AKTUALITET

Studentët e Drejtësisë në universitetin “Luarasi”, analizë të rasteve simuluese

10:00 - 22.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Praktika është një ndër elementët më të rëndësishëm në formësimin e profesionistëve të denjë për tregun e punës. Në kuadër të kombinimit të teorisë me praktikën, studentët e Drejtësisë në universitetin “Luarasi” kanë zhvilluar një orë të hapur, ku kanë analizuar viktimat e simuluara dhe vendin e ngjarjes.




Tradita e
praktikave
Ky leksion i veçantë u organizua nga pedagogu i lëndës Procedura Penale, avokati i njohur, Saimir Vishaj. Rektori i universitetit “Luarasi”, prof.dr Ethem Ruka tha se nëpërmjet praktikave të tilla, studentët shfaqin më shumë interes. “Mësime të tilla të hapura, të simuluara janë të zakonshme tashmë në universitetin ‘Luarasi’, veçanërisht në Fakultetin e Drejtësisë. Praktikisht sot po organizohet një leksion i hapur për këqyrjen e personave të dhunuar, të plagosur etj. Ky mësim i afrohet realitetit dhe ka për qëllim që studentët tanë të drejtësisë të mësojnë, të këqyrin viktimat, por të vrasin edhe frikën psikologjikisht sepse nesër do të jenë ata që do të ndodhen në vendin e ngjarjes. Mendoj se mësime të tilla janë interesante, tërheqin vëmendjen e studentëve, e bëjnë mësimin shumë aktiv dhe përfitimi është maksimal”, – tha Ruka në fjalën e tij. Ky i fundit shtoi se në këtë mënyrë studentët e “Luarasit” përgatiten maksimalisht për të ardhmen profesionale. “Qëllimi ynë është që të afrojmë sa më shumë studentët me praktikën, t’i bëjmë profesionistë që në bankat e shkollës. Praktika të tilla janë të shumta për studentët e drejtësisë si leksionet në klinikën ligjore, vizitat nëpër burgje, seancat gjyqësore të simuluara, ku të rinjtë vihen në rolin e avokatit, prokurorit e gjykatësit. Kështu do të formohen si profesionistë, pasi nesër do të jenë këta studentë që do të kenë në dorë drejtësinë”, – shtoi rektori i universitetit “Luarasi”.

Organizimi
Pedagogu Saimir Vishaj u shpjegoi studentëve rastet e simuluara dhe procedurën që duhet të ndjekin për mbikëqyrjen e tyre. “Aktualisht jemi në lëndën e Procedurës Penale, ku një nga bazat e saj është edhe Instituti i Provave. Ndryshe është ajo që ne flasim në teori, (duke mësuar se ç’është prova, çfarë është një vrasje apo marrëdhënie seksuale me dhunë) dhe ndryshe është ajo çka ne demonstrojmë sot përpara studentëve me të dëmtuar nga vepra penale. Kemi 3 raste simuluese: një vrasje, një plagosje të rëndë dhe një marrëdhënie seksuale me dhunë”, – bëri me dije pedagogu i Procedurës Penale. Më tej, ai theksoi se simulime të tilla janë tejet të vlefshme për të rinjtë që aspirojnë të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë. “Studentët kanë një detyrë të rëndësishme në këtë proces, të bëjnë këqyrjen e viktimave dhe vendit të ngjarjes. Është një demonstrim profesional, ku studentët kanë mundësi të gërshetojnë teorinë me praktikën, që është dhe motoja e universitetit ‘Luarasi'”, – tha Vishaj.

Interaktiviteti
Vetë studentët e Drejtësisë kanë shprehur interes maksimal gjatë orës simuluese. “Objektivi kryesor i universitetit ‘Luarasi’ është gjithmonë gërshetimi i teorisë me praktikën dhe vënia në jetë e të gjithë atyre që ne mësojmë në teori. Dita e sotme është një nga shembujt më të mirë, pasi çdo gjë që kemi mësuar arrijmë ta shikojmë më nga afër”, – tha njëra prej studenteve të Drejtësisë te “Luarasi”. Ndërkohë një tjetër student tregon se praktika të tilla e ndihmojnë të aftësohet më shumë për të ardhmen. “Ky leksion është shumë i rëndësishëm për ne pasi përveç teorisë, na dha mundësinë të mësojmë edhe nëpërmjet praktikës. Kur të dalim në punë, do të ndeshemi me raste të tilla, por do ta kemi më të lehtë, pasi i kemi parë dhe vëzhguar që në auditorë. Kjo është një mundësi shumë e vlefshme që e ofron universiteti ynë, ‘Luarasi'”, – u shpreh një tjetër student. Nëpërmjet praktikave të tilla bashkëkohore, “Luarasi” synon t’u ofrojë studentëve kushte e mundësi optimale për përgatitjen e tyre në tregun e punës. Kështu, ky universitet dëshmon edhe njëherë se vazhdon të mbetet një institucion lider për arsimin e lartë në vend, duke sjellë përvojat më të mira pranë studentëve të tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.