BLUETOOTH

Rikthehet grupi “Ritfolk”, Altin Goci: Ja çfarë surprizash do të sjellim në 8 qershor

15:40 - 22.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Pas një mungese prej 12 vitesh, rikthehet në skenën e muzikës një ndër grupet më të pëlqyera të viteve ’90 në Shqipëri, grupi Ritfolk. Në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages”, rrëfehet njëri prej anëtarëve të grupit, kantautori Altin Goci, i cili tregon se rikthimi i grupit vjen për shkak të kërkesave të fansave, miqve dhe nostalgjikëve të muzikës së tyre. “Kishim kohë që mendonim një reunion, më së shumti si kërkesë e fansave, miqve dhe nostalgjikëve të grupit tonë. Fillimisht do të mbajmë një koncert në Tiranë dhe në disa rrethe të tjera”, rrëfeu këngëtari Altin Goci. Për të zbuluar më tepër detaje për rikthimin e grupit “Ritfolk” ndiqni intervistën e mëposhtme:




Pas shumë kohësh vendoset të mblidhnit sërish grupin ‘Ritfolk’. E kujt ishte ideja dhe pse pikërisht tani?
Në fakt, kishim kohë që mendonim për një ribashkim të grupit, më së shumti si një kërkesë e miqve, nostalgjikëve e fansave të shumtë. Por shtysa kryesore erdhi nga Abi bank – të cilët patën një projekt intrigues me disa etapa, të cilat na u duken mjaft tërheqëse.


Jeni grupi i preferuar i shqiptarëve të viteve 90′ dhe jo vetëm. Keni përgatitur ndonjë këngë të re për rikthimin tuaj?
Mbase në një etapë të dytë. Për momentin jemi të fokusuar në materialet/këngët e shumta të grupit, dhe së bashku me Sajmirin e drejtorin artistik, Mario Deda, po përpiqemi t’i risjellim në kohë, por pa prishur autenticitetin e tyre.

Rikthimi juaj do të jetë në 8 qershor me një koncert në gjithë vendin duke përfshirë një bllok këngësh që rikthejnë pas nostalgjinë e fansave. Mund të na thoni detaje të tjera rreth këtij rikthimi?

Jemi duke punuar për të sjellë surpriza të këndshme për fansat tanë. Duam që publiku të shijojë një koncert me muzikë shumë të mirë duke u rikthyer në nostalgji.

Thatë që keni pasur mosmarrëveshje, shkak që u bënë për ndarjen e grupit. Si ndodhi rikontakti mes jush?
Kontaktin miqësor e kemi pasur gjithnjë. Pavarësisht se kishim mosmarrëveshje në lidhje me grupin, ne kemi qenë shokë të një shkolle e grupi të përbashkët shoqëror. Pra, shumë vite të kaluara bashkë në festa e mbledhje me miq të përbashkët. Për projektin e koncertit u kontaktuam nga manaxherët e projektit, të cilët na prezantuan idenë e tyre e cila, menduam përkonte me dëshirën tonë. Tanimë është koha e duhur për një koncert ribashkimi.

Kush ishte arsyeja kryesore e ndarjes së grupit më saktësisht?
Ndarja e grupit ndodhi në momentin kur ai ishte në kulmet e tij. Kjo gjë ndodh edhe me grupet e tjera në botë. Te arrish të menaxhosh famën disa herë është e vështirë për më tepër duke pasur parasysh edhe moshën, edhe vitin e mbrapshtë të ’97. Të qenit në grup mund edhe të privojë artistikisht pasi duhet t’i përshtatesh atij ndërkohë që liria artistike është më shumë e shtrenjtë.

Kush po ju ndihmon në realizimin e këtij koncerti dhe ku do të jetë ndalesa tjetër pas Tiranës?
Ndihmën kryesore dhe ideimin e kemi nga Abi Bank, si dhe me suportin e Bashkisë së Tiranës, pa harruar mikun tonë Mario Deda dhe Rubin Beqo i Turtle fest. Kemi menduar që përveç Tiranës të japim edhe disa koncerte të tjera.

Rikthimi juaj është vetëm për koncertin apo do të jetë permanent?
Duam së pari, të shijojmë koncertet dhe nuk kemi menduar për një kthim permanent.
Me çfarë po merret Altini përveç provave për koncertin e ‘Ritfolk’?
Artistikisht nuk jam shkëputur nga muzika live, më së shumti gjatë fundjavave. Por një kohë të shumtë më zë edhe familja ime e shtrenjtë e dy vajzat e mija të cilat ma mbushin ditën me impenjim e lumturi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.