëmendjes etj. Kanalet e komunikimit të përdorura për këto veprime janë kryesisht mediat, e gjithnjë e më shumë ato elektronike. Por, në një botë gjithnjë e më tepër të nënshtruar ndaj efekteve globalizuese, kuptimi i aktorëve të jashtëm pashmangshmërisht do të zhvillohet brenda dualitetit aktorë të jashtëm-aktorë të brendshëm, që bashkohen nga interesi i ngjashëm i momentit. Në rastin e zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, subjektet ruse kishin si interes rënien e popullaritetit e imazhit publik të kandidates Clinton, dhe shmangien e zgjedhjes së saj në Presidencë. Të njëjtin interes kishin edhe shtabi elektoral dhe militantët e kandidatit Trump. Por, për mbështetësit e Trump, ky interes i ngjashëm do të lejonte në përfundim të fushatës thjesht zgjedhjen e kandidaturës së tyre të preferuar në zyrën e Presidentit, ndërsa për aktorët e jashtëm rusë, synimi përfundimtar është i paqartë, pavarësisht se shumëkujt i pëlqen spekulimi se qëllimi rus ishte zgjedhja e një presidenti amerikan, të përshtatshëm për pritshmëritë ruse apo të pëlqyeshëm për ta. Paparashikueshmëria dhe mosnjohja e qëllimit përfundimtar, apo efekteve të tij është pikërisht karakteristika dalluese e aktorëve të jashtëm, në krahasim me ato të brendshëm. Shtete të fuqishme, si SHBA, i penalizojnë ndërhyrjet nga aktorë të jashtëm në çështje kritike siç janë zgjedhjet dhe politika e brendshme, por dhe vënë në veprim një sërë mekanizmash mbrojtës, kryesisht të ndërmarra nga organe të specializuara të sigurisë, të cilat nëpërmjet epërsisë së informacionit zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e të panjohurës dhe përmbajnë në kufij të sigurt veprimtarinë e jashtme.

Rreziku i ndërhyrjes së aktorëve të jashtëm në politikën e brendshme dhe atë të jashtme të vendeve të Ballkanit, e sidomos në Shqipëri, është përmendur gjerësisht e tradicionalisht, ndërkohë që merr një vëmendje të veçantë në vitet e fundit për shkak të zgjerimit të vazhdueshëm të kufijve të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të Bashkimit Evropian në drejtim të vendeve ballkanike, dhe përkundër interesave strategjike apo pragmatiste të aktorëve të ndryshëm të jashtëm të Lindjes, ku bëjnë pjesë Rusia, Kina, Turqia, Vendet e Gjirit, por edhe subjekte më pak tradicionale si organizata të krimit të organizuar dhe grupime politike nacionaliste apo fetare fundamentaliste. Situata politike e brendshme në Shqipëri, e acaruar skajshëm që pas daljes së forcave kryesore opozitare nga parlamenti më 21 shkurt dhe nisjes së protestave popullore, ku jo pak raste kanë degjeneruar në akte dhune krijon në mënyrë domethënëse mundësi për ndërhyrje nga aktorë të jashtëm.

Me qëllim identifikimin e ndërhyrjeve të jashtme në situatën e acaruar politike në Shqipëri, për një periudhë tremujore nga dalja e opozitës nga parlamenti, kam vëzhguar pothuajse të gjitha gazetat, të cilat trajtojnë situatën politike vendore e të cilat botohen në print dhe ‘online’ (“Gazeta Shqiptare”, “Panorama”, gazeta “Tema”, “Shekulli”, “Telegraf”, “Sot”, “Shqip”, “Mapo”, “Koha Jonë”, “55”, “RD” etj.). Për efekt të këtij vëzhgimi janë konsideruar si ndërhyrje të jashtme lajme mbi veprimtari të kryera nga subjekte të huaja ose të vendosura jashtë vendit, por të përcjella mediatikisht në Shqipëri, ose opinione nga autorë të huaj, të cilët janë shprehur mbi zhvillimet politike në vend në mediat shqiptare. Janë lënë jashtë këtij monitorimi sigurisht deklaratat e karakterit zyrtar, si thirrjet nga institucione ndërkombëtare të mirënjohura, zyrtarë të tyre, apo edhe zyrtarë të institucioneve të vendeve perëndimore, të cilët u janë drejtuar palëve zyrtarisht apo janë shprehur në cilësinë e veshjes zyrtare apo funksionit që mbajnë në institucionet përkatëse. Nga vëzhgimi është vënë re se pothuajse të njëtrajtshme, nga kjo kategori “komunikuesish” janë bërë thirrje për qetësimin e situatës politike, rikthimin e opozitës në parlament, dënimin shpërthimit të dhunës në protesta, uljen e forcave politike në bisedime, si dhe moscenimin e zgjedhjeve vendore të qershorit.

Vëzhgimi ka identifikuar 17 raste të veçanta artikujsh (komunikime origjinale, jo përsëritëse) të cilat kanë si autorë apo lajmbërës 13 subjekte të veçanta, të cilat janë kualifikuar si “të jashtme”, ndërkohë nëse i përmbahemi parakushtit të fshehtësisë ose mosekspozimit të qartë të subjekteve lajmprodhuese, aktorë të jashtëm apo komunikime të prodhuara nga aktorë të jashtëm me synime të fshehta mund të kualifikohen vetëm 2 prej tyre. Ndërkohë, të gjitha këto komunikime, pavarësisht nga karakteristikat e subjekteve komunikuese, shprehin mbështetje për qëndrimet apo veprimtarinë e opozitës, si dhe mbështesin argumentet dhe arsyet e qëndrimit politik të opozitës shqiptare në shkallë të ndryshme përputhshmërie. Për disa nga subjektet komunikuese, qëndrimi i tillë është i pritshëm dhe i kuptueshëm për shkak të lidhjeve të qarta organike midis opozitës dhe këtyre subjekteve, ndërsa për dy prej tyre nuk ka asnjë lidhje. Gjithsesi, numri i vogël i rasteve në tërësi lejon një paraqitje të shkurtër për secilin, apo për secilën kategori. Nga 13 subjektet e identifikuara:

  • 2 janë subjekte të diasporës, të lidhura historikisht dhe ngushtësisht me mjedisin politik shqiptar:
    • Federata Pan-Shqiptare Vatra në Michigan, SHBA, e cila kronografikisht ka qenë i pari subjekt “i jashtëm” që ka prodhuar një lajm të komunikuar në Shqipëri (artikulli i datës 21 shkurt, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull: “Letra, djegia e mandateve, opozita gjen mbështetje në SHBA”, dhe
    • Elez Biberaj, fjalimi i të cilit në një eveniment të gazetës “Dielli”, e botuar po nga “Vatra”, u botua gjerësisht i plotë ose me pjesë në mediat shqiptare (artikull i datës 7 prill, në gazeta “55” ‘online’, me titull: “Sfidat e konsolidimit të demokracisë shqiptare”).
  • 2 janë subjekte të diasporës, por të lidhura organikisht me parti të opozitës: subjekti i parë është:
    • “Një grup protestuesish të organizuar nga dega e Partisë Demokratike në Athinë, e drejtuar nga z. Fatmir Gjoci” (artikull i datës 11 mars, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull: “‘Rama ik’ edhe në Athinë, emigrantë protestojnë kundër qeverisë”), ndërsa subjekti i dytë është,
    • “Drejtuesi i degës së Partisë Demokratike në Londër, z. Naim Hasani” (artikull i datës 16 mars në “Gazeta Shqiptare” print, me titull: “Nga Londra në protestë, Hasani: PD duhet të vijë në pushtet”).
  • 1 është një subjekt në trajtën e një grupimi të paidentifikuar, “grupim protestuesish në afërsi të konsullatës shqiptare në Nju Jork”, aktivitet i cili u mediatizua në Shqipëri për shkak të njoftimit të bërë nga z. Sali Berisha (artikull i datës 24 shkurt në “Gazeta Shqiptare” print, me titull “‘Rama ik’, Berisha: Shqiptarët nisin protestën në Nju Jork”).
  • 4 subjekte janë qytetarë të huaj me ekspozim politik dhe marrëdhënie historike të qëndrueshme me mjedisin socio-politik në Shqipëri, të cilët pavarësisht funksioneve zyrtare, në rastet e identifikuara janë shprehur në cilësinë personale:
    • Deputeti gjerman i partisë Bashkimi Social Kristian z. Christian Schmidt, raportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit të Gjermanisë (artikull i datës 16 mars, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull “Deputeti gjerman Schmidt: Edhe qeveria mban përgjegjësi. CDU, Henze: PD-së iu asgjësua çdo liri në Kuvend, duhen zgjedhje të reja”,
    • Martin Henze, kryekëshilltar ekonomik në partinë gjermane Bashkimi Kristian Demokrat, i cili ka subjekti më aktiv në periudhën e studimit, me tri komunikime të veçanta (1- artikull i datës 16 mars, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull “Deputeti gjerman Schmidt: Edhe qeveria mban përgjegjësi. CDU, Henze: PD-së iu asgjësua çdo liri në Kuvend, duhen zgjedhje të reja”; 2 – artikull i datës 25 prill, në gazeta “Koha Jonë” ‘online’, me titull “Këshilltari i CDU së Angela Merkel: Kriza zgjidhet me qeveri tranzitore”; 3- artikull i datës 6 maj, në gazeta “Koha Jonë” ‘online’, me titull “Këshilltari i CDU: Si zgjidhet kriza politike”).
    • Doris Pack, eurodeputete dhe presidente e organizatës së grave në brendësi të Partisë Popullore Evropiane, si dhe ish-deputete e Bashkimit Social Kristian gjerman, me dy komunikime të veçanta (1 – artikulli i datës 3 prill, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull (“Doris Pack: Ambasadorët mbyllin sytë për situatën në Shqipëri”; 2 – artikulli i datës 5 maj, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull: “Kriza politike, Pack: Zgjidhja, përmes zgjedhjeve të lira”).
    • Oliver Jens Schmitt, profesor në Institutin për Historinë e Europës Lindore në Universitetin e Vjenës në Austri, me dy komunikime të veçanta (1 – artikull i datës 19 mars, në gazeta “55” ‘online’, me titull: “Historiani e politiologu zviceran Jens Schmitt: Edi Rama, demagog e autoritar që hiqet si artist”; 2- artikull i datës 4 prill, në gazeta “55” ‘online’, me titull: “Schmitt për Der Standard: Rama promovoi drogën, tani përdor Kosovën”).
  • 2 subjekte janë gazetarë të gazetave të huaja të mirënjohura, por që në argumentimin e tyre janë mbështetur në burime shqiptare. I pari:
    • Giancarlo Padovan, gazetari italian i “Il fatto Quotidiano”, i cili ka botuar një artikull në gazetën italiane, por që është ribotuar edhe në Shqipëri e që sjell lajmin mbi rezultatet e një sondazhi të kryer nga kompania “IPR Marketing”, e cila e ka kryer sondazhin për llogari të medias shqiptare “Ora News” (artikulli i datës 15 prill, në “Gazeta Shqiptare” print, me titull “Gazeta italiane: Sondazhet favorizojnë opozitën përballë PS-së”), ndërsa i dyti,
    • Peter Tiede, gazetar i gjermanes “Bild”, i cili ka botuar një artikull mbi ngjarjet në Shqipëri, por që bazohet në deklarata të forta të figurave publike shqiptare z. Ylli Manjani dhe z. Basir Çollaku (artikull i datës 14 maj, në gazeta “55” ‘online’, me titull “‘Bild’, shuplakë të fortë Ramës/ Reagon Berisha: Damkosje fatale për të dhe narkoshtetin e tij”).
  • 2 subjektet e mbetura janë edhe ato, të cilat përputhen më mirë me përkufizimin e aktorëve të jashtëm, pasi ka shumë elemente që lënë dyshime jo vetëm mbi synimet e komunikimeve të përcjella në median shqiptare prej tyre, por sidomos mbi identitetin e autorëve si dhe mbi vërtetësinë e pohimeve në brendësi të artikujve, të cilat janë të paargumentuara në mënyrë të qartë. Gjithashtu është e habitshme se si pavarësisht se janë produkte gazetareske aspak profesionale e me mungesa të elementëve më bazikë identifikues, këto artikuj kanë depërtuar pa problem në mediat më popullore shqiptare. Këto subjekte janë:
    • Gazeta ‘online’ gjermane “Die Freie Welt”, e cila ka botuar një artikull pa autor mbi situatën politike në Shqipëri. Ky artikull është shpërndarë në mediat sociale nga z. Sali Berisha dhe më pas ka gjetur rrugën e botimit në gazeta “55” ‘online’. (artikulli i datës 22 shkurt, në gazeta “55” ‘online’, me titull: “Shkrimi i medias gjermane/ Berisha: Maduro dhe Edvini, dy armiq të votës së lirë”).
    • Ana L. Scheer, një individ i identifikuar vetëm nga emri, që në disa raste në mediet shqiptare figuron dhe si Anna L. Scheer, e cila ka botuar më herët në “OffGuardian”, një artikull me titullin sensacional “Kryeministri shqiptar çon vendin drejt konfliktit civil” (artikull i datës 14 maj, në “BalkanWeb” ‘online’). Ky subjekt, sipas vetidentifikimit një grua me titull shkencor, është ndoshta aktori më i fshehtë i identifikuar nga ky vëzhgim. Platforma në të cilën artikulli i mësipërm është botuar fillimisht në gjuhën angleze është “OffGuardian”, një platformë ‘online’, e cila u jep mundësi lexuesve e komentuesve të censuruar nga prestigjiozja angleze “The Guardian”, të shprehin pikërisht ato mendime apo komente, të cilat “The Guardian” nuk i gjykon të përshtatshme për t’i botuar në hapësirën e vet ‘online’. Artikulli i Scheer i 14 majit pason dy të tjerë të botuar në “OffGuardian”, gjithnjë me në fokus situatën politike shqiptare dhe me doza të forta kritikash e akuzash ndaj qeverisjes aktuale, i pari i datës 18 prill, me titull “A do të dështojë sërish Shqipëria në hapjen e negociatave me BE-në?”. (I njëjti artikull, nga Scheer është vëzhguar të jetë botuar në gjuhën shqipe në “Koha Jonë”, në datën 18 prill, (artikulli i datës 18 prill, në “Koha Jonë” ‘online’, me titull: “A do të dështojë sërish Shqipëria në hapjen e negociatave me BE-në?”); i dyti i datës 29 prill dhe me titull “Protesta të mëdha dhe kriza politike në Shqipëri”.

Një kërkim i thjeshtë në “Google” me emrin e autores Scheer nuk nxjerr rezultate mbi shkrime të tjera të saj përpos të mësipërmve, por është interesante se të paktën artikulli i saj i fundit mbi “konfliktin civil” në Shqipëri, është botuar dhe në “TheRussophile.org”, një portal rus agregator lajmesh mbi Rusinë dhe nga “vende të lidhura me interesat ruse”.

 

Rezultatet e këtij vëzhgimi tregojnë se vetëm në një rast evidentohet një lidhje e qartë midis një subjekti anonim që ka gjetur rrugën e komunikimit mediatik masiv me shqiptarët dhe mediave me origjinë nga një aktor i jashtëm tradicional, Rusia. Pjesa dërrmuese “të jashtmëve” të identifikuar, nuk janë dhe aq të jashtëm, ose më saktë lidhjet e tyre me aktorë të brendshëm të mjedisit socio-politik shqiptar janë tepër të qarta dhe  synimet e tyre përfundimtare lehtësisht duket se përputhen më shumë me synimet përfundimtare të aktorëve shqiptarë se sa me synime të panjohura të huaja. Vëzhgimi gjithashtu tregon se vetë mediat shqiptare shpesh tregohen të pakujdesshme në mosidentifikimin e qartë të mediumeve apo komunikuesve të jashtëm dhe mungesën e verifikimit të tyre, por edhe në moscilësimin e duhur të cilësisë në të cilën shprehen e i drejtohen individë apo subjekte të huaja publikut shqiptar. Po ashtu, janë edhe vetë politikanët shqiptarë, ata që tërhiqen lehtësisht nga sensacionaliteti i deklaratave që vijnë nga jashtë vendit dhe menjëherë luajnë rolin e mediumit, pa shfaqur kujdes apo përgjegjësi për t’u mbrojtur nga komunikime me origjinë të panjohur. Është e qartë se, përsa u përket medieve shqiptare, një shfaqje e një përgjegjësie më të lartë në këtë aspekt do të ndikonte në zvogëlimin e sensacionalitetit të lajmeve, por gjithashtu do të zvogëlonte rrezikun e subjektivizimit nga ana e aktorëve të jashtëm me synime të fshehta, duke mundësuar edhe informimin e shëndetshëm të shoqërisë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.