KULTURË

Përurohet libri “Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri”

18:40 - 24.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U zhvillua në ambientet e Librit Akademik përurimi i librit “Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri”, me autor akademikun Albert Doja. Ky libër ishte një prej botimeve shkencore të vitit 2018 të Akademisë së Shkencave. Përzgjedhja e tij u bë pikërisht për shkak të rëndësisë jo vetëm nga ana teorike që ai ka, por dhe praktike për studiuesit e rinj. “Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri” ka dhe diçka tjetër që e bën atë të veçantë: shumë prej veprave të akad. Doja janë botuar në gjuhë të tjera dhe mungonin punimet e tij në gjuhën shqipe. Tashmë, ky libër, i cili vjen në shqip, është dhe një mundësi më tepër jo vetëm për studiuesit dhe hulumtuesit e antropologjisë shqiptare, por dhe për ata të cilët kanë dëshirë të lexojnë më tepër rreth kësaj fushe.




Libri trajton përvojën thuajse një shekullore të kërkimeve dhe studimeve shqiptare në trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë dy periudhave kryesore: gjysmës së dytë të shek. XX dhe periudha e pas viteve 1990. Dy periudha këto, të cilat dallojnë thellësisht nga njëra-tjetra në lidhje me këto kërkime shkencore, për shkak të ndryshimit të sistemit terminologjik. Aty ku më parë ekzistonte etnografia dhe etnologjia, tashmë kemi antropologjinë dhe pse metodologjia e kërkimit shkencor mund të mos ketë pasur dallime të mëdha, çka përbën objekt debati sot.
Libri, gjithashtu, mund të lexohet dhe si një historik i etnologjisë dhe i antropologjisë, duke e konsideruar në sfondin e studimeve europiane të po kësaj fushe. Ndaj, duke marrë parasysh vlerat e shumta që ai shfaq për studimet antropologjike në Shqipëri, Akademia e Shkencave e uron autorin për këtë botim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.