AKTUALITET

Rritje e pensionit për 23 mijë persona, cilat janë 3 kategoritë përfituese

19:00 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mbi 23 mijë minatorë, naftëtarë apo metalurgë do të kenë mundësi të përfitojnë pension suplementar përveç masës së përfitimit që marrin nga pensioni i pleqërisë. Ditën e djeshme, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, shqyrtoi projektligjin “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Elton Haxhi, Astrit Kuka përgjegjës sektori në Drejtorinë e Punësimit dhe Aftësimit Profesional, Astrit Hado drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore etj. Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë u shpreh se ministria ka hartuar një projektligj për trajtimin financiar suplementar për profesionet e vështira të minatorëve nën tokë, punonjësve të naftës dhe gazit si edhe metalurgët. “Ky projektligj është një trajtim financiar shtesë dhe nuk është një status për këto profesione. Përfshirja në një ligj i tre profesioneve të vështira është bërë për shkak të ngjashmërisë në lidhje me vështirësinë e punës, dhe brenda këtij parimi janë bërë dallime në punë të vështira dhe shumë të vështira”,- theksoi ndër të tjera Haxhi. Më tej, mbledhja vazhdoi me diskutime dhe komente mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, në lidhje me projektligjin e paraqitur.
Pas diskutimeve, kryetari i komisionit Enver Roshi e hodhi projektligjin në votim, ku u votua nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.




Shtesat
Kreu i ISSH-së, Astrit Hado tha se personat që kanë vetëm 6 vite punë në këto sektorë do të përfitojnë 0.6% shtesë për çdo vit pune. “Ky projektligj që po diskutohet sot, në fakt, ka të bëjë me të gjithë ata që sot e gëzojnë statusin e pensionistit. Të gjithë ata të cilët nuk kanë 20 vite punë, por kanë 6 vjet punë, edhe këta do të marrin 0.6% për çdo vit pune”,-bëri me dije Hado. Për sa i përket debatit mbi këtë projektligj, kreu i ISSH-së, tha se nëse shtesa do të ishte më e madhe, do i kushtonte shumë buxhetit të shtetit. “Me pagën minimale që është sot 26 mijë lekë të reja, pensionistit i bie që të marrë rreth 104 mijë lekë të vjetra shtesë pensioni. Po ta shumëzojmë me numrin e pensionistëve që janë këtu, efekti financiar shkon rreth 3.7 miliardë lekë të reja në vit, e kjo skemë i kushton buxhetit të shtetit rreth 45 miliardë lekë të reja”,-tha Hado.

Përfituesit
Përfitues të trajtimit të veçantë që bën ky projektligj do të jenë të gjithë personat që kanë dalë në pension në bazë të ligjit të vitit 1966, atij të vitit 1993 dhe pensionistët që kanë përfituar sipas ligjit të vitit 2014 dhe të gjithë personat që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji. Sa i përket vjetërsisë në punë dhe periudhat e sigurimit për ata që janë aktualisht në pension projektligji njeh përcaktimet që kanë bërë ligjet e mëparshme për këto kategori. Ndërsa për ata që kanë kryer proceset e punës në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji pas vitit 1993 do të njihen për efekt përfitimi sipas këtij ligji, kur ato janë kryer dhe janë dokumentuar, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik, në subjekte me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror si dhe në subjekte private. Periudhat e sigurimit të pa mbuluara me kontribute të paguara në fondin e sigurimeve shoqërore nuk njihen të vlefshme për këtë projektligj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.