OPINION

Ç’e do një fushatë të vrarë?

07:40 - 23.05.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fushatat zgjedhore edhe tek ne janë bërë tejet të kushtueshme në dy dekadat e fundit. Spektakle me këngëtarë, podiume madhështore që kushtojnë me dhjetëra mijëra euro, me qindra banera, dhjetëra mijëra postera, mijëra banderola, mijëra fishekzjarrë, qindra-mijëra flamuj, mijëra bluza e me radhë. Në tri herët e fundit kur zgjedhjet e përgjithshme apo vendore janë zhvilluar, në vitet 2013, 2015 dhe 2017 kanë kushtuar mesatarisht 4-5 milionë euro njëra. Një pjesë e mirë e këtyre parave përballohen nga buxheti i shtetit në financimet që ai u bën partive parlamentare dhe të cilat, në vitet zgjedhore rriten me herë. Tani që duket qartë se partia në qeverisje u është drejtuar e sigurt zgjedhjeve vendore dhe opozita e votuar me dy partitë e saj ndodhet në rrugë dhe as që ka ndërmend të dëgjojë të hyjë në zgjedhje, përse duhet të çelet fushata më 30 maj? Përse të harxhohen miliona euro për një palë zgjedhje, si ato vendoret e 30 qershorit 2019, ku nuk ka garë? Pse partia në qeverisje, Partia Socialiste duhet të rëndojë buxhetin e shtetit me afro një milion euro apo edhe më shumë për fushatën? Si dhe të kërkojë edhe një herë e gjysmë para më shumë nga sponsorizime individësh dhe kompanish? Kur dihet sa frëngu pulën i paguan tek ne partia politike dhe drejtuesit e saj paratë e marra nga sipërmarrësit në këmbim të favoreve në akordimin e tenderave, qoftë në pushtetin qendror në nivel të ministrive, qoftë në atë vendor në nivel të bashkisë.




Zgjedhjet e 30 qershorit, kështu si po projektohen, nuk kanë garë reale. Janë me fitues të ditur dhe të vetëm, të 61 kandidatët për bashki të Partisë Socialiste. Bindja Demokratike nuk ka asnjë shans me të 21 kandidatët e saj, pse është një parti e formuar vetëm pak ditë më parë. Thjesht në nivel vendi, ajo mund të marrë edhe mbi 100 mijë vota, por nuk ka gjasa në asnjë bashki ku garon që ndonjë nga të 21 kandidatët e saj të rivalizojnë kandidatin e Partisë Socialiste. Vetëm nëse Partia Demokratike në momentet e fundit u bën thirrje mbështetësve të vet të votojnë kandidatët e Bindjes Demokratike. Por kjo është fantapolitikë, ose një mendim po aq larg realitetit sa ç’është dielli nga toka. Atëherë, përse duhet fushata? Përse duhen mitingjet, manifestimet, koncertet, fjalimet? Për të gënjyer mbështetësit se 30 qershori është një festë? Nuk ka festë. Sepse nuk ka garë. Gara u vra ende pa nisur. Zgjedhjet shndërrohen në festë apo spektakël vetëm kur ka garë të mirëfilltë. Prandaj edhe fushata e zgjedhjeve është e vrarë ende pa nisur. Do të jetë kallpe, tërësisht hipokrite, po të organizohet dhe zhvillohet si zakonisht, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Me takime me zgjedhësit, me mitingje ku të ketë brohoritje, me fjalime prekëse apo frymëzuese, me koncerte përfundimtare e me radhë aktivitete, sikurse na kanë mësuar fushatat e partive tona kryesore në dy dekadat e fundit. Ndërsa tani është ndryshe. Tani këtë fushatë do ta vrasë hipokrizia e vetë atyre që e organizojnë. Mendoni një spartakiadë, lojëra olimpike, kampionate botërore ose evropiane futbolli, apo edhe kampionate kombëtare, ku në fushë janë atletë ose lojtarë të një skuadre të vetme. Çfarë garash janë ato? Sa tifozë mund të arrijnë të mbledhin në stadiume? Kështu do të jenë edhe zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Prandaj nuk ia vlen që të shpenzohet për fushatë në këto zgjedhje. Nuk ia vlen që të rëndojmë buxhetin e parave të të gjithë shqiptarëve. Partia Socialiste ta mendojë mirë këtë, përpara se sa të na dhurojë një spektakël mjeran dhe hipokrit. Ajo mund të organizojë takime me mbështetësit e saj në 28 ditët e qershorit. Por do të bëjë mirë për të gjithë nëse nuk shpenzon më shumë se sa vetëm karburanti i makinave që lëvizin. Pa dekorin e vërtetë të një fushate, që shpesh merr ngjyrat edhe të një feste. Pse nuk ka sinqerisht kuptim të shpenzojë për dekor dhe produkte fushate në një fushatë që nuk do të jetë garë. Ah po, nëse ndonjë nga të 61 kandidatët e saj për bashki do të jetë serioz dhe të përgatisë një program se si do ta qeverisë bashkinë ai në katër vitet e ardhshme, le të shpenzojë para për printimin e broshurës së programit dhe t’ua shpërndajë njerëzve, që të paktën të ngelen në letër premtimet e tij apo saj dhe t’i kërkohet llogari pastaj nga zgjedhësit, nëse nuk i mban. Vetëm kaq. Për të tjerat më mirë t’i kursejmë një milion apo një milion e gjysmë euro shtetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.