SPORT

Rikthehet Ermir Lenjani, Telushi e bën “sefte”

10:30 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – FSHF ka vendosur që të mos bëjë ende publike listën e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Edi Reja për stërvitje apo për ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë. Por vetë futbollistëve u janë dërguar ftesat për aktivitetet e muajit qershor dhe pritet që të ruhet pjesa më e madhe e grupit të ndeshjeve të fundit nën drejtimin e Panuçit. Një prej emrave në listë që është konfirmuar zyrtarisht edhe nga klubi i tij është ai i mbrojtësit Enea Mihaj. Futbollisti 20-vjeçar shihet si një nga elementët e perspektivës dhe fakti që është aktivizuar rregullisht me Panetolikos dhe kërkohet nga klube të njohura në Greqi e jashtë saj, e bëjnë një emër që duhet parë me shumë kujdes. Mihaj është grumbulluar me kombëtaren që në shtatorin e vitit të kaluar, por situata për të ka qenë paksa e çuditshme pasi regjistron vetëm 1 minutë zyrtarisht si pjesë e Shqipërisë. Ai ishte debutimi i tij, në ndeshjen kundër Skocisë në Gllasgou ku u aktivizua në minutën e 89-të, vetëm pak çaste në katërkëndorin e gjelbër për të vulosur përfundimisht praninë e tij me Shqipërinë dhe për të larguar hijet e ftesës nga Greqia. Më pas, vetëm 9 minuta në një miqësore me Jordaninë ku një dëmtim i pësuar e la për disa muaj jashtë. Por Mihaj kërkon më shumë tanimë me Edi Rejan, ku të gjithë e nisin nga e para dhe në këto ditë grumbullimi, do të ketë shansin të tregojë vlerat e tij e pse jo të bindë trajnerin që është ai një nga elementët të cilëve u duhet besuar për të ardhmen.




Në grumbullimin që pritet të nisë sot në Durrës, që do i ndihmojë teknikut Edi Reja për të njohur më nga pranë grupin e lojtarëve të Kombëtares, pritet të ketë edhe rikthime. Emri i parë është ai i Ermir Lenjanit. Siç mëson “Panorama Sport”, anësori i majtë që aktivizohet tek Sioni në Zvicër, ka marrë një ftesë nga Reja. Në grumbullimin e fundit të muajit mars, Lenjani nuk mori një ftesë fillimisht nga Panuçi, dhe deklaroi nëpërmjet një deklarate, se sa të jetë ai trajner, nuk do të shkonte më në Kombëtare. Ndërkohë, me Edi Rejan duket se është një frymë e re, dhe Lenjani pritet që të bashkohet menjëherë me ekipin Kombëtar. Gjithashtu, edhe Jahmir Hyka pritet të marrë një ftesë, dhe do të jetë pjesë e grumbullimit. Shtatshkurtri që aktivizohet te Netanja në Izrael, po bën mirë me golat e shënuar në kampionat, dhe ndoshta mund të ketë një vend në listën përfundimtare të të grumbulluarve për ndeshjet e qershorit.

Jo vetëm Lorenc Trashi, Partizani do të ketë edhe një futbollist tjetër në Kombëtare, pasi trajneri Edi Reja ka ftuar edhe mesfushorin Bruno Telushi. Kjo është hera e parë që futbollisti vlonjat bëhet pjesë e kuqezinjve. Sipas “Supersport”, trajneri italian ka çuar ftesat në klubin e kuq për Trashin dhe Telushin. Një lajm mjaft i mirë ky për klubin e Partizanit, që pas fitimit të titullit, do të ketë më shumë përfaqësues në ekipin kombëtar. Është një lajm i mirë që futbollistë të Superiores po ftohen prej tij në Kombëtare. Telushi ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm me Partizanin, duke qenë një nga lojtarët kyç në formacionin e trajnerit Gega. Ai e ka merituar plotësisht ftesën e trajnerit Reja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.