SPORT

Në Tetovë e çojnë te Shkëndija, Lilaj: Nuk di asgjë, s’kam folur me kënd

10:30 - 22.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Shkëndija festoi këtë sezon titullin e tretë në histori, ndërsa ishte i dyti radhazi. Tetovarët tashmë janë të përqendruar te përforcimet, teksa ekipi do të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Mbi këtë temë foli edhe presidenti i Shkëndijës, Visar Bexheti, i cili njoftoi se ishte në kontakte për të afruar lojtarë të Kombëtares në organikën e skuadrës. Ditën e djeshme janë zbuluar emrat me të cilët presidenti do të tentojë t’i afrojë në skuadër. Sipas portalit “InfoSport.mk”, bëhet fjalë për Ergys Kaçe dhe Andi Lilën, ndërsa interesim ka pasur edhe për Sabien Lilajn. Lilajt i skadon kontrata në qershor dhe më pas do të jetë një futbollist i lirë. Sa i përket mesfushorit Kaçe, futbollisti mbylli huazimin te Panathinaikos dhe tashmë do të kthehet Paoku, edhe pse Kaçe nuk është në planet e grekëve. Paoku do të kërkojë ta huazojë sërish dhe këtë formulë do të kërkojë ta shfrytëzojë edhe Shkëndija. Ndërsa, edhe Andi Lila duket se e ka mbyllur aventurën në Greqi, teksa ekipi i tij Pas Janina ka rënë një Kategori më poshtë dhe mbrojtësi i krahut është i hapur për një aventurë të re teksa me Shkëndijën do të kishte mundësinë për të luajtur në Kupat e Europës.




Lilaj: Nuk di asgjë
Lajmi i orëve të fundit dje ishte se ish-futbollisti i Skënderbeut, Sabien Lilaj, do të kalojë te Shkëndija e Tetovës për të luajtur në Champions League. Ishte “Procesi Sportiv”, që e publikoi këtë lajm dhe më pas u përhap me shpejtësi edhe në medie të tjera. “Vipsport.al” kontaktoi me Sabien Lilajn, i cili ka dhënë një përgjigje të shkurtër për këtë çështje: “Nuk di asgjë se çfarë është shkruar. Ajo që ju them me siguri, është se nuk kam folur me asnjë njeri”. Ky është qëndrimi i mesfushorit korçar. Ai vetë nuk ka pasur kontakte me askënd dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim. Ndoshta drejtuesit e Shkëndijës e duan në ekip, por nuk është kaq e thjeshtë. Lilaj mbylli sezonin e parë në Azerbajxhan, me ekipin e Gabalas, ku ka bërë paraqitje të mira dhe ditët e fundit fitoi trofeun e parë në këtë vend, kupën. Koha do të tregojë, nëse Lilaj do të ndërrojë ekip dhe nëse po, ku do të shkojë. Emri i tij është përmendur më parë edhe në kampionatin shqiptar te Tirana, por rikthimi në vend do të ishte opsioni i fundit për 30-vjeçarin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.