KULTURË

Revolta e Qafë Barit/ Në kulmin e debatit, një memorial për të vrarët

13:55 - 22.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Në kulmin e debatit mes ish-të dënuarve politikë, ish-të përndjekurve dhe instituteve e shoqatave që kanë në fokus të tyre zbardhjen e krimeve të komunizmit me ish-oficerë të Qafë Barit mes tyre dhe Edmond Cajës, do të kujtohet revolta e 30 viteve më parë.
Një memorial në nderim të vuajtjeve të të burgosurve politikë në burgun e Qafë-Barit do të vendoset sot me rastin e 25-vjetorit të revoltës në Qafë-Bari. Pika që funksiononte edhe si një kamp pune i detyruar në minierë ka marrë jetën e disa të dënuarve që vdiqën nga puna e rëndë, në tortura apo u pushkatuan pas Revoltës së 22 majit 1984.
Gjatë dy muajve të fundit, pas një dokumentari në RTSH mbi rebelimin e famshëm të Qafë Barit dhe nga një seri publikimesh ku Caja etiketohej “vrasës”, “xhelat”, Edmond Caja reagoi nga Gjermania ku jeton prej 3 dekadash duke hedhur akuza për Agron Tufën, Bedri Blloshmin, Visar Zhitin e Hajredin Fratarin. Akuzat e reja nga një ish-oficer i burgut të Qafë- Barit për të dënuarit e kampit famëkeq, që “ridënohen” në demokraci sollën një debat të gjerë publik mbi krimet e padënuara të komunizmit. Por teksa debati u duk se u shua, vendet e kujtesës duket se janë lënë në zgrip të mbijetesës. Ngjarjet që ndodhën në to, i dinë vetëm ata që i jetuan.
Ndaj 35-vjetori i ngjarjes së rëndë që shënon edhe përpjekjet e të dënuarve për të kundërshtuar regjimin komunist dhe shtypjen e tij, përkujtohet përmes një vizite në vendin ku u zhvillua Revolta e Qafë Barit. Aktiviteti organizohet nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), në bashkëpunim me Fondacionin Kujto.al dhe Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë. Është menduar të jetë një pelegrinazh përkujtimor në ish-burgun që ndodhet në Qafë-Bari pranë Fushë-Arrzit (Pukë). Ish-të përndjekurve dhe të interesuarve që kanë dashur të marrin pjesë në këtë pelegrinazh, u janë vënë në dispozicion makina.
Ndërkohë, këshilli bashkiak i Bashkisë Fushë-Arrëz miratoi gjatë javës emërtimin e një rruge në territorin e saj me emrin “Revolta e Qafë Barit”. Ky vendim erdhi pas nismës së Fondacionit Kujto.al dhe Agron Shehajt, themelues i këtij fondacioni.




Vendimi u mor në prag të 35-vjetorit të kësaj revolte, 22 maj 1984, ku për herë të dytë pas asaj të Spaçit, 21 Maj 1983, të burgosurit politikë u ngritën kundër sistemit komunist. Këtë emër do të mbajë rruga që lidh rrugën nacionale me kampin famëkeq të Qafë Barit, ku vuajtën dënimin në punë të rëndë në minierë qindra të burgosur politikë nga viti 1983 deri më 1991. Përfaqësuesi i Fondacionit Kujto.al, studiuesi Erald Kapri, i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Fushë-Arrzit, tha se revolta e Qafë-Barit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në përpjekjen e shqiptarëve për të kundërshtuar dhe rrëzuar diktaturën komuniste. “Ngritja e memorialit bashkë me dhënien e një rruge emri “Revolta e Qafë Barit” është një moment i rëndësishëm kujtese për komunitetin e bashkisë së Fushë-Arrzit, por edhe për gjithë shqiptarët. Kjo iniciativë i hap rrugën ruajtjes dhe konservimit të burgut për t’u kthyer në një vend pelegrinazhi për të kujtuar të kaluarën e dhimbshme, por edhe forcën e madhe të të dënuarve që guxuan të ngrihen kundër diktaturës”,-u shpreh Kapri. Ndërsa dje në Spaç (21 maj 1973 -21 maj 2019), me rastin e përvjetorit të Revoltës së parë antikomuniste, shtypja e të cilës u shoqërua me pushkatimin e 4 heronjve Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko dhe Skënder Daja dhe me ridenimin e dhjetëra të tjerëve, pati një vizitë nga ish-të përndjekurit.
KUJTIMET E VISAR ZHITIT:

SI NISI REVOLTA
Në librin “Ferri i çarë” shkrimtari Visar Zhiti përshkruan si ndodhi revolta. Po shkëpusim pjesë nga libri:
…filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr. Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën. Po pse? S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë. E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lame kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé.” “Jo, – bërtiste policia, – duhet të ktheheni. Urdhër i komandës. Prapë në ndërresën e parë!” “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim.” “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën.” “Në darkë prapë.” “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë.” “Po i kujt, yni?” – bërtisnin policët.
***
U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse. “Ce s’e betë normën (j)uve, të denuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa.”
“Pisat e sat ëme”, – mërmëriti një zë pas meje.
U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulërimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej. Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye.
Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot. Të tjera tryeza u ngritën havadan. Dera qe bllokuar nga të burgosur. Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte thirrur Hysen Xhani në Spaç. – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!” – u dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?

Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash. Edhe këtej nga ne, brenda telave me gjemba, rrëmuja po qetësohej, ndërkohë dëgjoheshin zëra të alarmuar: Ç’do të bëjmë? T’i mbajmë peng policët? Lirojini robërit, o robër, se kush thirri.
Natën shkruanim mureve të burgut parulla kundër: Poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha! Rroftë liria, Europa, Amerika! Një kryengritës i ri tundte nga krahët shokët – ngadalë se më shqeve edhe më – të ngremë një barrikadë, thoshte, mbi udhën nga do të vijnë policët dhe oficerët e komandës. Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit. Policët morën urdhër të prapseshin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.