KULTURË

Me bujtë në Abacinë e Oroshit, projekti rivitalizues

18:30 - 23.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – S’është nevoja t’ju flas për kishën e tij, të projektuar prej atij vetë, më e madhja në të gjithë malësinë, as për shtëpinë e tij të madhe, e mobiluar e gjitha sipas shijeve europiane, e as për mikpritjen e tij princërore. Këto i dinë të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën e pastaj bëjnë një udhëtim lart nëpër male. Kur vajta unë aty, ai vetë s’qe në shtëpi, por e motra, që më përshëndeti me përzemërsi si të ishim të njohura të vjetra, dhe prifti i Oroshit, më bënë nderet e shtëpisë. Po Oroshi pa abatin (Preng Doçi) është si ‘Hamleti’ pa Hamletin…”. (Edit Durham, “Shqipëria e Epërme”, Botimet IDK, Tiranë)




Dikur ajo ishte një nga komplekset kishtare më me emër në Ballkan. Atje ndalonte edhe Edit Durhami, atje ndalonin udhëtarë në zë e baronë që kalon andejpari, në Shqipërinë e varfër që ende nuk kish dalë nga ndikimi i Perandorisë Osmane. Sot, kur kompleksit të dikurshëm i kanë ngelur vetëm rrënojat, një projekt rivitalizues do e rikthejë në strehë arti, kulture e në një bujtinë të madhe që pret turistë e miq.
Eshtë natyrisht e dukshme rëndësia e madhe që Abacia e Oroshit ka jo vetëm për krahinën e Mirditës, por edhe për rikonstruktimin e historisë së Shqipërisë. Historia e kësaj abacie nuk është zbardhur akoma tërësisht, por në bazë të të dhënave që Abati i famshëm Preng Doçi jep në gazetat gjermane në vitet 1888-1896, rezulton se abatët e Oroshit fillojnë që nga viti 1636, vit në të cilin Stefano de Gapseri u emërua Abat i Oroshit.

Prej pak ditësh është bërë me dije miratimi i një projekti të rikualifikimit të Abacisë së Oroshit.
Projektuesi, arkitekti Gjon Radovani thotë se nisma rikualifikimit të kompleksit të Abacisë së Oroshit është ndërmarrë nga Monsinjor Gjergj Meta, ipeshkëv i Mirditës.
“Oroshi është futur tashmë edhe në programin qeveritar të 100 fshatrave, kështu që një koordimin i punës ndërmjet masave infrastrukturore shtetërore dhe atyre të Ipeshkëvisë më rikonceptimin e kompleksit të abacisë do të sillte një përmirësim të madh të situatës në zonë”, thotë Radovani për ‘GSh’.
Ai vëren se gjendja aktuale e Abacisë, që për momentin ka vetëm kishën në nevojë urgjente restaurimi dhe varrezat pranë saj, të cilat janë edhe sot aktive, dedukton nevojën imediate për ndërhyrje.
“Koncepti urbanistik dhe arkitekturor parashikon ndërhyrjen në pesë elemente të rëndësishme të kompleksit, për ta kthyer këtë abaci në një pol të rëndësishëm fetar, social, kulturor dhe turistik.

Si ndërhyrje e parë imediate është ai i restaurimit të kishës, restaurim i cili do t’i nënshtrohet të gjithë normave moderne të restaurimit si në brendësi të saj ashtu edhe nga ana e jashtme. Një analizë e saktë e dëmeve dhe nevojave jetike për ndërhyrje po bëhet ndërkohë dhe pas mbarimit të kësaj ekspertize, një plan pune i qartë dhe i kuotuar si nga ana teknike ashtu edhe nga ajo financiare do vihet në shërbim të realizimit të punës”,-thekson arkitekti.

Sipas Radovanit, komponenti e dytë, tepër e rëndësishëm është ndërtimi i kuvendit mbi rrënojat e kuvendit të vjetër me një destinacion të ri dhe me një logjistikë moderne. “Rrënojat e kuvendit të vjetër po zbulohen nëpërmjet gërmimeve të kujdesshme arkeologjike që po bëhen në in situ. Çdo gur i ndërtesës së vjetër po ruhet me shumë rigorozitet për t’u vënë në dispozicion për ndërtimin e kuvendit të ri. Kuvendi nuk do të ketë vetëm funksion kishtar, por do të sigurojë vend fjetjeje edhe për turistë apo studiues, që dëshirojnë të kalojnë ndonjë ditë në një ambient tepër komod dhe të mbushur me histori në mesin e maleve spektakolare të Mirditës. Edhe një muze i vogël me informacion mbi rajonin dhe abacinë do zërë vend në këtë kuvend”. Gjuha arkitektonike që përdor Radovani në rindërtimin e kuvendit është një miksturë delikate e historikes që është në themelet e rrënojave të kuvendit të vjetër, me modernen që lind nga tradita dhe që përdor një gjuhë shumë të qartë dhe komunikative.

“Koncepti im vazhdon me një ndërhyrje të fuqishme për sistemimin e varrezave pranë Abacisë. Këto varreza janë aktive, por për t’i shpëtuar nga kaotizimi, duhet t’i nënshtrohen një projektimi për parcelat e reja dhe një sistemimi të atyre aktuale. Rrethimi i tyre dhe gjelbërimi maksimal i mundshëm do krijojë një ambient të paqtë dhe dinjitoz për stacionin e fundit të jetës së njeriut”, thotë arkitekti Radovani. Njëherësh, ai apelon edhe për respektimin rigoroz të Normativave të projektimit dhe të ndërtimit të varrezave, të përpiluara nga vetë ai në vitin 2014 kur ai ishte zv.min i Zhvillimit Urban dhe të miratuara me Vendimin e Këshillit të Ministrave më 2014.
Si element krejtësisht i ri i kompleksit ai veçon komponentin e katërt, që i kushtohet shërbimeve. Paralel me kishën në anën veriore të saj, dy struktura të lehta që dalin edhe ato nga toka për arsye të relievit dhe që hapen nga ana e sheshit të kishës, ofrojnë mundësinë e të gjitha shërbimeve të nevojshme. Bar, restorant, sallë mbledhjesh dhe konferencash, por edhe transformimi i tyre në një skenë të hapur për aktivitete më të mëdha të komunitetit, si koncerte, teatër, etj. është e mundur falë fleksibilitetit dhe qualitetit të projektimit të tyre. Këto struktura do jenë të ashtuquajturat ‘struktura smart’, që në sajë të teknikës dhe teknologjisë do plotësojnë çdo nevojë të organizatorëve të eventeve.
Komponent i pestë dhe i fundit që ka menduar arkitekti është sistemi i qarkullimit të motorizuar dhe këmbësor si dhe parkimi, i cili është i ndarë në dy kategori, privat dhe publik duke siguruar aksesushmëri në të gjithë kompleksin edhe për persona me aftësi ndryshe.
Në tërësi të projektit spikat vëmendja e madhe për kualifikimin e mjedisit, për uljen e impaktit ndaj tij dhe mbajtjen e një raporti të shëndoshë mes historikes dhe modernes. Me realizimin e kompleksit të Abacisë së Oroshit, turizmi historik, malor dhe rural me siguri do të ketë një magnet tepër të rëndësishëm dhe shumë të vizitueshëm, mendon Radovani.
NDËRTIMI I KOMPLEKSIT NGA ABATI
Me përkrahjen financiare të Austro-Hungarisë dhe të Propaganda Fides ishte mundësuar rindërtimi i kishës si dhe rezidenca e abatit të bëhej prapë e banueshme. Për nevoja të tij Doçi kishte mbjellë edhe një vresht rrushi dhe një kopsht me pemë dhe sipas deklarimeve të tij ishte përherë në lëvizje. Me 12 maj 1889 kur shënohet festa e pajtorit Shën Aleksandri Doçi lexon dekretin “Supra montem Miriditarrum” sikurse edhe fermanin e Sulltanit. Kajmekani, pleqtë dhe kleri përpilojnë një falënderim për sulltanin, të cilin abati ia kishte dhënë pashës së Shkodrës me 6 qershor për ta bartur më tutje. Doçi gëzonte mbrojtje të lartë në Romë dhe kishte përkrahjen e qeverisë turke. Abbacia nullius ishte ngritur në koston e dioqezës së tij.
Në tetor 1888, pra, pak para emërimit të tij, Doçi i dërgon Propagandës Fides `Notizie sull`Abbazia dei Miriditi. Ai e thotë si të sigurt se, në Orosh dikur ka qenë një manastir i benediktinëve. Pohimet se mund të jetë bërë fjalë për një abaci baziliane, ai e hedh poshtë kategorikisht. Pas pushtimit turk benediktinët e kanë lëshuar Oroshin dhe në fillim të shek. XVI manastiri është shekullarizuar. Mungesën e dokumentacionit nga kjo kohë Doçi e argumenton me gojëdhënat se, rezidenca e abatit njëherë është djegur. Po ashtu se turqit e kanë grabitur disa herë manastirin e me këtë kanë plaçkitur edhe reliken e Shën Aleksandrit. Papa Klementi VIII ose Sixtus V, pastaj u ka dhënë Abacinë e Oroshit françeskanëve, por që janë dëshmuar si të paaftë për ta mirëmbajtur objektin. Kështu që në viteve 30-të të shek. XVII, Propaganda Fide kishte emëruar përsëri meshtarë shekullarë apo dioqezan (clerici saeculares) si abatë. Kishte kohë të gjata që posti mbetej i zbrazët si dhe përpjekje të ipeshkvijve të Lezhës për ta shuar manastirin dhe për ta përvetësuar si pronë të tyre.
Kësaj përmbledhjeje historike të Doçit, si duket në Romë, duhet t`i kenë besuar, sepse në dekretin e 25 tetorit 1888 me anë të së cilit Abacia e Oroshit ngrihet në `Abbatia nullius` bëhet fjalë prapë për një ish-manastir të benediktinëve: “Abbatia S. Alexandri, quae olim a Patribus Benedictinis regebatur.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.