KULTURË

Disidentë pa disidencë, veçoritë e totalitarizmit në Shqipëri

18:10 - 24.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sonila Boçi*- Kohët e fundit në ligjërimin publik është ngritur çështja mbi disidencën kundër regjimit komunist në Shqipëri. Në një debat sa shkencor aq edhe divulgativ mbi ekzistencën apo mungesën e disidencës, opinionet, siç ndodh rëndom në Shqipëri, janë ndarë në kahje ekstremisht të kundërta, saqë ndonjëherë është e vështirë të gjesh pika konverguese. Ndonëse në Shqipëri nuk kanë munguar kundërshtarët politikë të regjimit të PKSH/PPSH, disa prej të cilëve edhe kanë artikuluar në mënyrë të hapur kundërshtitë e tyre, sërish në 47 vitet e totalitarizmit shqiptar nuk u organizua një lëvizje disidence. E thënë me fjalë të tjera, në Shqipërinë komuniste nuk u institucionalizua një disidencë e mirëfilltë, ashtu siç ndodhi në disa shtete të Evropës Lindore, veçanërisht në gjysmën e dytë të viteve ’70. Qëllimi i këtij studimi nuk është disidenca në vetvete, por një analizë mbi arsyet e mungesës së një lëvizjeje disidente dhe, duke bërë këtë, të nxjerrë në pah disa nga veçoritë e totalitarizmit shqiptar. Ndër faktorët e shumtë që kanë ndikuar në mungesën e një disidence të organizuar në Shqipëri, do të veçoja dy:
1) Trashëgiminë historike, politike dhe shoqërore të shqiptarëve dhe 2) Veçoritë e ndërtimit të totalitarizmit komunist në Shqipëri.




TRASHËGIMIA HISTORIKE, POLITIKE DHE
SHOQËRORE E SHQIPTARËVE
Historisë politike të shqiptarëve i mungojnë referencat për një sistem politik të demokracisë liberale. Shqiptarët modernë kanë jetuar nën despotizmin e Perandorisë Osmane, anarkinë politike të viteve 1912-1920, për të përjetuar në vijim qeverisjen autoritare të Ahmet Zogut si president dhe, më pas, mbret, që i la vendin kaosit të Luftës së Dytë Botërore.
Deri më 1944, kohezioni i grupeve sociale në Shqipëri nuk përcaktohej nga ideologjia politike (me përjashtim ndoshta të grupeve komuniste të viteve ’30), por nga lidhjet fisnore, rajonale, madje dhe miqësore. Me përjashtim të një periudhe të shkurtër kohore rreth viteve 1920-1924, shteti shqiptar nuk pati përjetuar jetë të mirëfilltë parlamentare me grupime e parti politike legale. Shoqëria shqiptare pati kaluar nga një regjim autoritar në tjetrin, pa krijuar një ndërgjegje të mirëfilltë politike mbi demokracinë liberale, mbi të drejtat dhe liritë individuale, civile dhe politike.

Mungesa e traditave të organizimit politik ishte një nga arsyet që Aleatët Perëndimorë toleruan ngritjen në pushtet të komunistëve shqiptarë, madje dhe dhanë një miratim me gjysmë zëri për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 për Asamblenë Kushtetuese. Brigadier Hoxhsoni, shefi i Misionit Ushtarak Britanik, shprehej se: “megjithëse në vend ka një opozitë të konsiderueshme ndaj regjimit të tanishëm (qeverisë provizore S.B.), ajo është fare e paaftë të organizohet në një forcë politike efektive dhe nuk është e aftë të zëvendësojë qeverinë e tanishme me një administratë adekuate”. Ndërsa kreu i Misionit Civil Amerikan në Tiranë, Jacobs në një komunikim me Departamentin amerikan të Shtetit pohonte se: “nga çdo qeveri në Shqipëri, do të ishte e kotë të prisje për të vëzhguar principe demokratike, ashtu siç kuptohen ato në Evropën Perëndimore. Vendi ishte shumë më i prapambetur edhe në krahasim me Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe ne nuk duhet të jemi kaq këmbëngulës për të vëzhguar principet demokratike”.
Një faktor i dytë, por që lidhet ngushtë me të parën është indiferentizmi i theksuar që kishte dëshmuar masa dërrmuese e shqiptarëve për zhvillimet politike në vend. Prapambetja ekonomike, varfëria, shkalla e lartë e analfabetizmit, zhvillimi i ulët arsimor ishin shkaktarët e këtij indiferentizmi. Për shumicën e shqiptarëve, nuk kishte rëndësi kush ishte në krye të vendit, apo sa të drejta dhe liri zotëronin. Ajo që kishte rëndësi ishte nevoja ekzistenciale e mbijetesës. Pas vitit 1945, indiferentizmi i shqiptarëve përbënte një shqetësim të vazhdueshëm për drejtuesit e lartë komunistë, të cilët kishin nevojë për mobilizimin e masave, në mënyrë që të realizonin planet dhe projektet e tyre. Jo më kot Enver Hoxha porosiste të gjitha komitetet e PKSh në të gjitha zonat e Shqipërisë që të punonin me “të gjithë ata elemente indiferentë të papërzier me politikë dhe që nuk arrijnë të kuptojnë si duhet manovrën e reaksionit [kupto: kundërshtarëve të vendosjes së regjimit komunist] dhe përpjekjet tona në këtë situatë të vështirë”. Pranë KQ të PKSH u ngrit Seksioni i Agjitacion-Propagandës (Agjit-propi), i cili pas vitit 1948 u shndërrua në drejtori. Ishte detyrë e kësaj strukture të përçonte politikën zyrtare në çdo qelizë të jetës shqiptare, të indoktrinonte dhe mobilizonte masat, si dhe të censuronte çdo shkrim, mendim apo sjellje që binte ndesh me vijën politike zyrtare.

VEÇORITË E NDËRTIMIT
TË KOMUNIZMIT SHQIPTAR
Totalitarizmi komunist shqiptar ka një histori që jo gjithmonë shkon sinkron me vendet e tjera komuniste të Lindjes. Shqipëria ishte ndër të vetmet raste në Lindjen Komuniste, në të cilën komunistët e zgjidhën çështjen e pushtetit që gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata arritën të defaktorizonin rivalët politikë më aktivë të tyre: nacionalistët e Ballit Kombëtar dhe monarkistët e Partisë Nacional Zogiste dhe, me largimin e trupave ushtarake pushtuese nga vendi, të qëndronin të vetëm në pushtet, ndonëse nën emrin e Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik, pas gushtit të vitit 1945) .
Në dallim nga vendet e tjera të Lindjes, faza transitore me një sistem ekonomik e politik hibrid ishte shumë e shkurtër në kohë dhe gati e paperceptueshme. Kjo i la dorë të lirë komunistëve që, gjatë viteve 1944-1951 të ushtronin represion të menjëhershëm për të izoluar, madje dhe për të eliminuar të gjitha kategoritë e kundërshtarëve politikë. Drejtuesit e PKSH nuk iu përmbajtën parimeve të Leninit, i cili nuk përjashtonte edhe integrimin e klasave të përmbysura në socializmin shtetëror. Ata adaptuan teorinë e J. V. Stalinit sipas të cilës “Diktatura e proletariatit duhet për të zhvilluar një luftë të papajtueshme kundër elementëve kapitalistë, për të shtypur borgjezinë dhe për të shkulur kapitalizmin nga rrënjët. Po në qoftë se kapitalistët e qytetit dhe të fshatit, në qoftë se kulakët dhe koncesionarët integrohen në socializëm, a duhet pas kësaj diktatura e proletariatit dhe, po qe se duhet, për të shtypur cilën klasë?”. Që në fillim të pushtetit të tyre, drejtuesit e lartë komunistë u treguan shumë të kujdesshëm për ta trajtuar secilën prej kategorive të kundërshtarëve politikë në mënyrë të posaçme. Me elitat tradicionale politike, ata u përballën ashpër menjëherë pas çlirimit duke i akuzuar si “kolaboracionistë” dhe “kriminel lufte”. Elita intelektuale me formim perëndimor e me prirje liberale, u eliminua midis viteve 1946-1951 nëpërmjet proceseve gjyqësore të njëpasnjëshme. Klerin u përpoqën ta përdornin (rasti i klerikëve bektashinj që kishin mbështetur Frontin), të infiltronin në krye të komuniteteve fetare njerëz që ishin miqësorë me regjimin e ri (rasti i vendosjes së Paisi Vodicës në krye të komunitetit ortodoks) ose ta nënshtronin (Dekreti për komunitetet fetare i vitit 1949). Kur kjo nuk ndodhi, siç ishte rasti i klerit katolik, atëherë represioni dhe dhuna ishin të vetmet metoda që u përdorën. Pronarët e tokave dhe industrialistët i shpronësoi dhe i burgosi në zbatim të ligjeve mbi Tatimin e Jashtëzakonshëm të Luftës, të Reformës Agrare e një sërë vendimesh e ligjesh të tjera të dala në vijim. Kundërshtarët e armatosur të vendosjes së regjimit komunist në veri dhe në jug i nënshtruan me operacionet ushtarake për mbledhjen e armëve të zhvilluara midis shkurtit 1945 deri në fund të vitit 1947.

Gjatë periudhës 1945-1951, aplikimi i dënimit me vdekje në/për një masë të madhe të personave të gjykuar, krijoi një situatë frike dhe arriti të intimidonte masën më të madhe të kundërshtarëve politikë. Futja e konceptit të “përgjegjësisë kolektive” për një faj individual, e shtriu masën e represionin jo vetëm te personat që kryenin veprën penale të dënueshme, sipas ligjeve të kohës, por edhe në familjen e afërt, ndonjëherë edhe në rrethin shoqëror. “Çfarë do të presë populli nga familja e Kokoshit, e Koculit, e Risilisë, e Sharrës, e Peshkëpisë” – u drejtohej Enver Hoxha banorëve të Vlorës më 20 shtator 1947, ndërkohë që po zhvilloheshin hetimet për të ashtuquajturin grup të deputetëve. Qartazi për regjimin ata ishin kundërshtarë sui generis dhe, si të tillë duheshin trajtuar për të mos i lënë të ngrinin kokë. Kjo së bashku me politikat e internim-dëbimeve, përndjekjeve të vazhdueshme dhe përdorimi i tyre nga Sigurimi i Shtetit; futja e konceptit të biografisë për sigurimin e një nëpunësie në burokracinë e kohës, apo dhe për vijimin e arsimimit, shkaktoi një lloj margjinalizimi të kundërshtarëve realë të regjimit, duke e bërë të vështirë, madje të pamundur organizimin e tyre në kundërshtimin e politikave të regjimit.
Një tipar tjetër që vështirësonte institucionalizimin e disidencës në Shqipëri është mënyra sesi vizatohej portreti i “armikut të popullit”. Totalitarizmi shqiptar ndërthuri ideologjinë komuniste me nacionalizmin, ksenofobinë dhe izolacionizmin. Binomi “atdhe-parti” në një kohë kur pavarësia dhe integriteti territorial i Shqipërisë ishte i mbrojtur nga koniunktura gjeopolitike ndërkombëtare, u bë, gjithnjë e më shumë, një koracë për të mbrojtur regjimin nga pakënaqësia dhe reagimet e kundërshtarëve politikë. Proceset gjyqësore ndaj këtyre të fundit përdoreshin edhe për të forcuar tendencat antiperëndimore të shqiptarëve. Të dënuarit e viteve të para akuzoheshin përveç të tjerave dhe si agjentë në shërbim të anglo-amerikanëve, por edhe të “neofashistëve grekë”. Klerikët katolikë të dënuar shpesh akuzoheshin si agjentë të shërbimit të fshehtë italian. Delegatët e Konferencës së Tiranës u akuzuan si të shtyrë nga agjentura jugosllave. Anëtarët e PPSH të dënuar pas vitit 1961 (Liri Belishove, Koço Tashko e shumë të tjerë) u akuzuan si agjentë sovjetikë. Mehmet Shehu, kryeministri shqiptar prej 27 vjetësh u akuzua si poliagjent i shumë shërbimeve të huaja.

Duke bërë kështu, regjimi mbante gjithmonë të gjallë psikozën e pasigurisë për pavarësinë e sovranitetin e vendit. Njerëzit e zakonshëm shtrëngonin radhët me regjimin, duke i izoluar gjithnjë e më shumë kundërshtarët e tij. Këtë kishte parasysh diplomacia italiane, kur përpiqej ta bindte Britaninë e Madhe për të mos e përfshirë Shqipërinë në operacionet Rollback. Në dhjetor 1949, përfaqësuesi italian në Këshillin e NATO-s u bënte thirrje kolegëve të mos i mbështesnin operacionet kundër regjimit shqiptar. “Populli shqiptar, – kujtonte sekretari i Përgjithshëm Ministrisë së Jashtme italiane, Vittorio Zoppi, – e do pavarësinë e tij dhe, nëse ndjen se i rrezikohet pavarësia, do të lidhet dhe më shumë me BS. Në fakt, Hoxha po i përdor sot këto ndjenja dhe po shfaqet si mbrojtës i pavarësisë së Shqipërisë kundër qëllimeve ekspansioniste italiane, jugosllave dhe greke”.
Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Lindore, regjimi totalitar në Shqipëri nuk e kaloi as procesin e destalinizimit (që kaloi Lindja gjatë viteve ’50), as fazën e socializmit me “fytyrë njeriu” (të Çekosllovakisë e Polonisë së viteve ’60), as procesin e Helsinkit (të viteve ’70), duke qenë i vetmi vend i Evropës Lindore, që nuk nënshkroi Kartën e Helsinkit. Në një kohë që Lindja Komuniste ndërmerrte hapa për t’u hapur ndaj Perëndimit; për të lejuar disa liri fetare; për të krijuar disa hapësira për pronën private, apo dhe pranonte të nënshkruante një kartë duke marrë përsipër të njihte të drejtat dhe liritë themelore të individit, Shqipëria izolohej gjithnjë e më shumë, nxirrte ligje që pengonin ushtrimin e praktikave fetare, vijonte politikat për eliminimin e pronës private, duke kolektivizuar madje edhe gjënë e gjallë (procesi i tufëzimit i viteve 1981).
Mungesa e proceseve liberalizuese, qofshin këto edhe në kuadër të regjimit totalitar, mbytën të gjitha zërat kundër edhe brenda vetë radhëve të PPSH. Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu e provuan në kurriz të tyre çfarë donte të thoshte të kundërshtoje vijën politike të PPSH. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për delegatët në Konferencën III të komitetit të PPSH për Tiranën, të cilët të frymëzuar nga zhvillimet në BRSS dhe Lindjen Komuniste, menduan të gjenin rrugë për të reformuar disi regjimin, por u ndeshën me persekutimin e vazhdueshëm.

Në një kohë që Konferenca e Helsinkit krijoi truall për lëvizjet disidente të tilla si: Karta 77 në Çekosllovaki, apo Lëvizja Solidarnos në Poloni, në Shqipëri miratohej Kushtetuta e RPSSH, e cila forconte diktaturën e proletariatit, rolin drejtues të PPSH në jetën e vendit dhe forconte kontrollin edhe në elementët më intimë të jetës shoqërore. Dy vendime të Byrosë Politike të KQ të PPSH të miratuara në vitin 1975 dhe 1976 kontrollonin edhe emrat që familjet shqiptare do t’u vendosnin fëmijëve të tyre, apo çfarë modeli flokësh dhe veshjesh ishte e përshtatshme të mbanin të rinjtë shqiptarë.
Disa studiues pohojnë me të drejtë se në sistemet totalitare, burgu në mënyrë paradoksale është vendi ku njeriu mund të ndihej i lirë. Në totalitarizmin shqiptar ky pohim nuk i përgjigjet të vërtetës.

Të burgosurit politikë përndiqeshin edhe brenda mureve të burgjeve, për më tepër regjimi aplikoi ridënimet për krimet politike, duke e bërë kalvarin e të dënuarve të pafundmë. Një nga shembujt më sinjifikativë mbi ashpërsinë e ridënimeve është represioni që shoqëroi shtypjen e revoltës në burgun e Spaçit (maj 1973). Pesë vjet pas kësaj revolte, u zhvilluan dy procese gjyqësore, tërësisht të montuara nga organet e Sigurimit të Shtetit ndaj dy grupeve të drejtuar përkatësisht nga Xhelal Koprencka (i riu) dhe Fadil Kokomani e Vangjel Lezho. Të dy grupet akuzoheshin se kishin krijuar dy organizata politike kundërrevolucionare të destinuara për të kryer krime kundër shtetit (?!). Këto procese u kushtuan jetën 5 të burgosurve politikë dhe shtimin e dënimin për dhjetëra të tjerë.

Midis dhunës, propagandës dhe izolimit, totalitarizmi shqiptar kishte arritur të krijonte “njeriun e ri”. Ai “pranonte” të jetonte në kushtet e një varfërie ekonomike që bëhej gjithmonë edhe me ekstreme, në kushtet e një mungese të theksuar lirie individuale, i bindur se ishte i detyruar të bënte këto lloj sakrificash, pasi jetonte “si në rrethim” dhe se duhet “të hidhte valle në gojë të ujkut”. Brezi i ri i shqiptarëve i fundviteve ’80 dinte pak ose aspak mbi të drejtat dhe liritë themelore, politike e civile, ndërsa konceptet Perëndim dhe demokraci liberale e kishin mësuar t’i përbuzte. Kjo është trashëgimia që na la totalitarizmi shqiptar në fushën e të drejtave të njeriut dhe, për fat të keq, kjo është trashëgimia që ende kemi nevojë ta kapërcejmë.
*Instituti i Historisë, ASA – Tiranë, pjesë nga kumtesa e mbajtur gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare “Fytyra e armikut të popullit”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.