OPINION

6 rastet kur Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen

07:39 - 24.05.19 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Skandali austriak… duhet t’i ketë kujtuar  kryeministrit Edi Rama se fjala dhe praktika dorëheqje, për shkak qoftë edhe të një skandali të vetëm e jo më të një zinxhiri të gjatë skandalesh, ekzistojnë jo vetëm në Austri, por edhe në fjalorin dhe arkivin politik dhe qeverisës së vetë PS-së.




Skandali që shpërtheu në Austri, pas publikimit të  videos në të cilën zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache i ofronte kontrata shtetërore një oligarkeje të dyshuar ruse, në shkëmbim të mbështetjes financiare për fushatën zgjedhore, pati jehonë mbarëbotërore. Pas zëvendësit të tij, brenda pak orëve dha dorëheqje edhe vetë kancelari Sebastian Kurz dhe e gjithë qeveria e tij, duke e çuar kështu vendin në zgjedhje të parakohshme politike, me shumë gjasa në një nga ditët e gjysmës së parë të shtatorit 2019. Por, skandali austriak pati jehonë dhe efekte edhe në vendin tonë. Mbi të gjitha, duhet t’i ketë  kujtuar  kryeministrit Edi Rama se fjala dhe praktika dorëheqje, për shkak qoftë edhe të një skandali të vetëm e jo më të një zinxhiri të gjatë skandalesh, ekzistojnë jo vetëm në Austri, por edhe në fjalorin dhe arkivin politik dhe qeverisës së vetë PS-së. Për ta ndihmuar edhe më shumë që të bindet se duhet të kishte dhënë dorëheqje shumë kohë më parë, të paktën 6 herë, domethënë nga një herë në çdo vit të periudhës së tij 6-vjeçare në “timonin e kamionit qeverisës”, do t’i kujtoj disa fakte, arsye, skandale, që flasin shumë dhe kuptueshëm… Shumëkujt nga ne shqiptarëve të gjallë, akoma në Shqipëri, na kujtohet mirë thesi i madh me premtime, me të cilat erdhi Edi Rama me taborin e tij në pushtet, më 23 qershor 2013. Tani pas 6 vitesh  është bërë plotësisht e qartë se këto ishin thjesht për efekt dhe konsum elektoral, se janë “harruar” apo hedhur në “kazanët e plehrave” në mos të gjitha, shumica e tyre. Nuk janë hapur edhe sot e kësaj dite 300 mijë vende pune të lira, edhe pse “rilindasit” i ndihmoi fati apo vetvetja, që rreth gjysmë milioni qytetarë, shumica të moshave të reja e për punë, të mos prisnin më kot me vite një vend pune nga zyrat e punës të “rilindjes”, por t’i kërkonin dhe gjenin në Gjermani, Angli, SHBA, Francë, Belgjikë, Kanada, Australi… Mosmbajtja, qoftë edhe vetëm  e këtij premtimi, duke mos ia llogaritur listën e gjatë me premtime të tjera të papërmbushura, që shumica e qytetarëve, përfshirë edhe ata të majtë, i dinë po kaq mirë se unë, a nuk mund të ishte një motiv i fortë për dhënien e dorëheqjes individuale dhe ekipore nga Edi Rama?

Si sot 6 vjet më parë Edi Rama me “papagallët dhe kanarinat” e tij u ngjirën duke premtuar se do të krijonin shtet ligjor të vërtetë, të fortë, funksional, që do t’i detyronte bosët e krimit, trafiqeve, korrupsionit… të kërkonin fshehje e shpëtim nëpër vrimat e minjve. Por, në të kundërt, ai futi plot prej tyre në parlament, në radhët e grupit të tij të deputetëve dhe në përbërje të qeverisë, si ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm… Të tjerë, i bëri kryebashkiakë, prefektë, kryekomisarë të policisë, kryedoganierë, kryetatimorë, drejtorë agjencish… I mbrojti sikur t’i kishte vëllezër kur i propozoi dhe emëroi, por nuk reshti duke i mbrojtur edhe kur iu hoqën petat lakrorëve të tyre dhe u dolën pisllëqet e shumta nga e shkuara nëpër burgje dhe nëpër dosjet e drejtësisë në Shqipëri e në vende të tjera, si në Itali, Greqi, Zvicër, Belgjikë, Holandë, Angli, SHBA… Avokatia, patetizmi dhe devotshmëria e Edi Ramës për t’i mbrojtur si engjëj, këta djaj të “rilindjes”, dashur pa dashur, të shtyn të mendosh se nuk ishte viktimë e mungesës së informacionit të saktë e të bollshëm për këta “shokë të denjë”, por edhe e vetvetes, e ortakërisë jo vetëm politike dhe qeverisëse  me njerëz të këtij brumi, me të cilët njollosi dhe turpëroi rëndë e hapur edhe PS-në. Po, këto të gjitha, sidomos skandalet me fotografi, regjistrime zanore dhe video, të lidhura me ish-ministrat e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj si dhe me disa kryebashkiakë, a nuk përbëjnë një shkak apo arsye të mjaftueshme që Edi Rama të kujtohej dhe të reflektonte burrërisht, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të dyja fronet?

Afro 6 vjet më parë, Edi Rama me shokë e shoqe u betuan se do t’i jepnin fund një herë e mirë kultivimit të kanabisit në Lazarat dhe trafikimit prej andej, nëpërmjet kufijve tokësorë apo detarë nëpër vende të tjera të Evropës. Sot, pas 6 vjetësh, referuar Raportit të DASH dhe BE-së, publikuar edhe mediat tona më 19 prill 2019, “Shqipëria është kthyer në lavatriçen e Evropës për pastrimin e parave të kanabisit dhe të drogave të tjera, që fundosin ekonominë…”. Ndërsa Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore publikoi më 20.05. 2019 një raport, sipas të cilit Durrësi ynë, domethënë i Edi Ramës, Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Sandër Lleshajt, Elisa Spiropalit, Vangjush Dakos…” është një nga portat hyrëse të kokainës që vjen nga Amerika Latine e që shpërndahet në vende të rajonit dhe nëpër të gjithë Evropën”. Po lazaratizimi, sicialinizimi, kolumbianizimi, kanabizimi i gjithë Shqipërisë dhe përmbytja prej saj e Greqisë, Italisë, Holandës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Belgjikës, Spanjës… me qindra tonelata kanabis të freskët “Made in Albania” ose “Made in Rilindja” nuk janë të mjafta e të bollshme për t’i kujtuar dhe kërkuar Edi Ramës dorëheqjen, para se shumica e vendeve të BE-së nuk ndjekin shembullin e Holandës për të kërkuar heqjen e vizave Shengen për ne qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të majtë, të djathtë apo të pavarur, që nuk kemi përfituar asnjë euro nga miliardat e kanabisit?

Shumica e shqiptarëve që i dhanë votën Edi Ramës më 23 qershor 2013 dhe 25 qershor 2017 besuan dhe shpresuan se ai do të ishte i sinqertë dhe i suksesshëm edhe në premtimin për t’i bërë gjëmën korrupsionit në të gjitha nivelet e piramidës politike, qeverisëse, administrative, shtetërore në Shqipëri. Por sot besoj se shumica e tyre janë bindur se korrupsioni jo vetëm që nuk u ul dhe kufizua, por mori përmasa edhe më të frikshme e më rrënuese. Për të qenë objektivë le t’u referohemi vetëm pak shifrave. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, publikuar më 29 prill 2019, në fund të vitit 2018 ”abuzimet financiare në shtet janë rritur me mbi 5 herë, në shumën rreth 1,711.1 milionë euro, duke e bërë qeverinë e Edi Ramës kampionen e abuzimeve me fondet publike në historinë e Shqipërisë”. Po kështu, siç është bërë publik edhe në media në ditët e para të dhjetorit 2018, skandaloz dhe shumë shprehës është rasti i 26-vjeçarit Avdjol Dobi, një recepsionist i thjeshtë, përfaqësues ligjor i kompanisë “D Haberman”, që shpallet fitues i tenderit 18 milionë eurosh për Lotin 1 të Unazës së Re, për një segment të shkurtër. Rreth një muaj më parë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSE, i kishte dhënë kompanisë së përfaqësuar po nga ky askush një tender me vlerë 12 milionë euro?! Sipas një informacioni të botuar më 26 mars 2019, nga 101 milionë euro të dhëna nga qeveria për shërbimet e sigurisë, nga viti 2014 deri më sot, 34 milionë i kanë marrë kompanitë e lidhura me Safet Gjicin dhe Pjerin Ndreun, deputetë të “Rilindjes” dhe kandidatë të saj për kryebashkiakë në Kukës dhe Lezhë. Më konkretisht, i pari rreth 24,8 milionë euro, ndërsa i dyti rreth 9,1 milionë euro. Në vijim mund të kujtojmë se rreth 31 km të autostradës Tiranë-Elbasan deri tani kanë kushtuar rreth 450 milionë euro (afro 15 milionë euro për 1 km), gati sa gjysma e “Rrugës së Kombit”, rreth 5 herë më e gjatë, në terren shumë më të vështirë e me kosto mesatare 6-7 milionë euro për 1 km, kur në Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë… 1 km kushton mesatarisht rreth 5-7 milionë euro. Natyrisht, nëse do të kishim me të vërtetë shtet ligjor të standardit të Austrisë, nëse do të kishim drejtësi të pavarur nga qeveria, duke u bazuar në këto fakte dhe të tjera që janë me bollëk dhe gjenden lehtë, po të ketë dëshirë, vullnet dhe kurajë nga Arta Marku dhe vartësit e saj prokurorë, Edi Rama do të detyrohej të shtyhej të kujtohej se kishte ardhur koha për dorëheqje dhe jo vetëm për kaq pak. Shkaku apo arsyeja e pestë që Edi Rama të kujtohej se ekziston edhe në Shqipëri fjala, praktika dhe tradita “doreheqje”, mund të merret këmbëngulja e tij për të zhvilluar zgjedhje edhe pa partitë kryesorë të opozitës së vërtetë, që kanë braktisur mandatet dhe parlamentin. Sikur të mos mjaftohej me arrogancën, cinizmin dhe agresivitetin, që shpreh në ERTV dhe për media të tjera në vend e në botë, kërkesave dhe protestave të tyre, përgjithësisht të ngjashme me ato të Parisit, Romës, Athinës, Uashingtonit u jep përgjigje me shkopinj gome dhe gazra lotsjellës. Në vend që të reflektojë e të heqë dorë nga gjasme zgjedhjet e 30 qershorit, që mund të jenë një njollë dhe turp i ri për PS-në, ai bën një listë, ku me vullnetin dhe dorën e vet, fut jo vetëm Termet Peçin, që këndon për Enver Hoxhën shesheve dhe lokaleve të Tepelenës, por edhe emra të tjerë të përfolur për abuzime dhe korrupsion. Në këtë listë është edhe Agron Malaj, njeri nga oficerët e Gardës së Republikës, që ishte te Kryeministria më 21 janar 2011, së bashku me 9 të tjerë, të cilësuar si “grupi i zjarrit”, fajësuar dhe akuzuar edhe nga vetë Edi Rama, si “autorë të mundshëm për vrasjen e katër demonstruesve”. Logjikshëm kujtdo i lind pyetja: Mos vallë  po i lan “borxhin” që i ka nga 21 janari 2011?

Shkaku dhe arsyeja e gjashtë që Edi Rama të kujtohet se ka rreth 6 vjet që nuk i dëgjon kambanat që bien për dorëheqjen e tij mund të gjendet te skandali Bechetti. Siç është bërë publike, më 14 dhe 15 maj 2019 biznesmeni italian Francesco Beçhetti ka fituar gjyqin ndaj kryeministrit Edi Rama në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për shkak të  vendimeve arbitrare të kryeministrit Edi Rama, në qershor 2015, për t’i ndërprerë investimet dhe projektet e Bechettit në Shqipëri. Fatura prej 110 milionë euro është gjoba më e madhe që ka marrë ndonjëherë Shqipëria nga një gjykatë ndërkombëtare dhe përbën një goditje fatale për financat e shtetit tonë.  Unë nuk jam shumë i sigurt se kush i fryn në vesh apo me mesazhe më shumë Edi Ramës, që të qëndrojë si “shkëmb graniti në fron” e të mos i “dëgjojë” kambanat për ikje dhe dorëheqje. Vetvetja, ambiciet cinike, frika e ndëshkimit për ato që ka bërë e nuk ka bërë? Shokët dhe shoqet e “tufës”, ortakët, oligarkët, bosët e çfarëdollojshëm, që kanë qenë ndër të fituarit më të mëdhenj prej firmave dhe vulave të tij dhe që do të jenë humbësit më të mëdhenj nga mungesa e tyre? “Baronë”, “pronarë” ndërkombëtarë, si Sorësët at e bir, etj., të cilëve nuk u ka plotësuar 100% misionin, detyrat, kërkesat për ta bërë Shqipërinë ferr për shumicën e qytetarëve të thjeshtë të të gjitha ngjyrave dhe bindjeve partiake dhe parajsë për bosët e krimit, të trafiqeve, korrupsionit, “prostitucionit politik” si dhe “kafshatë” lehtësisht të kapërdishme për të ngopur orekset e reja aneksioniste të Serbisë dhe Greqisë…?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.