OPINION

Rilindja e vrasësve politikë

07:30 - 21.05.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy ditë më parë gazeta e së majtës, “Dita”, botoi një dokument shumë domethënës që rënonte propagandën e socialistëve për 21 janarin. Sipas saj, Agron Malaj, ish-gardisti i grupit të zjarrit, tani kandidat i rilindjes për Bashkinë e Matit ka qenë tejet i përfshirë në krimin shtetëror të tetë viteve më parë. Ndryshe nga sa pretendoi kryeministri në një konferencë shtypi se Malaj nuk kishte përgjegjësi ligjore, se nuk qe i përfshirë në krim dhe se ai ka dhënë informata të vlefshme për atë ditë, dokumenti i gazetës fliste për të kundërtën.




Aty ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë se Malaj jo vetëm se qe rreshtuar në anën e gabuar të barrikadës, por ende pa u tharë mirë gjaku i të vrarëve, ai ishte shpërblyer me katër paga mujore, nga një për çdo viktimë, nga drejtuesi e zinxhirit kriminal. Madje, madje, shpërblimi i tij qe nga më bujarët në atë listë të gjatë.

Po pse njeriu që qëlloi pa iu dridhur syri drejt e mbi trupa, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duhej ta shpërblente gardistin e konvertuar në socialist? Për çfarë shërbimi? Se ishte treguar i zellshëm në shpërndarjen e përgjakshme të manifestimit opozitar? Se kishte fshehur gjurmët më pas bashkë me ata që fshinë serverin, zhdukën gëzhojat dhe ndërruan shulat?
A është rastësi që masa e parave që ai mori në dorë është e njëjtë me atë të Ndrea Prendit, Alfred Ahmetcenaj që gjuajti plot 117 plumba atë ditë, apo e Agim Llupos, që u kap nga kamerat duke qëlluar nga ajo dritarja qorre e Kryeministrisë.
Çfarëdo broçkullash justifikuese të nxjerrë nga goja shefi i qeverisë, përgjegjësia e kandidatit të tij për kryebashkiak nuk mund të anashkalohet.
Edhe sikur Malaj të mos ketë kryer asnjë krim, edhe sikur për angazhimin e tij të mos meritojë asnjë ditë burg, ai ka mbi vete një njollë të madhe morale. Si para dhe pas krimit, ai qëndroi në anën e vrasësve. Gjaku i të vrarëve për të u shndërrua në kartëmonedha 5 mijë lekëshe.

Do të mjaftonte vetëm kjo, që ai të mos pranohej as si anëtar i thjeshtë në partinë që “mbron” kujtimin e të viktimave e jo më pastaj të ishte një nga të përzgjedhurit e saj për 61 njësitë administrative vendore.
Dhe këtu problemi e tejkalon fatin personal të një gardisti të shndërruar në rilindas.
Sepse rasti i tij është konfirmimi i një rregulli për amnistimin e të gjithë atyre që i qëndruan në krah Berishës pas krimit makabër.
A nuk u bë koalicioni i 1 prillit me Ilir Metën që quajti viktimat kokëpalarë?
A nuk morën pjesë në qeverinë e parë të rilindjes plot pesë ministra që kishin mbrojtur si të tillë komplotin e grushtit të shtetit?
A nuk është televizioni që bën sot apologjinë e Ramës, ai që vërtetonte tezën se të vrarët ishin qëlluar nga turma?
A nuk gjenden mbrëmjeve në tryezën e kryeministrit të njëjtët oligarkë që e shfrytëzuan fillimin e fundit të Berishës për t’u pasuruar dhe më shumë për veten e tyre?

Në këtë kuptim as rehabilitimi i Agron Malajt nuk përbën ndonjë surprizë. Ngjitja e tij e ngadaltë
në hierarkinë e pushtetit, fillimisht si drejtor i OSSHE, pastaj si kryetar i PS në rrethin ku do të bëhet kryebashkiak, ka ecur paralel me zhbërjen e ndjeshmërisë ndaj asaj që ndodhi në 2011.

Rasti i tij nuk është thjesht promovimi i një njeriu të pushkës apo të krimit, sipas modeleve të Roshit, Ndokës, Prengës e me radhë. Këtë herë, në zgjedhjet lokale pa garë, PS-ja nuk ka nevojë për të fortë dhe banditë që t’i japin vota.

Prandaj katapultimi i Malajt përbën një rast historik. Ai është një sinjal se ndjeshmëria ndaj krimit politik duhet zbutur; një mesazh se riprodhimi i kloneve berishiste nuk duhet të ngjallë të njëjtën frikë; një paralajmërim se hendeku mes të keqes dhe dënimit të saj nuk ka pse të jetë aq i pakapërcyeshëm sa ç’propagandohej.

Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që PS-ja të propozojë si model të shoqërisë së sotme një njeri që u shpërblye me para në dorë për krimin e 21 janarit: vetëm nëse do të relativizojë peshën e vrasjeve në emër të pushtetit, vetëm nëse do të rilindë ata që janë të gatshëm ta bëjnë këtë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.